1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia përdor një herë gjuhën e armëve dhe pastaj atë të bisedimeve

16 Gusht 2008

Integriteti territorial dhe sovraniteti i një vendi duket se nuk luajnë më rol tek Medvedevi dhe Putini, kur mendojnë se u kërcënohen interesat e tyre strategjike në Kaukaz

https://p.dw.com/p/Eydi
Tanket ruse duke hyrë në Gjeorgji
Tanket ruse duke hyrë në GjeorgjiFotografi: AP

Në shtypin gjerman vazhdon të diskutohet raporti me Rusisë dhe Perëndimit. Komentatorët paralajmërojnë se gjendemi ndoshta para rifillimit të një lufte tjetër të ftohtë.

Gazeta Offenbacher Post shkruan:

Moska nuk do të ngurrojë të veprojë në të njëjtën mënyrë si tani, kur të jetë fjala për të ruajtur sferën e ndikimit të saj. Presidenti i ri i vendit nuk lë pikë dyshimi për këtë. Atmosfera e akullt në Soçi, tonet e ashpra nga Uashingtoni dhe europianët që nuk dinë se ç'të bëjnë - papritur ndjehet sërish një lloj arome e luftës së ftohtë.

Kurse Thüringischer Allgemeine vëren:

Kremlini është i vendosur dhe ka përballë një perëndim që nuk di ç'të bëjë. Edhe pse kancelarja Merkel e përdori shpesh fjalën dialog në takimin me Medvedevin pala ruse qëndroi si granit. Integriteti territorial dhe sovraniteti i një vendi duket se nuk luajnë më rol tek Medvedevi dhe Putini, kur mendojnë se u kërcënohen interesat e tyre strategjike në Kaukaz. Në fillim përdoret gjuha e armëve pastaj fillojnë bisedimet. Polonia po mundohet të gjejë strehë tek sistemi amerikan i mbrojtjes ndaj raketave dhe nënshkroi edhe një pakt ndihme me SHBA-të. Marrëdhëniet e mira me Moskën që filluan të vihen re pas ndryshimit të qeverisë në Varshavë, i takojnë tani së kaluarës.

Heilbronner Stimme thekson edhe një herë rëndësinë e diplomacisë:

Diplomacia është tepër e rëndësishme, sepse përkrahësit e luftës së ftohtë kanë zënë sërish pozicionet. Po ashtu është fat që për momentin presidente e radhës e BE-së është Franca dhe në krye të saj Sarkozy, i cili është kritikuar mjaft. Mendo sikur presidencën e radhës ta kishte Polonia apo vendet baltike. Marrëveshja e tanishme e Varshavës me SHBA-të për sistemin e mbrojtjes ndaj raketave, nuk është e rastësishme dhe nga këndvështrimi mbarëevropian një konstelacion jo i mirë, i cili ia vështirësoi misionin kancelares.