Sa e korruptuar është ekonomia gjermane? | Gjermania | DW | 28.03.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Sa e korruptuar është ekonomia gjermane?

Krahasuar në nivelin ndërkombëtar Gjermania duket se është relativisht e pastër. Nga 160 shtete Gjermania zë vendin e 16-të. Por ç´kuptim kanë shifrat kur koncerne të mëdha si BMW, Daimler-Chrysler, Siemens, Karstadt, Audi dhe Folksgaven janë infektuar nga korrupsioni?

default

Një prej shumë aferave të korrupsionit ka arritur tani kryesinë e koncernit Siemens. Antari i kryesisë qëndrore përgjegjës për biznesin e Siemensit në Evropë, Johanes Feldmajer, qysh nga dita e martë 27 mars ndodhet në arrest hetimor. Feldmajeri akuzohet, se ka përdorur rreth 15 deri në 20 milionë euro, me të cilat koncerni i elektroteknikës ka bërë për vete përfaqësinë e punëtorëve "Shoqata e punës së këshillave të pavarura të ndërmarrjeve" shkurt AUB. Kjo shoqatë ka qenë e pavarur prej sindikatave, por ajo ka qenë e blerë nga kryesia e koncernit.

Prokuroria po heton për shpërdorim dhe shmangie të detyrimit fiskal si dhe për shkelje të ligjit mbi kodin e ndërmarrjes. Ky ligj ndalon ndërhyrjet e drejtorisë së ndërmarrjes përshembull përmes favoreve që krijon ajo. Përmes pagesës së miliona eurove Siemensi ka mbështetur zgjedhjen e një këshilli ndërmarrjeje që favorizon sipërmarrësit. Siemensi është prekur edhe prej pagesave të ryshfeteve jashtë vendit për të siguruar porositë. Shtrohet pyetja, se sa e korruptuar është ekonomia gjermane? -

Krahasuar në nivelin ndërkombëtar Gjermania si shoqëria aksionere duket se është relativisht e pastër. Në bazë të listës së organizatës kundër korrupsionit, Transparency International Gjermania nga 160 shtete zë vendin e 16, pra në 144 vende ka shumë më tepër ryshfete se në Gjermani. Në këtë pozicion Gjermania qëndron në një farë mënyrë stabël qysh prej disa vjetësh, ndonjëherë ajo spostohet një pikë përpara ose prapa.

Edhe sa i përket shpërndarjes së intensitetit të korrupsionit në botë situata është pak a shumë e njohur: në vendet e varfëra në zhvillim ka shumë më tepër ryshfete se sa në vendet e pasura të industrializuara në Perëndim. Por shtrohet pyetja, se ç´kuptim kanë këto shifra në sfondin e lajmeve të muajve të fundit, që kanë pasur si kryetitull koncerne të mëdha si BMW, Daimler-Chrysler, Siemens, Karstadt, Audi dhe Folksgaven. Të gjitha këto koncerne kanë së paku dy të përbashkëta, ato janë ndërmarrje të mëdha gjermane dhe që të gjitha ato janë konfrontuar me akuzat për korrupsion ndaj antarëve të kryesive të tyre apo punonjësve me funksione drejtuese.

Lista e rasteve të njohura të korrupsionit dhe po ashtu e firmave të njohura në Gjermani mund të dyfishohet e megjithatë kjo është vetëm maja e aisbergut, thotë kryeprokurori i Frankfurtit dhe ekspert në çështjet e korrupsionit, Volfgang Shaupensteiner: "Nisur nga orteku i korrupsionit nuk mund të zbulohen të gjitha. Kjo ka të bëjë me faktin, se pikërisht në shkeljet e korrupsionit zona e errët është jashtëzakonisht e madhe. Nga 100 raste të dyshuara për korrupsion mund të zbulohen më së shumti pesë."

Eksperti Shaupensteiner ndërkohë është mjaft i zënë me zbardhjen kanaleve prej nga kanë kaluar paratë e korrupsionit mes Folksvagenit dhe firmave furnizuese të tij. Faurecia, furnizuesi numër dy i Evropës dyshohet të ketë paguar ryshfet tek menaxherët drejtues të Folksvagenit dhe Audit. Së fundi mendohet të jenë paguar ryshfete ne vlerën nga 600 deri në 800 mijë euro.

Por efekti i ryshfeteve apo të tjera dhuratave ndjehet jo vetëm në ekonominë private: qendrat e korrupsionit gjenden edhe në ekonominë e ndërtimit, në sistemin e shëndetësisë apo në atë të përpunimit të mbeturinave, të mos harrojmë këtu skandalet në sektorin publik dhe korruptimin e nëpunësve e politikanëve. Porkuroria e Frankfurtit ka hetuar përpara dy vjetësh një skandal ryshfeti të shtrirë në të gjithë sektorin e entit të ndërtimeve në lartësi. U akuzuan 240 persona, dëmi financiar arriti në 6 milionë euro. Shifrat e paqarta të korrupsionit në ekonominë private kanë të bëjnë me faktin, se në shumicën e ndërmarrjeve rastet e korrupsionit preferohen të mbyllen brenda për brenda ndërmarrjes, mendon Peter Blomberg nga Transparency International: "Shfrytëzohet gjithçka që mund të fshihet prej opinionit duke shpëtuar pa kallëzim penal, sepse ndërmarrjet i trëmben humbjes së reputacionit kur zbulohen raste korrupsioni ."

E pra e rëndësishme është që jashtë të mos merret vesh gjë paçka se në disa ndërmarrje ndonjëherë bëhen shkelje. Por korrupsioni në ekonomi nuk është problem vetëm i brendshëm, në dhënien e porosive, si në rastin e Faurencias dhe Folksvagenit, kemi të bëjmë me interesa ekonomike të ndërmarrjeve të tëra dhe drejtuesve të tyre. Këta jetojnë dhe punojnë në botën e tyre, vë në dukje kriminologu për ekonominë profesor Hans See: "Kjo është njëra anë, që në të tilla qarqe njerëzit shkëputen prej kontekstit social dhe në fakt as që mendojnë më për pasojat që mund të vijnë pas. Prodhohet me vrull dhe shpërndahen lëndë helmuese duke menduar vetëm në kategoritë e ekonomisë së tregut dhe të ndërmarrjes. Duke punuar në këtë mënyrë ata çlirohen prej aspektit të politikës, sepse bëhet si të thuash ekonomi e pastër, që gjoja s´ka lidhje me politikën."

Disa shefa dhe menaxherë firmash veprojnë me një farë makiavelizmi brenda botës së ekonomisë, sipas motos qëllimi justifikon mjetin, paratë e paguara sot sjellin porosinë nesër, si të thuash njëra dorë lan tjetrën dhe gjithçka funksionon si në vaj. Ndaj nuk është rastësi së tani po tërheqin vëmendjen ndërmarrjet e mëdha, sepse së pari ato mbeten të padukshme në këtë pështjellim të madh, dhe së dyti korrupsioni vazhdon të jetë një çështje e pushtetit mendon See: "Kush e ka pushtetin dhe kush nuk e ka atë? Këtu bën pjesë ai që ka paranë. Në të kundërt, ai që pranon ryshfetin ka edhe diçka për të ofruar. Mua nuk mund të më korruptojë askush, sepse unë s´kam ç´të ofroj. Ndoshta si profesor mund të të japin ryshfet për të dhënë një dëftesë apo një notë të mirë në provim. Por në volumin e biznesit dhe të mundësive për dhënien e porosisë si p.sh. me tenderat shtetërorë, kuptohet që sulmojnë të gjithë ata që kanë diçka për të ofruar."

E siç kuptohet në nivele të tilla janë funksionarët e lartë dhe ndërmarrjet e mëdha to që preken më shumë. Skandalet hasen shpesh kryesisht në degët që kanë konkurrencë të fortë siç është ndërtimi apo industria e automobilëve, por edhe ndërmarrjet e njohura si Siemensi, Daimler-Chrysler, Audi apo Folksvageni.

  • Data 28.03.2007
  • Autor Misha Erhardt
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqx2
  • Data 28.03.2007
  • Autor Misha Erhardt
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqx2