Schrëder nis vizitën në Kinë - Në axhendë: marrëveshje miliardëshe për industrinë dhe embargoja e armëve | Gjermania | DW | 05.12.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Schrëder nis vizitën në Kinë - Në axhendë: marrëveshje miliardëshe për industrinë dhe embargoja e armëve

Kancelari i Gjermanisë, Gerhard Shrëder, të djelën në mbrëmje u nis për një tur një javor vizitash në Kinë dhe në Japoni. Të dy këto vende janë partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Gjermanisë në Azi, ndaj kancelari shoqërohet nga një delegacion i madh ekonomik. Në Kinë pritet të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh. Sa i përket kapitullit politi: gjatë bisedimeve në Pekin do të diskutohet edhe lidhur me shfuqizimin e embargos së armëve të vendosur nga BE-ja kundër Kinës në vitin 1989.

Gerhard Shrëder në Kinë

Gerhard Shrëder në Kinë

Bashkëpunimi ekonomik është në epiqendër edhe të vizitës së gjashtë të kancelarit Gerhard Shrëder në Kinë qysh nga viti 1998. Pas takimit me kryeministrin kinez Ven Zhiabo të dy politikanët do të nënshkruajnë rreth 20 marrëveshje, vlera e të cilave presupozon porosi disa miliardëshe për industrinë gjermane. Volumi i saktë i këtyre marrëveshjeve ende nuk është publikuar, sepse detajet janë diskutuar deri në minutën e fundit. Nëse gjithçka shkon në rregull, Kina do të porosisë në Gjermani jo vetëm trena të shpejtësisë së lartë ICE dhe lokomotiva të firmës Siemens, por edhe mbi 20 avionë Airbus.

Kina u kushton vëmendje të veçantë marrëdhënieve me Gjermaninë, ndaj kancelarit do t´i plotësohet dëshira për t´u takuar me ish-kryeministrin Zhu Rongji. Ky i fundit pas dorëheqjes është zhdukur nga skena politike, por kësaj radhe ai do të ketë mundësi të dalë sërish në publik krah për krah mikut të tij të vjetër Gerhard Shrëder.

Po aq të përzemërta kanë qenë edhe kontaktet midis ministrave të financave të të dy vendeve. Ministri kinez i financave Zhin Renqing theksoi qëllimin e tregtisë bilaterale gjatë pesë viteve të ardhëshme:

"Ne takohemi shpesh dhe shkëmbejmë hapur mendimet, gjë që jo vetëm na bën të kemi mirëkuptim, por na jep edhe rezultatet konkrete në ekonomi dhe në tregti. Mendoj, se volumi i tregtisë mes Kinës dhe Gjermanisë këtë vit do ta kapërcejë kufirin e 50 miliardë dollarëve. Jam optimist, se do t´ia arrijmë qëllimit tonë për ta dyfishuar volumin e tregtisë bilaterale deri në vitin 2010."

Qysh në vizitën e fundit në Kinë, kancelari është përpjekur të shmangë disa pengesa në raportet politike. Por ai nuk ia ka arritur që të bindë për kërkesën e Kinës për shfuqizimin e embargos së armëve, as partnerët ekologjik të koalicionit, as vendet antare të BE-së. Këto vende kërkojnë që Pekini të përmbushë disa kushte përpara se të kërkojë shfuqizimin e embragos. Një nga kushtet kryesore është përmirësimi konkret i gjendjes së të drejtave të njeriut.

Udhëheqja kineze indinjohet prej këtyre kushteve, por megjithatë javën e shkuar ajo liroi disa disidentë, sic duket për krijuar një klimë më të mirë. Kryeministri Ven Zhiabo e di, se ka përkrahjen e Shrëderit, ndaj do të përpiqet sërish që të bisedojë me të për të gjetur mundësitë për shfuqizimin e embragos së armëve. Nga ana tjetër kancelari dëshiron që kryeministri kinez t´i japë atij një sinjal të qartë mbështetjeje në kërkesën për një vend të përhershëm të Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit.

Lidhur me këtë çështje zëdhënësja qeveritare në Kinë, Zhang Qiyue, u përpoq të shmangej, por nga ana tjetër ajo la të nënkuptohet një farë kërcënimi kur foli për embargon e armëve:

"Ne shohim këtu një problem serioz politik. Mendojmë, se tani ka ardhur koha që BE-ja, të marrë vendimin e duhur. Çështja nuk ka të bëjë me lëshimet nga ana e Kinës. Embargoja është një postulat i luftës së ftohtë që bie ndesh me marrëdhëniet kinezo-evropiane. Mosshfuqizimi i saj nuk u bën mirë marrëdhënieve tona."

Çështjet politike delikate mes Berlinit dhe Pekinit këtej e tutje mund të diskutohen edhe nëpërmjet një linje të nxehtë të hapur posaçërisht. Lidhja direkte telefonike mes kancelarisë në Berlin dhe zyrës së kryeministrit në Pekin, siç thuhet, është e sigurtë prej përgjimeve dhe në raste krizash ajo mundëson komunikimin e shpejtë. Një ndërlidhje të tillë deri më sot Kina e ka vetëm me Moskën, Londrën dhe Uashingtonin.

  • Data 05.12.2004
  • Autor Eva Korel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar5F
  • Data 05.12.2004
  • Autor Eva Korel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar5F