Së ardhmes nuk i dihet - Pas vendimit për fillimin e negociatave të antarësimit Turqia dhe BE-ja përballë sfidash | Evropa | DW | 19.12.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Së ardhmes nuk i dihet - Pas vendimit për fillimin e negociatave të antarësimit Turqia dhe BE-ja përballë sfidash

Duke i premtuar datën e hapjes së bisedimeve të antarësimit BE-ja i ka hapur rrugën Turqisë, por nëse kjo rrugë do të mund të çojë në destinacion, është një gjë që varet prej zhvillimeve të mëtejshme në Turqi dhe në BE. Pra kemi të bëjmë me një proces që kërkon pjesëmarrjen aktive të të dyja palëve. Pas debateve, pjesërisht histerike, të javëve të shkuara duhet të rikthehet arësyeja.

BE-ja dhe Turqia - Pamje simbolike

BE-ja dhe Turqia - Pamje simbolike

Tashmë vendimi është marrë: BE-ja më 3 tetor 2005 do të nisë bisedimet me Turqinë për mundësinë e antarësimit. Mos vallë është ky fillimi i fundit, siç mendojnë disa? A do të falimentojë BE-ja duke u kthyer mbrapsht në të qenit vetëm një zonë e tregtisë së lirë? Apo ndoshta autoritet e Brukselit së shpejti do të kalojnë në dorë të turqve, për shkak të natalitetit të lartë që ka ky vend i Bosforit?

Sigurisht që duhet të merren seriozisht të tilla pyetje, por me realizëm dhe pa ngjallur frymën e katastrofës. Një gjë e tillë është po aq e gabuar sa edhe entuziazmi i atyre, që mendojnë se pas antarësimit të Turqisë, BE-ja do të etablohet si një "global player". Tani ka ardhur koha që të mendohet me mendje të kthjellët.

Para së gjithash është i domosdoshëm një katalog kriteresh për antarësimin. Nuk është relevante nëse BE-ja parimisht i jep ose jo Turqisë një perspektivë antarësimi, e rëndësishme është që të dyja palët të jenë në gjendje ta ndërmarrin një hap të tillë.

E rëndësishme është gjithashtu që t´i bëhet e qartë Turqisë, që të vazhdojë të ndjekë në mënyrë strikte rrugën e nisur të reformave dhe se me Brukselin nuk ka kompromise. Në radhë të parë Rexhep Taip Erdogani duhet ta kuptojë, se nuk mund të shkohet tutje me ngurtësinë e verbër, që demonstroi ai në samitin e fundit. Fakti që ai ka probleme të njohë një vend antar të BE-së siç është Qiproja, tregon, se ai me sa duket nuk i ka kuptuar parimet bazë të BE-së.

E vështirë për t´u përkufizuar është, se sa duhet të ndryshojë BE-ja për të qenë në gjendje të pranojë Turqinë. Për këtë nevojiten koka të mençura, që të kenë edhe guximin të heqin dorë prej subvencioneve zemërgjera për bujqësinë dhe prej financimeve rajonale. E një gjë e tillë duhet peshuar jo vetëm duke u nisur nga antarësimi eventual në një të ardhme të largët i Turqisë së karakterizuar prej bujqësisë, por edhe nga fakti se falimentimi i kërcënon brenda pak vjetësh edhe antarët e tanishëm të BE-së.

Të nevojshme janë edhe disa piketa të tjera, e kryesisht sqarimi i çështjes, se çfarë do të bëhet BE-ja në të ardhmen? Një union ekonomik dhe monetar me bashkëpunim të kufizuar politik, si aktualisht, apo diçka më shumë? A duhet të jetë BE-ja një bashkësi, në të cilën duhet bashkëpunuar në të gjitha sektorët, apo do të preferohet më shumë një kuadër evropian, ku të krijohen grupe shtetesh që duan të bashkëpunojnë më shumë se të tjerët? Ka shumë modele që mendohen dhe shumë opcione janë të mundura. Por edhe vetë kushtetuta e BE-së nuk jep ndonjë direktivë të qartë për destinacionin e përbashkët.

Gjatë këtij viti vetëm një gjë mundi të kristalizohet si nëpër të: Për herë të parë BE-ja u morr seriozisht me çështjen e kufijve lindorë. Vendet e Evropës Juglindore hap pas hapi duhet të pranohen në union, për këtë nuk ka asnjë dyshim, e nga ana tjetër nuk ka as nxitim. E kushdo tjetër që ndodhet më në Lindje nuk ka përse të ketë më shpresa për një antarësim të plotë. Kjo vlen si për Republikën e Moldavisë ashtu edhe për Ukrainën. E vetmja kandidate që bën përjashtim është Turqia, që ndonëse ka një shans për antarësim, mund t´ia arrijë këtij qëllimi vetë pasi të jetë reformuar në shkallë të gjerë në mënyrë që ajo të mos stonojë në rrethin e evropianëve.

  • Data 19.12.2004
  • Autor Klaus Dahman
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArFU
  • Data 19.12.2004
  • Autor Klaus Dahman
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArFU