1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia dhe SHBA duan të vazhdojnë dialogun

21 Janar 2022

Pozicionet e SHBA dhe Rusisë në krizën ukrainase nuk kanë ndryshuar. Por ministrat e Jashtëm Blinken dhe Lavrov siguruan, pas takimit të tyre në Gjenevë se të dyja palët po përpiqeshin për dialog.

https://p.dw.com/p/45uuW
Blinken und Lawrow, Ukraine Gespräche in Genf
Fotografi: Pavel Bednyakov/Sputnik/picture alliance/dpa

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov tha se Rusia pret javën e ardhshme një përgjigje me shkrim nga SHBA për kërkesat ruse. Këtë Lavrovi e deklaroi pas një takimi me ministrin e Jashtëm të SHBA Antony Blinken në Gjenevë.

Lavrovi tha se kishin rënë dakord "që deri javën e ardhshme të paraqiten përgjigje me shkrim për propozimet tona". Me propozimet ruse ai kishte parasysh katalogun e gjerë të kërkesave ruse drejtuar Uashingtonit dhe aleatëve të tij. Pas kësaj do të ketë bisedime të tjera në nivelin e ministrave të Jashtëm.

Ministri i Jashtëm rus u ankua për një "histeri antiruse" të Perëndimit në konfliktin e Ukrainës. Rusia nuk ka plane sulmi për Ukrainën, tha ai. Vendi i tij nuk e ka kërcënuar kurrë popullin ukrainas. Por tha se Rusia nuk mund të pranojë që NATO-ja e konsideron këtë vend si zonën e saj të ndikimit.

Blinken und Lawrow, Ukraine Gespräche in Genf
Fotografi: Sergei Bobylev/TASS/picture alliance/dpa

Takimi me Blinkenin ishte "i hapur dhe i dobishëm", tha Lavrovi. Blinkeni i pati kërkuar që ta shtensiononte gjendjen. Të dyja palët qenë të të njëjtit mendim për nevojën e një "dialogu të arsyeshëm". Ai shpreson tani që gjërat do të qetësohen. Presidenti Vladimir Putin ishte gjithnjë i gatshëm të vihet në kontakt me presidentin e SHBA, Joe Biden. Megjithatë, çdo kontakt midis dy kryetarëve të shtetit duhet të jetë i përgatitur mirë.

Blinkeni paralajmëron përsëri për invazionin

Edhe Blinkeni tha se takimi ishte i dobishëm dhe i hapur. Diskutimi kishte qenë shkëmbim mendimesh, por jo negociata. Të dyja palët tashmë e kuptojnë më mirë pozicionin e njëra-tjetrës. Ai pajtohet me Lavrovin se procesi diplomatik duhet të vazhdojë.

Sekretari amerikan i Shtetit e paralajmëroi sërish me këmbëngulje Rusinë që të mos ndërhyjë me trupa në Ukrainë. "Përcolla qëndrimin e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve dhe partnerëve tanë evropianë se ne qëndrojmë fort me Ukrainën dhe mbështesim sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”, tha ai.

Hoteli President Wilson në Gjenevë, ku u zhvillua takimi
Hoteli President Wilson në Gjenevë, ku u zhvillua takimiFotografi: Sergei Bobylev/TASS/picture alliance/dpa

"Ne e kemi bërë të qartë se nëse forcat ruse lëvizin përtej kufirit të Ukrainës, ky do të ishte një invazion tjetër. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët dhe aleatët tanë do të përgjigjeshin shpejt, me vendosmëri dhe me forcat të bashkuara".

Takimi përfundoi më herët se pritej

Blinkeni dhe Lavrovi e përfunduan bisedën e tyre për krizën e konfliktit në Ukrainë pas rreth një ore e gjysmë, përpara afatit. Dy krerët e diplomacisë u përshëndetën me njëri-tjetrin duke shtrënguar duart.

Përpjekjet për shtensionim kanë vazhduar që nga java e kaluar, por deri tani nuk kanë arritur të japin rezultate të prekshme. Të dyja vendet akuzojnë e njëra-tjetrën për provokim. Shtetet e Bashkuara e shohin përqendrimin e trupave ruse si përgatitje për një pushtim të vendit fqinj. Rusia e hedh poshtë këtë ide dhe kërkon ndër të tjera të hiqet dorë nga një zgjerim i ri i NATO-s drejt lindjes.

aud (tgsch, dlf)