Sa ka përparuar lufta e kulturave? | Studimi në Gjermani | DW | 16.09.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Sa ka përparuar lufta e kulturave?

Shtypi ndërkombëtar i javës që sapo kaloi, fokusohet tek misioni i NATO-s në Afganistan dhe tek fjalët e Papës Bendekti XVI mbi Islamin.

Nato në Afganistan

Nato në Afganistan

Gazeta KURIER nga Viena shkruan mbi fjalët e Papës:

"Duhet ta pranojmë se Papa Benedekti XVI e provokoi në mënyrë publike botën islame, kur foli me fjalët e një mbreti katolik të mesjetës, dhe tha se profeti Muhambed ka bërë vetëm vepra të këqija. Por indinjimi kaq i thellë i botës myslimane është një keqinterpretim i qëllimshëm i mesazhit të Vatikanit. Dhe dëshmon mbi të gjitha një gjë: Se sa ka përparuar ndërkohë lufta e kulturave."

Edhe gazeta britanike TIMES mendon:

"Ndjehemi si në mesjetë, kur sot një diskutim mbi teologjinë e mesjetës ndez gjakrat në të gjithë botën. Me siguri që Papa nuk priste që fjalët që tha gjatë fjalimit të tij në universitetin e Regensburgut, të shkaktonin valë të tilla zemërimi në disa pjesë të botës myslimane, e cila pret tani që t´i kërkojnë falje dhe që bën krahasime me Hitlerin dhe Musolinin. Por vëzhgimi i detajuar i këtij fjalimi dëshmon se në rast se një grup u kritikua e madje ofendua në mënyrë publike, atëherë bëhet fjalë për materialistë perëndimorë."


Gazeta BASLER ZEITUNG nga Zvicra mban një qëndrim krejt tjetër:

"Ky Papë është një dhelpër retorike. Ai e di shumë mirë se si t´i peshojë fjalët e tij. Dhe ai e di se cilin efekt kanë ato fjalë. Dhe kështu, Papa Benedikti XVI krijoi me fjalët e tij në universitetin e Regensburgut, një provokim ndaj botës, ndonëse i fshehu pas fjalëve të një mbreti të Bizantit. Por këtë rradhë nuk bëhet fjalë për karikatura naive të Muhamedit, por për fjalët e mbretit të kishës, institucioni i të cilit ka tashmë përvojë me implementin e përmbajtjeve fetare nëpërmjet lutjeve dhe dhunës."

Ndryshojmë temë. Gazeta GUARDIAN nga Londra komenton misionin e NATO-s në Afganistan:

"Misioni i Afganistanit është për shefin e NATO-s, Scheffer, një çështje besimi. Kjo është arsyeja përse ai kërkon t´i rrisë trupat e NATO-s. Barra që mbajën ushtarët britanikë në provincën Helmand, ku luftojnë përditë kundër rebelëve talibanë, duhet të ndahet me të tjerë. Ajo çka ishte planifikuar si aksion për stabilitetin dhe rindërtimin e vendit, është shndërruar tani në një luftë gerrilash."

Në gazetën ruse KOMMERSANT lexojmë:

"Takimi i NATO-s dëshmoi se shumica e vendeve antare, nuk duan ta zgjerojnë misionin e tyre të rrezikshëm në Afganistan. Arsyeja është e qartë: Numri i sulmeve të rebelëve talibanë është shtuar në mënyrë të ndjeshme gjatë kohëve të fundit dhe ka arritur tani një rekord të hidhur. Brenda më pak se dy muajve, në jug të Afganistanit janë vrarë 35 ushtarë të NATO-s. Shtetet antare të NATOs- nuk duan ta rrisin numrin e kësaj statistike me emrat e qytetarëve të tyre."


Gazeta hollandeze DE VOLKSKRANT komenton:

"Do ishte keq si për stabilitetin ndërkombëtar, ashtu edhe për popullin afgan sikur Talibani ta rimerrte pushtetin. Madje edhe ekzistenca e NATO-s do të vihej në pyetje në rast se misioni i saj më i madh që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë, do të dështonte. "Talibani nuk mund të fitojë", tha shefi i NATO-s Sheffer. Por kjo nuk është shumë e sigurtë tashmë. Por ajo që është e sigurtë është se NATO nuk mund t´ja lejojë vetes humbjen në Afganistan."


Dhe së fundi gazeta NEPSZABADSAG nga Budapesti shkruan mbi rreziqet që i presin ushtarët hungarezë në Afganistan:

"Ne duhet të llogarisim në luftën e largët gjeografike, me sulme, plagosje dhe vdekje heronjsh. Por më i rëndë është fakti se edhe ne, ashtu si fuqitë e mëdha evropiane, nuk pranojmë të dërgojmë më shumë ushtarë atje. Në rast se nuk do ta luftojmë ekstremizmin islamik në Afganistan, do ta hasim edhe më shpesh në Evropë."

  • Data 16.09.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arnu
  • Data 16.09.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arnu