1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

170910 UN Gipfel MDGs

20 Shtator 2010

Pesë vjet kohë ka bashkësia ndërkombëtare për të realizuar objektivat e mileniumit. Duke nisur nga e hëna (20.9.) përfaqësuesit e OKB-së do të mblidhen në një samit triditor në Nju Jork për të bërë një bilanc paraprak.

https://p.dw.com/p/PGB6
Selia e OKB-së në Nju Jork
Selia e OKB-së në Nju JorkFotografi: AP

Gati një milardë njerëz shkojnë çdo mbrëmje të uritur në shtrat. OKB-ja nuk mund të krenohet me një shifër të tillë. Megjithatë: bilanci paraprak nuk rezulton aq keq sa duket. Ndonëse kriza ekonomike botërore e ka ulur kurbën e suksesit - matur me përqindje në raport me popullsinë në botë numri i të uriturve është ulur. Bazuar në përllogaritjet e fundit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar shumë vende të botës do ta arrijnë objektivin e mileniumit. Megjithatë kjo nuk vlen për të gjitha rajonet e botës: përparime ka kryesisht në Azinë e Jugut dhe atë të Lindjes, kryesisht prej rritjes ekonomike në shtete si Kina. Edhe disa shtete afrikane paraqiten mirë, sidoqoftë parë në përgjithësi kontineti afrikan mbetet shqetësues.

Ban Ki Moon: Ripërtëritja e buxheteve jo në kurriz të të varfërve

Ban Ki-Mon duke folur para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së
Ban Ki-Mon duke folur para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-sëFotografi: AP

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, përpara samitit në Nju Jork bëri thirrje, që askush të mos dekurajohet. Gjendja e keqe ekonomike mbarëbotërore nuk mund të jetë arësye që vendet e pasura t'i zvarrisin pagesat e premtuara. "Ne nuk duhet të ripërtërimë buxhetet tona në kurrizin e të varfërve."

Qëllimi është që vendet e industrializuara të japin 0,7 % të proudktit të tyre bruto në vend për ndihmat për zhvillimin. Kjo kuotë duhet të rritet çdo vit. Në këtë mënyrë kuota për sivjet është 0,51%. Ndërkohë që Belgjika, Finlanda, Irlanda dhe Britania e Madhe e kanë arritur këtë qëllim, Gjermania mbetet pas, me një kuotë prej 0,4 %.

Në mbarë botën janë në pritje ndihmat financiare, e kryesisht për Afrikën: 16 miliardët e premtuara ende nuk janë lëvruar, vë në dukje Ban Ki Moon: "Eshtë për të të ardhur keq, që pikërisht atje ku nevoja është më e madhe, është më e lartë shuma e papaguar."

Mes vendeve donatore dhe atyre marrëse të ndihmës ka grindje, nëse mosrealizimi i objektivave të mileniumit ka të bëjë me moslëvrimin e ndihmave, apo me mungesën e zbatimit nga politika.

Jo vetëm paratë por edhe kultura shkak për moskujdesin shëndetësor

Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel
Kancelarja e Gjermanisë Angela MerkelFotografi: AP

Një shembull është vdekshmëria e nënave: Në bazë të raportit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në këtë aspekt ekziston një humnerë e madhe mes asaj që pretendohet të arrihet dhe realitetit. Të sqarosh gratë për lindje më të sigurta, kjo nuk kushton shumë para, por ky shpesh herë është një problem kulturor. Nuk kemi të bëjmë aspak me çështje parashë, nëse një grua fillimisht duhet të marrë lejen nga burri, përpara se ajo mund të niset për në klinikë pas dhimbjeve të lindjes që i vazhdojnë me ditë.

Kancelarja Angela Merkel tërhoqi vëmendjen në Berlin, se impulsi vendimtar duhet të vijë nga vet njerëzit, por edhe politika duhet të veprojë: "Fjala është për drejtim të qeverisë. Vazhdimisht është theksuar, se një ndër pengesat e mëdha është korrupsioni, për një zhvillim të qëndrueshëm është kusht qeverisja e mirë."

Studiuesi në fushën e ekonomisë Jomo Kwame Sundaram nga sektori i OKB-së për zhvillimin ekonomik tërheq gjithashtu vëmendjen, se bilanci i ndihmave të dhëna dhe i përparimit të zhvillimit është dispropocional: "Nëse përjashtojmë nga llogaria pesë vendet që marrin ndihmat më të mëdha – pra Irakun, Afganistanin, Izraelin, Egjiptin dhe Kolumbinë, ku ndihma është e motivuar fort politikisht – atëherë kemi një raport pozitiv mes ndihmës dhe zhvillimit. Nëse i përfshijmë të pesë këto vende, atëherë raporti është krejt ndryshe. "

E megjithatë në samit do të diskutohet për premtime konkrete financiare. Sepse përveç premtimeve për pagesa të prapambetura është e qartë, që në të ardhmen paratë nuk mjaftojnë. Nga viti 2012 deri në 2017 çdo vit mungojnë 340 milliardë Dollarë. Franca dhe Britania e Madhe së bashku me 60 shtete të tjera propozojnë futjen e një takse ndërkombëtare për biznesin e valutës. Kjo taksë mund të sjellë deri në 35 milliardë Dollarë amerikanë të ardhura vjetore.

Çfarë mund të pritet nga samiti triditor?

David Lane, Drejtor Ekzekutiv i organizatës së ndihmës ONE, që lufton varfërinë në mbarë botën, thotë, se të rëndësishme janë premtimet konkrete për ndihma dhe jo fjalët: "Nëse në Nju Jork mbahen fjalime të përsosura dhe deklarata përfundimtare përmban fjalë të bukura, se sa e rëndësishme është ndihma për zhvillimin, por jo premtime konkrete, atëherë të gjithë do të mbetemi shumë të zhgënjyer."

Autor: Christina Bergmann / Vilma Filaj - Ballvora

Redaktoi: Eliana Xhani