Schröderi mund të mbetet anëtar i SPD | Gjermania | DW | 08.08.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Schröderi mund të mbetet anëtar i SPD

Ish-kancelari Schröder nuk ka thyer rregullat e partisë me kontaktet e tij me Rusinë, sipas bordit të arbitrazhit. Vendimi mund të apelohet. Hë për hë, megjithatë, Schröderi mund të mbetet anëtar i socialdemokratëve.

Ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder nuk ka shkelur rregullat e partisë socialdemokratë SPD duke u angazhuar me koncernet shtetërore ruse. Komisioni kompetent nuk sheh bazë për qortim apo edhe përjashtim nga partia.

"Komiteti i arbitrazhit i nën-qarkut të SPD-së të rajonit të Hanoverit ka konstatuar se kundërshtari i kërkesës, Gerhard Schröder nuk është fajtor për shkelje të rregullores së partisë, pasi ndaj tij nuk mund të vërtetohej asnjë shkelje”, shkruhet në arsyetimin e komisionit në shkallë të parë.

Vendimi mund të apelohet brenda dy javësh. Kjo duhet së pari të depozitohet me shkrim dhe më pas të arsyetohet me shkrim brenda një muaji.

17 kërkesa procedurale kundër Schröder

Jo më pak se 17 degë të SPD-së kishin kërkuar të ndiqej procedura e rregullave të partisë kundër Schröder-it, të cilave iu shtuan kërkesa të tjera që nuk plotësonin kërkesat formale. Komisioni i arbitrazhit të Hanoverit e kishte shqyrtuar procedurën në mes të korrikut brenda partisë, por larg mediave. Vetë Schröderi nuk ishte paraqitur personalisht në datën e caktuar dhe nuk kishte dërguar ndonjë avokat.

Komisioni i arbitrazhit i nën-qarkut SPD të rajonit të Hanoverit është kompetent për procedurën, sepse Schröderi është anëtar i degës lokale atje.

Udhëtimi i ish-kancelarit në Rusi

Schröderi ka qenë prej kohësh objekt kritikash për afërsinë e tij me Rusinë. Ai konsiderohet mik i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin dhe ka qenë aktiv prej vitesh për grupet ruse të energjisë. Sipas Kremlinit, Schröder vizitoi kryeqytetin rus, Moskën, në fund të korrikut.

Lidhur me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, Schröderi pranoi se ishte përgjegjësi e qeverisë ruse t'i jepte fund luftës. Megjithatë, sipas tij lidhjet me Rusinë nuk duhet të ndërpriten plotësisht. Në korrik, ish-kancelari tha gjithashtu se donte të ruante lidhjet me Putinin dhe nuk besonte në një zgjidhje ushtarake në Ukrainë.

aud (dpa, tgsch)