1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia i bën shantazh Lufthansa Cargo-s

2 Nëntor 2007

Rusia i ka ndaluar degës së shoqërisë ajrore gjermane, Lufthansa Cargo fluturimin mbi territorin e saj. Kjo tërheq sot vëmendjen e komentatorëve të shtypit gjerman.

https://p.dw.com/p/C08J
Avion i Lufthansa Cargo-s duke u ngarkuar
Avion i Lufthansa Cargo-s duke u ngarkuarFotografi: AP/Lufthansa

Kësaj teme i kushton vëmendje FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG:

"Negociatorët në konfliktin gjermano-rus për të drejta fluturimi për avionët e mallrave të Lufthansës deri tani nuk kanë bërë hapa vendimtarë përpara. Burime të brendshme flasin për "negociata të vështira". Shkas është ndalimi i fluturimit mbi territorin e saj, të cilin Rusia e shqiptoi papritur për avionët e mallrave të Lufthansas, Lufthansa Cargo. Zyrtarisht nuk është dhënë asnjë argumentim për këtë, por supozohet se rusët duan të kenë pjesë më të madhe në transportin ajror të mallrave për në Lindjen e Largët, fushë ku deri tani nuk luanin asnjë rol. Hapësira ajrore ruse është për këtë me rëndësi vendimtare, prandaj persona të brendshëm flasin për "mekanizma shantazhi".

Zyra fedarale e udhëtimeve ajrore u hoqi në fillim të javës, ndoshta si reagim ndaj trajtimit të Lufthansas, të drejtën e uljes dhe ngritjes në aeroportin e Frankfurt/Hanit edhe avionëve rusë të transportit të AEROFLOT-ës. Por ndërkohë, ministria gjermane e transportit ua dha përsëri këtë të drejtë avionëve rusë.

Gjermania do të hetojë nëse ndalimi i së drejtës për të fluturuar mbi Rusi ka prekur vetëm Lufthansan, apo edhe vende të tjera evropiane. Në rast se janë të prekura edhe vende të tjera, tema do të trajtohen në nivel të BE.

BE dhe Rusia grinden prej dy dekadash për të drejtat e fluturimit mbi Siberi. Të drejtat e fluturimit janë normalisht falas. Paguhet për servise si sigurimin e fluturimit, por jo për të drejtën, për ta lëvizur avionin në ajër. Rusia kërkon taksa, të cilat sic thotë konkurenca përfundojnë direkt në arkat e shoqërisë ruse, AEROFLOT. Shoqëritë evropiane duhet të paguajnë për këtë në vit, rreth 330 milionë euro."

FRANKFURTER RUNDSCHAU shkruan për të njëjtën temë:

"Në Moskë përpiqen si në Gjermani që të mos e bëjnë të madhe këtë aferë. Marrëveshja e deritashme ka përfunduar, tha një zëdhënës i ministrisë ruse të transportit. Ministria gjermane e transportit flet për "keqkuptime". Por kaq e thjeshtë puna nuk duket të jetë. Lufthansa ka paraqitur në kohën e duhur lutjen për zgjatjen e marrëveshjes dhe ajo është refuzuar. Pasojat janë "të rënda" tha një zëdhënës i Lufthansas.

Vërtet që aeroportet e synuara arrihen edhe tani nga avionët e transportit të mallrave, por kjo arrihet vetëm përmes një devijimi të madh të itinerarit. Varësisht nga drejtimi i fluturimit, transporti ajror i mallrave tani zgjat rredh një orë e gjysmë më shumë. Vërtet që kjo nuk shkakton vështirësi operative për Lufthansan, por sjell shpenzime të panevojshme benzoli dhe parash.

Rreth 20 fluturime në javë ngrihen tani për në Astan të Kazakistanit dhe për në Tashkent, të Uzbekistanit. Aeroporti i kryeqytetit të Kazakistanit, Astana, që prej majit 2006 paraqet për Lufthansa-n pikën kyce për të gjitha transportet e kësaj sipërmarrjeje për Lindjen e Largët. Përmes këtij aeroporti kryhen të gjitha fluturimet prej dhe për në Azi. Në Astana avionët shkarkohen dhe malli ndahet për transport të mëtejshëm për në Azinë Lindore. Në këtë mënyrë, Lufthansa jep një kontribut të konsiderueshëm për rritjen ekonomike të vendit të nëntë për nga madhësia në botë, produkti social bruto i të cilit vetëm në vitin 2006 u shtua me më shumë se 10%. Kapacitetet e depove dhe të manovrimit në Astana janë përshtatur në një mënyrë të tillë, sa që atje mund të përpunohen edhe mallra që prishen dhe mallra të rrezikshme."

Ja së fundi edhe DIE WELT:

"Pas refuzimit pa paralajmërim të të drejtave të fluturimit mbi Rusi, Lufthansas i kërkohet tani që ta zhvendosë pikën qendrore të fluturimeve nga Astana e Kazakistanit në Krasnojarsk të Siberisë. Dhe kjo duhet të ndodhë brenda një kohe të shkurtër. Por Lufthansa mendon se kjo është një kërkesë absurde. Krasnojarskit i mungon aktualisht çdo infrastrukturë për të luajtur këtë rol. Lufthansa mbështetet tani te politika, për të arritur një kompensim korrekt të interesave. Rusëve u intereson që t'i zhvendosin vendet e punës nga Kazakistani, në qytetin e tretë për nga madhësia të Siberisë. Klima midis Rusisë dhe BE tani pritet të bëhet edhe më e akullt."