1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia investon në Gjermani megjithë sanksionet

2 Tetor 2017

Zgjedhja e ish-kancelarit Shrëder në kryesinë e koncernit Rosnef u kritikua nga politika, por investimet ruse në Gjermani po shtohen, pavarësisht sanksioneve të BE-së.

https://p.dw.com/p/2l4Xn
Zivildienst als Alternative der Wehrpflicht in Weißrussland
Fotografi: DW/E.Samedowa

Nga fillimi i vitit 2017 koncerni Rosneft ka shumicën e aksioneve në rafinerinë e naftës PCK në Schwedt të landit të Brandenburgut në Gjermani si dhe paketa më të vogla aksionesh në disa rafineri në jug të Gjermanisë. Në maj ky koncern hapi një filiale në Berlin dhe njoftoi se do të bëjë investime prej 600 milionë dollarësh.

Në Gjermani janë të përfaqësuara me investime 1770 sipërmarrje ruse. Ulrich Umann, ekspert për Rusinë pranë agjencisë federale gjermane Germany Trade and Invest (GTAI), thotë se  Rosneft dhe Gazpromi poseidojnë më tepër se gjysmën e investimeve ruse në Gjermani. Ato investojnë kryesisht në centralet me gaz, rezervuarët e gazit dhe firmat që merren me nxjerrjen e naftës dhe të gazit.

Schröder auf der Rosneft Aktionärsversammlung
Ish-kancelari gjerman Gerhard Shrëder u zgjodh anëtar i bordit drejtues të gjigandit rus të naftës dhe gazit Rosneft.Fotografi: picture-alliance/TASS/dpa/P. Kovalev

Shtim i investimeve direkte

Sa u përket investimeve ruse në Gjermani ka të dhëna të ndryshme. Sipas Bankës qendore Gjermane, investimet ruse në Gjermani janë rritur nga 2.560 miliardë euro në vitin 2011, në 3.461 miliardë në vitin 2015 dhe kjo megjithë sanksionet për shkak të pushtimit të Krimesë dhe luftës në Ukrainë.

Sipas Andreas Steininger, ekspertë për Rusinë në Institutin për Lindjen në Wismar kjo lidhet me faktin se këto sipërmarrje kishin investuar në Gjermani para luftës dhe po ashtu ka shumë rusë që kanë blerë në Gjermani pasuri të patundeshme.

Vendin e parë për investime të drejtpërdrejta në Gjermani e zë Holanda me gati 100 miliardë euro. Rusia renditet e 16-ta në renditjen e Bankës Qendrore Gjermane dhe ajo investon më shumë se katër vendet e tjera të BRICS-it (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut).

Antiviren-Hersteller Kaspersky lab Logo
Fotografi: picture-alliance/dpa

Më shumë firma nga sektori i IT-së

Gjermania, e sidomos Bavaria, preferohet jo vetëm nga sipërmarrje të mëdha si Kaspersky Lab, por edhe nga firma më pak të njohura si Data Matrix. Kjo sipërmarrje nga Shën Peterburgu zhvillon software për studime klinike dhe ka themeluar në vitin 2017 një filiale në Mynih. Të njëjtën gjë bëri para dy vjetësh po në Mynih firma RTSoft nga Moska.

Agjencia për investime e landit të Bavarisë thotë se në këtë land ka rreth 350 firma ruse që kanë hapur filiale. Sipas Svetlana Huber nga agjencia Invest in Bavaria, sanksionet e BE-së ndaj Rusisë nuk kanë thuajse asnjë ndikim ndaj investimeve ruse.