1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sa të vetëdijshëm janë qytetarët shqiptarë për rregullat e lirisë së lëvizjes?

15 Dhjetor 2010

Hyrja në fuqi të mërkurën e vendimit të BE-së për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Shqipërisë në hapësirën e vendeve të zonës Schengen shoqërohet edhe me detyrimin për të mos qëndruar më tepër se 90 ditë.

https://p.dw.com/p/Qabz
Një rrugë në Tiranë. Performancë e heqjes së vizave
Një rrugë në Tiranë. Performancë e heqjes së vizaveFotografi: DW

Radhët e gjata të qytetarëve shqiptarë para zyrave të Gjendjes Civile për të marrë pasaportat biometrike tanimë kanë mbaruar. Agjensitë turistike po bëjnë prenotimet e fundit për grupet që do të festojnë Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në kryeqytetet dhe vendet e mirënjohura turistike të Europës. Familjet e emigrantëve në Greqi, Itali, Gjermani apo Francë po përgatiten të presin të afërmit e tyre nga Shqipëria. Duke filluar nga dita e mërkurë (15 dhjetor), ditë kur hyri në fuqi vendimi i BE-së për heqjen e regjimit të vizave, qytetarët e Shqipërisë kanë realizuar një ëndërr sa të kahershme aq edhe të 20 viteve në demokraci: lirinë e lëvizjes, një nga të drejtat themelore të njeriut.

Pamje simbolike. Ata që udhëtojnë pa viza duhet të kenë pashaporta biometrike
Pamje simbolike. Ata që udhëtojnë pa viza duhet të kenë pashaporta biometrikeFotografi: DW

Cilat janë planet e disa banorëve të Tiranës?

Një burrë rreth të pesëdhjetave: “Do të shkoj në Gjermani. Dua të shkoj të shoh ku ka qenë ngritur Muri i Berlinit. E di, që nuk ka mbetur më asnjë copë mur, që unë ta marr me vete kur të kthehem në Shqipëri, por do të shkoj gjithsesi. Shiko, këtë gjë e kam ëndërruar për 20 vjet, që në vitin 1989 kur ra muri.”

Një grua tiranase: “Do të shkoj në Paris . Nuk kam qënë kurrë atje. Jam 55 vjeç, jap frëngjisht në një shkollë të mesme. Gjithë këto vite kam mbledhur kursime që të shkoj të shikoj Luvrin, Versajën, Parisin. Të shoh me sytë e mi gjithë atë histori, kulturë dhe art për të cilat u flas nxënësve të mi.”

Tirana drejt Evropës - tabela të reja me destinacione vende vendet evropiane shihen pas liberalizimit të vizave në Tiranë
Tirana drejt Evropës - tabela të reja me destinacione vende vendet evropiane shihen pas liberalizimit të vizave në TiranëFotografi: DW

Një shitës në një supermarket perimesh: “Do të shkoj në Spanjë, të festoj me familjen festat e fundvitit.”

Një djalë i ri: “Do të shkoj tek të afërmit e mi, emigrantë në Itali dhe në Greqi.”

Vetëdije për rregulla dhe procedura të BE që duhen respektuar

Përvoja më e fundit me qytetarë të Bosnjë- Hercegovinës që ende pa hyrë në fuqi vendimi i BE për lëvizjen e lirë të qytetarëve boshnjakë kërkuan qëndrim në Gjermani, ka rritur në Shqipëri sensibilizimin për respektimin strikt të rregullave dhe procedurave të BE që shoqërojnë heqjen e vizave. Sa të vetëdijshëm janë qytetarët shqiptarë për respektimin e rregullave?

Një pronar i një dyqani lodrash për fëmijë: “Jam biznesman në Tiranë. Do të udhëtoj por me mendimin që të kthehem në Shqipëri. Di që mund të qëndroj vetëm 90 ditë dhe më pas duhet të kthehem në Shqipëri. As që më shkon në mend që të qëndroj. Kapitalizmi është i egër, më mirë në vendin tënd” thotë."

Udhëtarët pa vizë duhet të tregojnë se kanë para të mjaftueshme për kohën e qëndrimit
Udhëtarët pa vizë duhet të tregojnë se kanë para të mjaftueshme për kohën e qëndrimitFotografi: DW

Një barman: “Do të rri një javë, 10 ditë, dhe do të kthehem prapë në Tiranë. Nuk më leverdis. Kam punën këtu dhe jam i kënaqur.”

Një student: “E kam marrë informacionin nga mediat dhe do t'i respektoj rregullat.”

Një grua tiranase: “Natyrisht që ekziston frika që me heqjen e vizave do të ketë njerëz që do të duan të qëndrojnë në vendet e hapësirës Schengen të BE-së, por kjo deri më tani nuk ka ndodhur për askënd. Pra, nuk mund të qëndrojnë. Nëse duan të qëndrojnë për studime, duhet të zgjedhin një rrugë tjetër, dhe jo të përfitojnë nga rasti i heqjes së vizave, sepse nuk do të mund ta realizojnë dëshirën e tyre.”

Pesëdhjetë qytetarë që nuk kanë qënë kurrë jashtë shtetit në Bruksel

Një nismë e Ministrisë së Brendshme ka çuar në Bruksel të mërkurën, ditën e parë të hyrjes në fuqi të vendimit të BE-së për heqjen e vizave të udhëtimit me Shqipërinë në hapësirën Schengen, pesëdhjetë qytetarë që nuk kanë qënë kurrë jashtë shtetit.

Ata do të takohen sot me drejtues të Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Europian. Kur të kthehet në atdhe ky grup ka të ngjarë të jetë një sensibilizues i fuqishëm i opinionit publik se heqja e vizave përjashton në mënyrë kategorike kërkesat për qëndrim, punë dhe strehim në vendet e hapësirës Schengen.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Lindita Arapi