Rusia dërgon avionë ushtarakë në Venezuelë | Bota | DW | 25.03.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Rusia dërgon avionë ushtarakë në Venezuelë

Rusia ka rezultuar si aleate besnike e Presidentit në detyrë Nicolas Maduro. Dy avionë me pajisje ushtarake dhe me trupa bëhet e ditur se janë ulur në Caracas.

Dy avionë të ngarkuar me ushtarë rusë dhe me pajisje ushtarake u ulën në Venezuelë në fundjavë. Furnizimi është në vazhdën e bashkëpunimit midis dy kombeve.

Ajo që dimë deri tani: 

Dy avionë të aviacionit luftarak rus u ulën në Caracas të shtunën, sipas të dhënave të trafikut ajror.

Një avion pasagjerësh Ilyushin IL-62 dhe një avion transporti mallrash Antonov AN-124 fluturuan nga Moska në Siri.

Avionët transportuan 100 ushtarë, Vasily Tonkoshkurov, shefin e stafit të forcave tokësore dhe 35 tonë pajisje, sipas gazetarit lokal të pavarur Javier Mayorca.

Agjencia ruse e lajmeve Sputnik tha se avionët sollën pajisje dhe personel për të plotësuar kontratat teknike ushtarake.

Një zyrtar venezuelian tha se ushtarakët rusë po bënin një vizitë për të diskutuar trajnimin e pajisjeve dhe mirëmbajtjen e tyre, si edhe strategjinë.

Avioni i transportit të mallrave u largua nga Venezuela të dielën.

Aleat kyç: Presidenti në detyrë i Venezuelës, Nicolas Maduro beson se SHBA po përpiqet të rrëzojë qeverinë e tij me mjete ushtarake dhe të vendosë në pushtet udhëheqësin e opozitës Juan Guaido. Rusia ka rezultuar si një aleate besnike e Maduros në përpjekjen e tij për të qëndruar në pushtet.

Furnizime të mëparshme: Rusia ka dërguar tashmë dy bombardues strategjikë TU-160 për të mbështetur Maduron. Para tri muajsh, këto dy kombe mbajtën manovra ushtarake në Venezuelë, të cilat u kritikuan nga Uashingtoni si ndërhyrje ruse në rajon.

Qëndron në pushtet: Presidenti në detyrë Maduro ka refuzuar të dorëhiqet, megjithëse një numër i madh vendesh i kanë kërkuar ta bëjë këtë. Në janar Guaido e deklaroi veten President të përkohshëm, dhe tha se zgjedhjet e vitit 2018 qenë manipuluar.