Rusia dhe BE-ja nënshkruan marrëveshjen e vizave | Politika | DW | 26.05.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Rusia dhe BE-ja nënshkruan marrëveshjen e vizave

Bisedime pa kritika - kështu mund të thuhet në përfundim të takimit të nivelit të lartë mes BE-së dhe Rusisë, të zhvilluar në Soçi. Temë qendrore e takimit ishin çështjet e marrëveshjeve për energjinë.

Harmoni në Soçi

Harmoni në Soçi

Ajo që të binte në sy ishte se sa shpesh e theksuan përfaqësuesit e Rusisë dhe të BE-së se bisedimet kishin qenë një dialog i hapur dhe thelbësor, konstruktiv dhe efikas, sikur mes Rusisë dhe BE-së të mos ketë asnjë lloj diference. Po një gjë e tillë është rutinë diplomatike në deklaratat që bëhen pas takimesh të tilla.

Megjithatë i vetmi përfundim konkret i bisedimeve ishte nënshkrimi i marrëveshjes së vizave me të cilën lehtësohet marrja e vizave për studentët, shkencëtarët, biznesmenët, artistët apo sportistët rusë që dëshirojnë në udhëtojnë për në vendet e BE-së.

Në diskutimet për çështjet e marrëveshjeve për energjinë të dyja palët theksuan se mund t'i besojnë njera-tjetrës dhe se janë të varura prej njëra-tjetrës. Në njërën anë një klient i madh që paguan mirë, BE-ja, nga ana tjetër një prodhues i besuar i naftës dhe i gazit, Rusia. Dikush mendon se në këtë pikë është arritur një konsens, sepse kemi të bëjmë me një marrëveshje thjesht tregtare, por po të gjykosh nga deklaratat e politikanëve rusë pas takimit, gjërat duken ndryshe.

Presidenti rus Vladimir Putin tha: "Në marrëveshjet ndërkombëtare, kur është fjala për interesat vetiake, dhe aq më tepër në sektorin e ekonomisë, gjithkush vepron sipas parimit një herë vetja, pastaj të tjerët. Megjithatë Rusia është dhe mbetet një partner i besuar për kolegët tanë evropianë. Ne i kemi zgjeruar mundësitë tona në sektorin e energjitikës dhe do ta bëjmë këtë edhe në të ardhmen. Me burimet tona do t'u drejtohemi tregjeve botërore."

Kurse komisarja e BE-së për politikën e jashtme, Benitta Ferrero-Waldner deklaroi: "Për ne ky nuk është kërcënim, sepse për ne është e vetkuptueshme që do të veprojnë rregullat e tregut. Kjo do të thotë se Rusia ka natyrisht të drejtën e saj për ta shitur naftën dhe gazin edhe në Kinë apo vende të tjera. Por kjo do të thotë se edhe ne kemi natyrisht të drejtën për t'i ndryshuar burimet tona."

Rusia kërkon që në rast se hap tregun e saj për firmat evropiane të gazit dhe të naftës dhe koncernet energjitike, koncerni shtetëror rus Gazprom të ketë të drejtë të depertojë në tregun evropian deri tek ofrimi i drejtëpërdrejtë i shërbimeve për konsumatorët.

Bisedimet u zhvilluan në një atmosferë të këndshme. Kritika si ato që bëri së fundi zëvendëspresidenti amerikan Dick Cheneny janë të huaja për palën evropiane. Transparenca dhe reciprociteti janë sipas BE-së parimet themelore të dialogut për energjinë, paçka se edhe pas këtij takimi, të 17-tit në radhë, dhe 40 grupeve të punës që do të pasojnë, Rusia vazhdon të këmbëngulë tek rregullat e veta të lojës.

Sigurimi i burimeve të energjisë së bashku me çështjet e mbrojtjes së ambientit, të zhvillimeve të mëtejshme në fushën e energjisë bërthamore, apo problemi me Iranin bëjnë pjesë në marrëdhëniet dypalëshe. Për këtë si Rusia dhe BE-ja do të diskutojnë për rizgjatjen e marrëveshjes së partneritetit, e cila do të ketë për të dyja palët fuqi detyruese.


  • Data 26.05.2006
  • Autor Horst Kläuser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqpr
  • Data 26.05.2006
  • Autor Horst Kläuser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqpr