Schröder takohet me Bush në Shtëpinë e Bardhë | Politika | DW | 25.06.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Schröder takohet me Bush në Shtëpinë e Bardhë

Kancelari gjerman Schröder do të takohet të hënën me presidentin amerikan Xhorxh Bush në Shtëpinë e Bardhë për disa biseda politike dhe një darkë pune. Temat e bisedimeve do të jenë situata në Irak dhe Afganistan, zhvillimet në Lindjen e Afërt dhë në BE, reforma e re e OKB-së si edhe bashkëpunimi në luftën globale kundër terrorit.

Që prej vizitës së presidentit amerikan Bush në Evropë, marrëdhëniet gjermano-amerikane janë stabilizuar sërish. Bush i ka lavdëruar shpesh gjermanët për angazhimin e tyre në bisedimet mbi programin bërthamor të Iranit. Kur BE pësoi krizën e thellë për shkak të referendumeve të dështuara në Hollandë dhe Francë, Bush u shpreh se ka shpresa për të ardhmen e Evropës. Edhe gjatë takimit me kancelarin Schröder ditën e hënë, Bush do të sillet po aq mirë sa u soll gjatë vizitës së Schröderit vitin e kaluar:

"Ne jemi marrë vesh shumë mirë dhe dëshirojmë një botë të qetë dhe në paqe. Zoti kancelar, vizita juaj më nderon, mirëseerdhët!" - tha Bush.


Por nën sipërfaqe ndodhen ende problemet e thella që kanë qeveria amerikane dhe koaliconi qeveritar gjerman kuq e gjelbër. Përpara një jave ministri gjerman i mbrojtjes Peter Struck, e anulloi vizitën e tij në SHBA-s për arsye se homologu i tij Donald Rumsfeld kishte pak kohë për një takim të përbashkët. Rumsfeld e di fare mirë, se Gjermania nuk do të vërë në dispozicion trupa ushtarake për Irakun, ndonëse SHBA-s kanë nevojë për çdo ushtar atje. Michael O´Hanlon nga instituti për shkencat politike "Brooking Insitution" shpjegon:

"Trupat tona ushtarake në Irak po përjetojnë një fazë shumë të vështirë. Franca dhe Gjermania mund të na ndihmonin po të donin. Por ne e dimë se këto vende nuk do ta bëjnë këtë gjë. Presidenti Bush nuk do ta zërë në gojë këtë temë gjatë takimit me Schröderin, ndonëse kemi seriozisht nevojë për ndihmë."

Sigurisht që edhe Uashingtoni e di se në Gjermani do të zhvillohen zgjedhje të reja dhe se shansi për një ndryshim të qeverisë është shumë i madh. Shtëpia e Bardhë nuk e ka harruar faktin se gjatë zgjedhjeve të fundit në Gjermani, Gerhard Schröder deklaroi hapur se nuk do ta mbështesë Amerikën në luftën kundër Irakut.

"Do të kishte mjaftuar sikur Gerhard Schröder të kish thënë se lufta në Irak nuk është ide e mirë. Por Schröder u shpreh hapur se kjo luftë ishte një aventurë e amerikanëve dhe se Bush përbën një rrezik për botën. Këto akuza ishin të gabuara dhe ndonëse situata në Irak ka dalë jashtë kontrollit, ato akuza mbeten të padrejta."

Ky është shkaku përse SHBA-s reagojnë të rezervuara kundrejt dëshirës së Gjermanisë për një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Edhe ministri i jashtëm gjerman Joschka Fischer e vuri re këtë qëndrim gjatë vizitës së tij të fundit në Uashington. Ndonëse Fischer vlerësohet në SHBA-s si një politikan me bindje të qarta politike, homologja e tij Condoleeza Rice u tregua e prerë kur Fischer kërkoi ndihmën e SHBA-s për një vend të përhershëm të Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Edhe kancelari Schröder do të përjetojë një eksperiencë të ngjashme, mendon kryetari i departamentit për çështjet e jashtme pranë senatit amerikan, Richard Lugar:

"Gjermanët janë miqtë e mi të dashur. Unë e dua dhe e vlerësoj shumë Gjermaninë. Por ne duhet të kemi parasysh edhe interesat e shteteve të tjera, të cilat janë ende të pavendosura mbi këtë çështje."

  • Data 25.06.2005
  • Autor Daniel Sheshkeviz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqty
  • Data 25.06.2005
  • Autor Daniel Sheshkeviz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqty