1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia hyn me trupa në lindje të Ukrainës?

Roman Goncharenko / exh15 Qershor 2014

Nuk janë kolona të gjata kamionësh dhe tankesh por grupe të vogla që depërtojnë përmes kufirit të përbashkët Rusi-Ukrainë. Vëzhguesit nuk janë të një mendje nëse Rusia po kryen një invazion të fshehtë.

https://p.dw.com/p/1CIWd
Separatist prorus mbi tank
Fotografi: Reuters

Nën hijet e Kampionatit Botëror të Futbollit në Brazil dhe të krizës së re në Irak, po shkallëzon situata në Ukrainë. Për herë të parë separatistët prorusë në lindje të vendit kanë marrë armatime të rënda. Tre tanke të tipit T-64 sipas informacioneve të medieve ukrainase në natën e së enjtes (12.6.2014) kanë hyrë nga kufiri me Rusinë. Këtë e ka konfirmuar edhe qeveria në Kiev. Tanket kanë avancuar deri në Donjeck ku më vonë u nxorrën jashtë funksioni nga njësitë ukrainase.

Një këshilltar i ministrit të Brendshëm ukrainas tha të premten (13.6.) se tanket kanë qenë më parë në inventar të ushtrisë ukrainase në Krime. Ata fillimisht janë dërguar me anije nga Krimeja në tokë ruse dhe më pas nga kufiri i përbashkët në lindje të Ukrainës.

Livrime armësh përmes kufirit të hapur

Ukraina nuk e kontrollon më gjithë kufirin me Rusinë
Ukraina nuk e kontrollon më gjithë kufirin me Rusinë

Qeveria ukraniase ngre akuza të rënda kundër Rusisë. Moska dërgon konvoje me armë për separatistët përmes kufirit, tha ministri i Brendshëm Arsen Avakov të enjten në Kiev.

Prej ditësh kryesisht blogerat ukrainas informojnë se nga Rusia po lëvizin në brendësi të Ukrainës kolona të vogla kamionësh ushtarake me qindra luftëtarë, me tonelata armësh zjarri por edhe me topa dhe tankistë. Kjo është e mundur pasi kufiriri ka një vrimë të madhe. "Për fat të keq qeveria ukrainase ka humbur kontrollin mbi 184 kilometra nga gjithsej 2200 kilometra vijë kufitare me Rusinë", pranoi në një intervistë në gazetë një zyrtar i lartë i kufirit në Ukrainë. Ajo pjesë kufiri si dhe kalimet kufitare në të kontrollohen nga separatistët.

Moska zyrtare hesht përballë akuzave nga Kievi. Në fillim të qershorit Presidenti i Rusisë Vladimir Putin në një intervistë për televizionin francez pati hedhur poshtë madje çdo lloj ndërhyrjeje në lindje të Ukrainës. "Nuk ka trupa ruse në juglindje të Ukrainës", deklaroi shefi i Kremlinit.

Taktikë e ndryshme nga ajo në Krime dhe Gjeorgji

Disa vëzhgues në Ukrainë shohin në incidentin me tanket një kthesë dramatike në konfliktin e përgjakshëm. "Kremlini po tregon fytyrën e tij të vërtetë", shkruan blogeri popullor nga Kievi dhe eksperti ushtarak Dmytro Tymtshuk në rrjetin social Facebook. Ky është një invazion i hapur nga Rusia, thekson ai.

"Ukraina dhe Rusia praktikisht janë në luftë", tha Mykola Sunhurovski nga qendra Rasumkov në Kiev në një bisedë me Deutsche Welle. "Nga Rusia vijnë si drejtuesit në krye të separatistëve në Ukrainë ashtu edhe mercenarët", thotë eksperti.

Ndërkaq Moska ndjek një tjetër taktikë nga ajo në shkurt dhe mars 2014 gjatë aneksimi të gadishullit ukrainas Krime apo në luftën në Gjeorgji në 2008. Në vend të kolonave të gjata me tanke dhe kamionë, tani depërtojnë përmes kufirit grupe të veçanta të cilët shpërndahen në pjesë të ndryshme të vendit. Kjo e bën të vështirë të flitet për një invazion të hapur, mendon Sunhurovski.

Nga Rusia nuk vijnë "trupa paqësore"

Alexander Golz: Rusia synon të destabilizojë maksimalisht Ukrainën
Alexander Golz: Rusia synon të destabilizojë maksimalisht UkrainënFotografi: DW

Edhe eksperti ushtarak moskovit Alexander Golz nuk sheh aktualisht një invazion rus në lindje të Ukrainës. "Përmasat e ngjarjeve flasin kundër kësaj", tha gazetari për Deutsche Welle-n. "Duket më shumë si një operacion i fshehtë klasik". Për një "invazion" mund të flitet vetëm atëherë kur angazhohen jo vetëm këshilltarë të veçantë ushtarakë dhe tanke por edhe njësi të tëra ushtarake, si në Krime. "Rusia ka hequr dorë nga planet e një invazioni dhe synon të destabilizojë maksimalisht Ukrainën", beson Golz. Shkak janë burimet e pamjaftueshme të ushtrisë ruse si dhe kërcënime perëndimore për sanksione.

Ndërkaq separatistët në lindjet ë Ukrianës prej javësh i bën thirrje Moskës të dërgojë tanke, armatime të rënda dhe madje "trupa paqeruajtëse". Por edhe vetë në Rusi zërat për një hyrje me trupa në Ukrainë po bëhen gjithnjë e më të lartë. "Ne nuk besojmë se ka ardhur momenti për këtë", tha të enjten ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov. Por Rusia që tani ofron "ndihmë humanitare" për njerëzit në lindje të Ukrainës. Meqenëse Kievi e refuzon atë, jemi të detyruar të bashkëpunojmë me "qytetarët që vetëmbrohen", tha Lavrov.

Në diskutim shkalla e tretë e sanksioneve

Me tanke ruse në tokë ukrainase do të ishin mbushur kushtet për shkallën e tretë dhe të fundit të sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë. BE dhe SHBA në pranverë patën kërcënuar se do të vendosnin sanksione ekonomike kundër sipërmarrjeve ruse, nëse Rusia hyn me trupa në lindje të Ukrainës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen u shpreh i shqetësuar pas njoftimeve për armë dhe madje tanke nga Rusia: "Nëse këto njoftime do të konfirmohen do të kishim të bënim me një një shkallëzim serioz të krizës në Lindje të Ukrainës." Në formë të ngjashme reagoi ndaj njoftimeve edhe qeveria gjermane: "Nëse kjo konfirmohet do të kishim një zhvillim të rëndë dhe shumë shqetësues", tha zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert të premten (13.6.) në Berlin.

Ministria e Jashtme ukrainase sjell në diskutim sanksione të tjera. "Nëse Rusia nuk ndihmon në shtensionimin e situatës në lindje të Ukrainës, do të na duhet t'i lutemi bashkësisë ndërkombëtare për sanksione të reja", tha ministri i Jashtëm Andrij Deshytsja. Moska duhet të ndalojë kalimin përmes kufirit të përbashkët të tankeve, kamionëve ushtarakë dhe mercenarëve, tha ministri.