Sa mund të përputhet mandati i Bundestagut dhe aktiviteti i lobingut? | Gjermania | DW | 31.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Sa mund të përputhet mandati i Bundestagut dhe aktiviteti i lobingut?

A mund të jetë një deputet përfaqësues i popullit dhe njëkohësisht në shërbim të një shoqërie industriale? Për këtë çështje po debatohet shumë në Gjermani. Deputeti kristiandemokrat, Norbert Rëtgen, duhet të bëhej drejtor ekzekutiv i Shoqatës Federale të Industrisë. Por, dy ish-kryetarë të kësaj shoqate i kërkuan atij përmes një letre të hapur që të heqë dorë ose nga kjo pune, ose nga mandati i tij parlamentar

Logo e Shoqatës Federale të Industrisë

Logo e Shoqatës Federale të Industrisë


Pas një debati të nxehtë publik Rëtgen hoqi dorë nga posti në Shoqatën Federale të Industrisë. Por tani po i kërkohet të heqë dorë nga një post i ngjashëm edhe deputetit tjetër kristiandemokrat Reinhard Gëner, i cili prej dhjetë vjetësh është edhe drejtor ekzekutiv i Lidhjes Federale të Shoqatave të Sipërmarrësve.

Lidhja Federale e Shoqatave të Sipërmarrësve ka një detyrë të qartë: të përfaqësojë interesat e sipërmarrësve përshembull kundrejt sindikatave, por edhe kundrejt politikës. Për këtë ndërmarrjet antare paguajnë kuotizacionin e tyre, dhe për këtë paguhet edhe Reinhard Gëneri, që nën mandatin e kryesisë së shoqatës bën punën e lobingut. Si deputet në Bundestag, Gëneri është edhe pjesë e politikës, përballë së cilës ai duhet të përfaqësojë interesat e shoqatës së tij, shprehet Reiner Bryderle, i partisë liberale në opozitë, parti kjo që është e afërt me interesat e ekonomisë: "Ai duhet të vendosë për njërën ose tjetrën detyrë. Ose është tërësisht politikan, ose është tërësisht shef i lobiistëve."

Por lind pyetja, se përse shtrohet kjo kërkesë tani, pas dhjetë vjetësh. Kjo vetëm se në rastin e Rëtgenit një kërkesë e tillë pati sukses? Ka kohë që Gëneri nuk është i vetmi përfaqësues interesash në Bundestagun gjerman, tërheq vëmendjen kolegu i tij i grupit parlamentar Volfgang Bosbah: "Gjatë viteve të fundit ka pasur shumë më tepër përfaqësues të lëvizjeve sindikaliste në Bundestag se sa përfaqësues të shoqatave ekonomike. Ndaj s´mund të kritikosh njërën palë duke e konsideruar palën tjetër si plotësisht korrekte."

Sindikatat mbrojnë interesat e punëtorëve po aq fort sa edhe Shoqatata e Sipërmarrësve interesat e punëdhënësve. Por për Klaus Ernst, deputet i partisë "E majta", ndryshimi ka të bëjë thejshtë me faktin, që sindikatat përfaqësojnë shumicën e popullsisë, ndërsa shoqata e Gënerit vetëm një pakicë. Sipas Ernst ka edhe diçka tjetër: "Në Sindikatën e Industrisë Metalurgjike ka një rregull të qartë, njerëzve që kanë një mandat parlamentar u përgjysmohet rroga dhe orari i punës."

Mos vallë me këtë ata e ndjenë veten përgjysmë të detyruar kundrejt sindikatave?

Fakt është, që çdo deputet sjell historinë e jetës së vet në parlament dhe interesat që lidhen me të. Fakt është edhe që deputetët gjithmonë krahas mandatit kanë kryer edhe veprimtari të tjera. Mandje një gjë e tillë edhe preferohet, sepse ata sjellin në këtë mënyrë në parlament aspkete dhe përvoja të ndryshme nga shoqëria. E nëse ata nuk varen aq shumë ekonomikisht prej partisë, që i vendos ata të zgjidhen, kjo është edhe në frymën e kushtetutës gjermane, që për deputetët parashikon: "Ata janë përfaqësues të të gjithë popullit dhe jo të lidhur pas kontratash e udhëzimesh, por i nënshtrohen vetëm ndërgjegjes së tyre."

Por çfarë ndodh nëse Lidhja Federale e Shoqatave të Sipërmarrësve kërkon prej Reinhard Gënerit që të mbajë një qëndrim kundër ndërgjegjes së tij? Duke marrë postin Gëner pat deklaruar, se në rast të ndonjë konflikti interesash ai nuk do të votojë. Por tani ai thotë, se asnjëherë s´ka pasur ndonjë situatë të tillë.

Deri tani Gërneri ka gjetur mbështeje kryesisht prej socialdemokratëve partnerë të koalicionit qeverisës. Për sekretarin e përgjithshëm të socialdemokratëve, Hubertus Heil, vendimtare është që ai e ka deklaruar hapur aktivitetin suplementar, ashtu siç e kërkon ligji i deputetit, e në këtë rast ai vërtetë kryen një veprimtari sekondare. "Në epiqendër duhet të jetë mandati i deputetëve. Nuk duhet që përmes aktiviteteve të tjera të kufizohet aktiviteti si deputet."

Kjo është përcaktuar nga gjykata kushtetuese, por shumë kritikë të Gënerit shtrojnë pyetjen: mos vallë ai e konsideron punën parlamentare si aktivtet sekondar?

Në vitin 1969 sipërmarrësi i porcelanit Filip Rozental hyri në parlament për socialdemokratët. Si rrjedhojë me insistimin e sipërmarrësve konservatorë ai dha dorëheqjen nga presidiumi i Shoqatës Federale të Industrisë.

  • Data 31.07.2006
  • Autor Peter Stützle
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqzx
  • Data 31.07.2006
  • Autor Peter Stützle
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqzx