Sarkozy kërkon futjen e një sistemi të ri për matjen e zhvillimit të ekonomisë | Ekonomia | DW | 23.09.2009
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ekonomia

Sarkozy kërkon futjen e një sistemi të ri për matjen e zhvillimit të ekonomisë

Një grup pune i angazhuar nga Presidenti francez Sarkozy, ka paraqitur propozime për një sistem të ri për matjen e rritjes së ekonomisë së një vendi. Në të rritja shihet në një kuptim më të gjerë.

Prodhimi bruto në Gjermani, tremujori i dytë i 2009.

Prodhimi bruto në Gjermani, tremujori i dytë i 2009.

Sarkozy synon të kritikojë "adhurimin" e treguesit të deritanishëm të rritjes ekonomike, Produktin e Brendshëm Bruto. Në samitin e G-20 në Pittsburgh ai do të përpiqet të bindë edhe vende të tjera të industrializuara, të ndryshojnë statistikat e tyre bazuar në konceptin e ri të rritjes dhe progresit. Të njëjtin propozim pati bërë pak kohë më parë edhe Komisioni i BE-së. Në grupin e punës bëjnë pjesë ekspertë me emër të ekonomisë, si p.sh. mbajtësit e çmimit Nobel Joseph Stiglitz dhe Amalya Sen.

Presidenti francez Nicolas Sarkozy u tregua mjaft largpamës, kur dy vjet e gjysmë më parë, u dha këtë detyrë dy fituesve të çmimit Nobel për ekonominë: hartoni një metodë statistikore, me të cilën në të ardhmen rritja ekonomike e një vendi të mund të matet në mënyrë më të plotë se deri tani. Për Sarkozy-në ishte e qartë, se PBB nuk mund të ishte më kriter për rritjen ekonomike. Tani që komisioni paraqiti rezultatet e tij, kriza bankare sapo ka mbushur vitin. Presidenti francez ndihet i konfirmuar në kritikën e tij ndaj metodës tradicionale të matjes së rritjes ekonomike: "Për vite me radhë njerëzve u është thënë se standardi i tyre i jetesës do të përmirësohet ndërkohë që jeta po bëhej gjithnjë e më e vështirë. Ne duhet ta kuptojmë zhgënjimin e atij që gjatë krizës financiare humbi shtëpinë, punën dhe një pjesë të pensionit, megjithëse nuk kishte asnjë faj në kaosin e krijuar."

Presidenti francez Nicolas Sarkozy

Për Sarkozy-në PBB nuk mund të ishte më kriter për rritjen ekonomike.

Edhe profesor Jean-Paul Fitoussi, i cili ka përmbledhur punën e 37 shkencëtarëve, konfirmon edhe njëherë vështirësitë me të cilat ndeshen specialistët si ai gjatë aplikimit të PBB-së, si kriter i matjes së rritjes ekonomike: "Kur shifrat na thonë se punët na shkojnë mirë, ndërkohë që njerëzit kanë përshtypjen se po iu rrëshket toka nën këmbë, atëherë ose treguesi është llogaritur gabim ose po përdorim treguesin e gabuar."

Sidomos nëse PBB-ja tregon rritje edhe kur ekzistojnë probleme. Jean-Paul Fitoussi: "A është e vërtetë që bllokimi i vazhdueshëm i trafikut në Paris rrit PBB-në? A është e vërtetë që një zjarr i madh apo trazirat dhe kriminaliteti rrisin të ardhurat kombëtare? Po, kjo është e vërtetë. Por këto ngjarje nuk janë në asnjë mënyrë të mira për mirëqënien."

Për vlerësimin e pasurisë dhe mirëqënies së një shoqërie, studiuesit kanë paraqitur një sërë propozimesh. Mbajtësi i Çmimit Nobel për ekonominë, Joseph Stiglitz, shpjegon: "Sigurisht nuk ekziston vetëm një indikator për të paraqitur diçka kaq komplekse sa shoqëria jonë. Por, pikërisht sepse përzgjedhja e treguesve luan një rol kaq të rëndësishëm në vendime, duhet të zhvillohet një debat i hapur, e para së gjithash publik për përzgjedhjen e treguesve matës."

Mbajtësi i Çmimit Nobel për ekonominë, Joseph Stiglitz.

Mbajtësi i Çmimit Nobel për ekonominë, Joseph Stiglitz është për zhvillimin e debatit të hapur për përzgjedhjen e treguesve të ekonomisë.

Presidenti Sarkozy tregon se kush është mësimi i parë që nxjerr nga raporti i ekspertëve: "Nuk ka qytetar mesatar, dhe shtimi i pabarazive e vërteton këtë. Kush zgjedh të flasë gjithnjë vetëm për mesataren, i shmanget debatit për padrejtësitë." Për këtë arsye Sarkozy synon të zbatojë menjëherë në Francë 12 propozimet e studiuesve. Të gjitha të dhënat karakteristike ekonomike, në të ardhmen do të vlerësohen edhe nën aspektin ambjentalist. Kriteri kryesor për vlerësimin e pasurisë së një vendi, nuk do të jenë më mallrat dhe shërbimet e prodhuara, por të ardhurat e familjeve, gjendja e autostradave, e qyteteve apo e furnizimit me energji. Edukimi i popullsisë do të jetë gjithashtu kriter por para së gjithash masa e kënaqësisë së njerëzve. M.q.s. propozimet e Komisionit kanë më tepër formën e pyetjeve se sa të formulave konkrete, autoriteti francez i statistikave duhet të punojë për zbatimin në praktikë. Megjithatë Sarkozy, javën e ardhshme në samitin e G-20, do të kërkojë nga vendet e tjera pjesëmarrëse, që të heqin dorë nga Produkti i Brendshëm Bruto.

Autor : Johannes Duchrow / Eliana Xhani

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 23.09.2009
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Jh2j
  • Data 23.09.2009
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Jh2j