Sa larg shkon përgjegjësia e shtetit? | Gjermania | DW | 27.12.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Sa larg shkon përgjegjësia e shtetit?

Suzane Osthof dëshiron të rikthehet në Irak.

Lehtësim dhe falenderim pas lirimit të Osthof

Lehtësim dhe falenderim pas lirimit të Osthof

Çfarë do të ndodhte nëse Suzane Osthof do të rrëmbehej edhe njëherë? A duhet t'i vijë shteti gjerman asaj përsëri në ndihmë?

Suzane Osthof nuk mund të heqë dorë: pas tre javësh pengmarrje ajo deklaron se dëshiron të rikthehet në Irak për të vazhduar punën e saj atje. Mirëkuptim për planet e saj, Osthof nuk duhet të presë nga askush, aq më pak prej atyre që u angazhuan për javë të tëra në lirimin e saj. Ministri i jashtëm gjerman Frank Valter Shtajnmajer, godet në shenjë kur i bën thirrje arkeologes t'i qëndrojë larg Irakut dhe të mendojë për mundin dhe përpjekjet e shkaktuara nga rasti i saj.


Pas deklaratate të Osthof ngrihet menjëherë sërish ajo pyetje të cilën vetë Shtajnmajer e kishte hedhur poshtë pas rrëmbimit dhe e cila për arsye politiko-morale nuk mund të shtrohej për sa kohë fati i së rrëmbyerës ishte ende i pasigurtë: deri në ç'masë ka për detyrë shteti të ndërhyjë kur një shtetas, pavarësisht për ç'arsye, injoron paralajmërimet zyrtare dhe e vë veten në rrezik?

Për këtë pyetje nuk ka përgjigje të qartë: natyrisht shteti ka përgjegjësi dhe detyrim përkujdesjeje për qytetarët e tij. Nga njëra anë një shtetas duhet të jetë i sigurt që shteti do t'i vijë në ndihmë në rast nevoje. Nga ana tjetër, megjithatë shtetasi duhet të tregojë një minimum përgjegjshmërie. Ai gjithashtu duhet të kuptojë që përgjegjësia e shtetit lind nga parimi i solidaritetit i cili detyron të dyja palët: shtetin dhe qytetarin. Kjo nuk është një rrugë me sens unik dhe as kartë e bardhë për aventurierë apo solitarë.

Njëkohësisht shteti nuk mund të anulojë angazhimin e tij për një shtetas në një moment të caktuar. Ai nuk mund të çlirohet nga përgjegjësia thjesht me një paralajmërim për të mos shkuar në destinacione të caktuara. Në rastin më të mirë shteti mund të kërcënojë me sanksione ekonomike si p.sh. në rastin e turistëve të rrëmbyer në Saharë, lirimi i të cilëve i kushtoi shumë mund dhe para shtetit gjerman.

Por në rastin e Suzane Osthof një kërcënim i tillë do të ishte i pavlerë pasi ajo nuk i ka ato para. Osthof nuk ndodhej në Irak për zbavitje. Ajo nuk është e dhënë pas Irakut sepse i pëlqen të udhëtojë në territore të pashkelura por sepse dëshiron t'u vijë në ndihmë njerëzve në nevojë.

Suzane Osthof e ka bërë këtë shpesh vitet e fundit dhe për punën e saj ka marrë lëvdata dhe fituar respekt. Asnjë rregull në interes të shtetit nuk mund të pengojë një ndihmë të tillë humanitare. Por duhet thënë se kohët e fundit Suzane Osthof nuk merret me projekte humanitare por me restaurimin e një hani historik për karvanet në veriun kurd të vendit. Sado i rëndësishëm të jetë ky projekt nga pikpamja historiko-kulturore nuk është i tillë që për të, të vësh jetën në rrezik. Dhe për këtë Osthof nuk mund të presë solidaritetin e shtetit gjerman dhe bashkëqytetarëve të saj. Prandaj është e drejtë që ky shtet të refuzojë tani çdo mbështetje financiare për këtë projekt.

Por në të njëjtën kohë nuk ka ndonjë mjet efikas për të ndaluar Osthof të rikthehet në Irak. Personat që dyshohen se mund të kryejnë vetëvrasje në Gjermani mund të arrestohen për t'i mbrojtur nga vetvetja. Por përpara një gruaje të tillë të dhënë marrëzisht pas idesë së saj, si Suzane Osthof shteti është i pafuqishëm: në rast rrëmbimi të ri shteti është i detyruar t'i vijë në ndihmë. Por Osthof vë kështu në rrezik simpatinë e treguar deri tani ndaj saj dhe në fund dëmton edhe kauzën për të cilën angazhohet me aq vetëmohim.

  • Data 27.12.2005
  • Autor Peter Philipp
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar1u
  • Data 27.12.2005
  • Autor Peter Philipp
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar1u