1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ryker takohet me Thaqin

Bekim Shehu4 Shtator 2006

Shefi i ri i UNMIK-ut, Joakim Ryker, deklaroi në Prishtinë se është shumë e rëndësishme që ekipi negociator i Kosovës të mbetet i bashkuar dhe të jetë një zë i vetëm në të gjitha negociatat për statusin. Anëtarët e grupit negociator të Kosovës thonë se ata janë unik, të hapur dhe bashkëpunues me ndërmjetësin ndërkombëtar

https://p.dw.com/p/Ard1
Joachim Rücker dhe ministri gjerman i mbrojtjes Franz Josef Jung, 1 shtator Prishtinë
Joachim Rücker dhe ministri gjerman i mbrojtjes Franz Josef Jung, 1 shtator PrishtinëFotografi: AP

Kryeadministratori i ri i Kosovës Joakim Rycker, u kërkoi anëtarëve të grupit negociator që të mbesin unik në punën e tyre, në mënyrë që të krijohen të gjitha kushtet që bisedimet për statusin e Kosovës të përfundojnë brenda këtij viti. Këtë deklaratë, shefi i UNMIK-ut, e bëri gjatë disa takimeve që zhvilloi me udhëheqësit politik në Kosovë të parat biseda në cilësinë e kryeadministratorit të Kosovës.

"Është shumë e rëndësishme që të bëjmë gjithçka që mundemi, në mënyrë që ndërmjetësi ndërkombëtar në bisedimet për statusin Marti Ahtisari, të arrijë tek
zgjidhja përfundimtare brenda vitit 2006," tha Joakim Ryker, pas një takimi që zhvilloi me kryetarin e PDK-së, në opozitë, Hashim Thaqi.

Ai tha se ndërmjetësi ndërkombëtar, do të ketë përkrahjen e plotë të administratës ndërkombëtare ndërsa, një gjë të tillë e kërkoi edhe nga institucionet e Kosovës.

Kryetari i PDK-së Hashim Thaqi, tha se grupi negociator i Kosovës është shumë i hapur dhe bashkëpunues më ndërmjetësin ndërkombëtar ndërkaq, shprehet i bindur se përcaktimi i statusit final do të bëhet mbi bazën e vullnetit të shumicës së
qytetarëve të Kosovës.

“Të përmbyllim bashkërisht angazhimet për zgjidhjen e statusit në vitin 2006. Mbesim të përkushtuar në mbështetjen e plotë për zotin Ahtisari. Duhet investuar në stabilitet dhe progres në Kosovë. Jam optimist që gjërat do të lëvizin në drejtim e duhur dhe statusi politik i Kosovës do të zgjidhet në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran”, tha Hashim Thaçi.

Shefi i ri i UNMIK-ut, Joakim Rycker, zyrtarisht filloi detyrën më një shtator. Po në këtë muaj me 11 shtator, ai do të raportojë për zhvillimet në Kosovë në një seancë të KS_it, ku do të jetë i shoqëruar edhe nga kryeministri i Kosovës, Agim Ceku. Po në të njëjtën ditë do të zhvillohet edhe takimi i Grupit të Kontaktit në Sofie të Bullgarisë. Në këtë mbledhje për zhvillimet në Kosovë do të raportojnë zëvëndësshefi UNMIK-ut, Stiven Shuk, ndërsa, për punën e qeverisë në përmbushjen e standardeve dhe qëndrimin e Prishtinës për zgjidhjen e statusit do të prezantojë zëvendëskryeminstri i Kosovës, Lutfi Haziri.