Së shpejti do të bjerë shumë dëborë | Bota | DW | 26.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Së shpejti do të bjerë shumë dëborë

Shtatë javë pas tërmetit në Pakistan mungojnë ende çadra

Pakistani pas tërmetit

Pakistani pas tërmetit

Dimri që po afron e bën gjendjen e viktimave të tërmetit në Pakistan gjithnjë e më të vështirë. Ky është vlerësimi i Kryqit të Kuq Gjerman i cili të premtem bëri përsëri thirrje për dhënin e ndihmave për rreth tre milionë të pastrehët pas tërmetit. Në zonën e prekur nga katastrofa mungojnë ende çadra dhe pjesa më e madhe e strehimeve të emergjencës nuk mbrojnë nga akulli dhe bora.
Fëmijë të gëzuar në kampin e Basianit. Kampi me çadra në provincën kufitare në veri-perëndim të Pakistanit është një nga më të mëdhenjtë në zonën e katastrofës dhe në të vërtetë aspak vend i gëzueshëm. Këtu vërtet ka ushqim dhe strehë madje edhe një shkollë por pjesa më e madhe e banorëve të kampit përveç jetës kanë humbur gjithçka tjetër. Kështu p.sh. edhe Mohamad Farid i cili ndan çadrën me vajzën, gruan dhe një kushëri. Shtatë javë pas tërmetit kujtimet janë ende të freskëta për 35 vjeçarin. Mëngjesin e tërmetit ai humbi shikimin nga syri i vetëm, për dy orë rresht ishte i bllokuar në gërmadhat e shtëpisë së tij. Mohamad Farid ende nuk është në gjendje të flerë natën dhe me lot në sy tregon:"Nuk e dimë se çfarë do të na sjellë e ardhmja. Kemi humbur gjithçka, tokën, shtëpinë. E gjithë zona është e mbuluar me gërmadha që arrijnë një deri dy metra lartësi. Shumë shtëpi kanë rrëshqitur nga mali, fshatra të tërë janë zhdukur. Nuk e dimë se çfarë duhet të bëjmë tani, çdo gjë është në duart e Allahut."
Myslimanët shumë besimtarë në kampin e Basianit kërkojnë tani më shpesh prehje shpirtërore në lutje pasi e dinë se për ta katastrofa ende nuk ka marrë fund. Natën temperaturat bien poshtë pikës së ngrirjes dhe në bora do të bjerë së shpejti edhe në zonat e ulëta. Atëhera disa mijëra vetë mund të zbrisnin nga malet për të kërkuar strehë në lugina. Kampi i Basianit mund të presë deri 5000 vetë nga 3000 që ndodhen sot atj thotë drejtuesi i tij Atif Shafik. Ushtaraku i lartë pakistanez dëshëron t'u ofrojë njerëzve në kamp një shans për një fillim të ri: "Ne nuk i lëmë njerëzit të kalojnë gjithë ditën shtrirë në çadra por u lutemi që të jenë të gatshëm të punojnë. Ata mund të fitojnë diçka dhe të rikthehen pak nga pak në jetën normale. Nuk duam që njerëzit të bëhen të varur nga ky sistem por duhet të fitojnë vetë paratë e tyre në mënyrë që shpejt të jenë në gjendje të përballojnë vetë jetën."
Një helikopter transporti i Bundesverit gjerman sjell çadra në luginat e Kashmirit. Kjo është ndihmë për mbijetesë për ata njerëz që nuk duan të braktisin fshatrat e tyre. Nga helikopteri gjurmët e shkatërrimit janë të dukshme: masa dheu që kanë rrëshqitur nga malet, rrugë të bllokuara nga rrënojat, shtëpi të shkatërruara. E gjitha është akoma më tragjike nga sa tregojnë pamjet në televizor thotë shoqëruesi i fluturimit Jërn Bosse:"Shkatërrimi duket këtu më qartë pasi je direkt në vend. Shohim duart e zgjatura me përgjërim dhe fytyrat lutëse dhe e kuptojmë menjëherë se njerëzit këtu gëzohen dhe kanë nevojë për ndihmën tonë.
400 çadra dimri ka sjellë këtë ditë Bundesveri në Çamba, një vendbanim i shkatërruar thuajse plotësisht nga tërmeti. Ata janë financuar, siguruar dhe shpërndarë nga organizata humanitare "Mjekë pa kufij" e cila ka sjellë edhe veglat e nevojshme të punës që njerëzit të mund të fillojnë rindërtimin. Por Çamba ka nevojë për shumë më tepër ndihmë. Furnizimi me ujë është ndërprerë dhe rezervat ushqimore për dimrin e ashpër e të gjatë mungojnë. Për qindra mijëra vetë në veri të Pakistanit lufta për mbijetesë ende nuk ka përfunduar.

  • Data 26.11.2005
  • Autor Christoph Heinzle
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArNB
  • Data 26.11.2005
  • Autor Christoph Heinzle
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArNB
Reklamë