Samiti i G8, programi elektoral i socialdemokratëve dhe goditja e kometës Temple 1 janë disa nga temat e shtypit të sotëm gjerman. | Studimi në Gjermani | DW | 05.07.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Samiti i G8, programi elektoral i socialdemokratëve dhe goditja e kometës Temple 1 janë disa nga temat e shtypit të sotëm gjerman.


Këtë javë kryetarët e shteteve dhe qeverive të vendeve më të industrializuara të grupit G8 do të mblidhen në Skoci për të diskutuar mbi mbrojtjen e klimës globale si dhe reduktimin e borxheve dhe ndihmën financiare për Afrikën.

Lidhur me rezultatet e mundshme të samitit në mbrojtjen e klimës gazeta "Neues Deutschland" që del në Berlin shkruan:
"Përmbytjet, stuhitë dhe thatësirat nuk presin derisa politika në globin tonë të fillojë të merret me kërcënimin nga vrima e Ozonit dhe ngrohja e tokës. Që sot duhen marrë masa për mbrojtjen e klimës. Kështu p.sh.protokolli i Kiotos për reduktimin e emetimit të gazit karbonik vlen deri në vitin 2012. Janë pra të nevojshme angazhime të mëtejshme nga vendet e fuqishme të industrializuara. Por në këtë drejtim nuk do të ketë përparime përsa kohë vetë Uashingtoni e dënon protokollin e Kiotos me objektivat e tij të moderuar në drejtim të mbrojtjes së klimës. Kështu në samitin e ardhshëm të G8-s vetëm dy rezultate janë realiste: një kompromis i butë me ShBA ose shpallja e objektivave të lirë të cilat mëkatari më i madh i globit për ambjentin, ShBA, nuk i konsideron të detyrueshme."

Gazeta Handelsblatt që del në Dyseldorf komenton rolin e kancelarit gjerman Shrëder në samitin e ardhshëm të G8.
"Në fund të karrierës si kancelar Shrëder po provon rolin e ndërmjetësit mes Blerit dhe Bushit: në protokollin e samitit duhet të ketë vetëm aq mbrojtje ambjenti sa mund të pranojë presidenti amerikan. Ndërsa në temën e ndihmës për Afrikën Bush mbështet pozicionin e Shrëderit: më shumë para duhet të jepen vetëm nëse shtetet e Afrikës përmirësojnë pozicionin e tyre, pra i japin fund luftrave, luftojnë korrupsionin, mbështesin ekonominë private dhe dëshmojnë përparime në të gjitha këto fusha. Por për kancelarin gjerman Shrëder samiti që mbahet në hapje të fushatës zgjedhore në Gjermani do të kthehet në një akt drejtpeshimi. Në koncertin e fundjavës së kaluar Bler fitoi në rrethet e afërta me partinë socialdemokrate gjermane imazhin e shpëtimtarit bujar për fëmijët afrikanë të rrezikuar nga vdekja prej urisë. Në nder të Shrëderit do të jetë tani të mos bashkohet me Blerin por të zgjedhë rrugën jo popullore dhe të thotë se vetëm ndihma financiare nuk është në gjendje të zgjidhë problemet e Afrikës."

Kryesia e partisë socialdemokrate gjermane, SPD, ka miratuar programin për zgjedhjet e planifikuara parlamentare që pritet të mbahen vjeshtën e ardhshme.
Gazeta berlineze "Berliner Zeitung" e komenton kështu përmbajtjen e këtij programi:
"Dje kancelari Gerhard Shrëder tha se ishte shumë i kënaqur me programin elektoral të partisë së tij. Në këtë program SPD ndër të tjera kërkon vendosjen e pagave dysheme dhe një taksë për të pasurit. Tani Gerhard Shrëder të jep përshtypjen e një njeriu që e konsideron të dështuar rrugën e tij ose që të paktën nuk ka më forcë që ta përshkojë atë deri në fund. Duket qartë se ai nuk ka madje as energji të mjaftueshme për t'u larguar prej saj. Mesa duket ai ka vendosur në notojë në rrymën e shumicave të reja. Ai kërkon të mbetet në krye të një lëvizjeje të cilën deri pak kohë më parë donte ta ndalonte. Papritur është e drejtë ajo çfarë pak kohë më parë konsiderohej e gabuar. Kështu thjesht dhe pa arsye, pa reflektim në gjirin e partisë dhe pa dhënie publike llogarie. Nuk është për t'u çuditur që qytetarët nuk i kuptojnë më zotërinjtë atje lart."

Për herë të parë në historinë e njerëzimit një kometë është goditur nga një sondë. Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" e komenton kështu goditjen e kometës Temple 1 nga sonda e NASA-s "Deep Impact":
"Sipas kritereve kozmike forca me të cilën predha e sondës Deep Impact goditi kokën e kometës ishte vetëm një prekje e lehtë megjithë pamjet mbresëlënësë të resë së grimcave që mbështolli kometën pas shpërthimit. Për herë të parë është depërtuar në brendësinë deri tani të panjohur të një komete përmes hapjes së një krateri me madhësinë e një fushe futbolli. Në bërthamën e kometës mendohet se materialet janë ruajtur ashtu siç kanë qenë në kohën e krijimit të sistemit tonë diellor. Në dallim nga objektet e tjera në kozmos, kometat asnjëherë nuk janë shkrirë qoftë edhe pjesërisht. Por kjo përpjekje e fundit nuk do të ofrojë informacionet më të reja mbi krijimin e sistemit diellor. Ai që mendon kështu nuk e ka idenë e shkencës. Të dhënat e reja përftohen vetëm nga bashkimi i shumë pjesëve të një mozaiku dhe goditja e Temple 1 ishte vetëm një nga këto pjesëza."

  • Data 05.07.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aruq
  • Data 05.07.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aruq