1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

080709 Deutschland Terrorgefahr

9 Korrik 2009

Rreziku nga sulmet terroriste është një temë për të cilen flitet shpesh në Gjermani. "Rreziku nga sulmet terroriste është akut", thuhet në qarqet gjermane të sigurisë. Megjithatë, "nuk ekziston asnjë shkas për panik".

https://p.dw.com/p/IkOY
Faqe interneti.
Sondazh interneti për perceptimin e rrezikut terrorist nga qytetarët gjermanë.Fotografi: AP

Këto ditë sërish u dërgua një mesazh, se Gjermania ka kohë që ndodhet në fokus të terroristëve islamikë, të cilët me sulme terrorise kërkojnë të imponojnë tërheqjen e trupave gjermane nga Afganistani. Rritja e kujdesit është e domosdoshme, por nuk ekziston ndonjë rrezik konkret nga sulmet.

Ushtarë gjermanë në Afganistan.
Ka shumë të dhëna që tregojnë se sulme po përgatiten për kohën e zgjedhjeve parlamentare.Fotografi: AP

Javën e kuluar në Berlin, u mblodhën ekspertët e sigurisë, për të biseduar mbi rreziqet e vërteta nga sulmet terroriste. Në fund u lëshua një kumtesë për opinion, por pa të dhëna konkrete. Vështirë është të jepen vlerësime të sakta për rreziqet, që kërcënojnë Gjermaninë. Ministri i Brendshëm Wolfgang Schäuble, paralajmëron prej vitesh se: "Bëhet fjalë për kërcënime serioze. Ne jemi një vend i sigurt dhe forcat tona të sigurisë kanë plotësisht të drejtë, kur kërkojnë respekt dhe mbështetje."

Shumë paralajmërime të Schäubles dhe projektet e tij ligjore konsiderohent si të tepruara, që kufizojnë liritë dhe krijojnë panik, siç thotë edhe shefja e ekologjistëve Claudia Roth. "Tek ministri jonë i Brendshëm shoh se ka tendenca armiqësore ndaj Kushtetutës. Për mua ai është një ministër, që sillet si një lloj ministër lufte."

Po a kanë kritikët të drejtë? Është Gjermania tre muaj para zgjedhjeve parlamentare me të vërtetë në shënjestër të terroristëve të Al - Kaidës? Shumë ekspertë të sigurisë përgjigjen: Po, rreziku është i madh. Këtë tezë e konfirmojnë atentatet ndaj ushtarëve gjermanë në Afganistan dhe rritja e dëshirës për udhëtimin e të rinjve në Pakistan, ku bëhet stërvitja e terroristëve. Ndërkohë që janë shtuar edhe mesazhet në gjuhën gjermane përmes videos, me të cilat Gjermania kërcënohet me sulme. "Është ky një kualitet i konkretizimit, sepse mesazhet Gjermanisë tani i dërgohen në gjuhën gjermane dhe jo vetëm me përkthim të shkruar."

Makinë e policisë para Portave të Brandenburgut.
Shumë ekspertë të sigurisë thonë se rreziku është i madh.Fotografi: AP

Ka shumë të dhëna që tregojnë se sulme po përgatiten për kohën e zgjedhjeve parlamentare. Sipas këtyre vlerësimeve, terroristët duan që të krijojnë pasiguri, si në Spanjë në vitin 2004, kur në trenat e Madridit u vranë 191 përsona dhe u plagosën 1.800. Zgjedhjet e mëvonshme sollën deri tek ndryshimi i qeverisë dhe tërheqja e truapve spanjolle nga Iraku.

Mesazhi për Gjermaninë tani është i njëjtë: Nëse ushtarët mbeten në Afganistan, ne do ta sjellin luftën në shtëpitë tuaja. Guido Steinberg, ekspert për terrorizëm nga Fondacioni për shkencë dhe politikë në Berlin është i mendimit se Gjermania është mjaft e rrezikuar. "Duhet nisur nga fakti që Al Kaida do të sulmojë objektiva në Gjermani muajt e ardhshëm, në qoftë se ka mundësi të këtilla, me qëllim që të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve dhe të hapë debatin për tërheqjen e trupave nga Afganistani."

Duket se situata është serioze, por jo edhe e qartë. Fakt është që forcat e sigurisë me vëmendje po përcjellin përsonat e dyshimtë - ku takohen dhe ku udhëtojnë. Fakt është po ashtu se hetuesit dinë më shumë, se sa që duan të thonë.

Të dhëna konkrete për sulme nuk ka, të paktën ato nuk dihen. Ndonëse televizioni ZDF para disa ditësh njoftoi se një njësi komando e Al Kaidës ka për qëllim të kryejë atentate në Evropën Perëndimore. Sipas këtyre burimeve, 15 terroristë janë larguar këto ditë nga Pakistani. "Më e mira që mund të bëjmë është të themi qartë: Ne nuk do të lejojmë të frikësohemi dhe se presonet ndaj Gjermanisë nuk do të kenë kurrfarë suksesi."

Autor : Benjamin Wüst / Bahri Cani

Redaktoi : Aida Cama