1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Rrugë nga kriza nga këndvështrimi i shoqërive civile" - Dialogu gjermano-rus i Petersburgut

15 Korrik 2009

Për herë të nëntë po zhvillohet Dialogu i Petersburgut - që prej ditës së martë (14.7), rreth 200 pjesëmarrës nga Rusia dhe Gjermania do të marrin pjesë në forumin e bisedimeve në Mynih.

https://p.dw.com/p/IpVm
Logo e Dialogut të Petersburgut në MynihFotografi: DW

Vërtet që tema qendrore është "rrugë nga kriza nga pikëpamja e shoqërive civile"- por në tetë grupet e punës nuk do të bëhet fjalë vetëm për kapërcimin e krizës së përbotshme financiare.

Medvedjev: "Nuk kemi nevojë për konfrontim"

Kështu në grupin e punës Politika trajtohet propozimi i presidentit rus Medvedjev për një arkitekturë të re sigurie në botë. Në të kaluarën, për shkak të avancimit gjithnjë e më shumë në Lindje të zgjerimit të NATO-s, Medvedjevi ka kërkuar disa herë një koncept të ri sigurie. Afrimi i aleancës ushtarake perëndimore tek kufijtë e Federatës Ruse është sipas tij një kërcënim për sigurinë e Rusisë: "Ne nuk kemi absolutisht nevojë për konfrontim. Zhvillimi me sukses i Rusisë është i mundur vetëm me kushtin e marrëdhënieve ndërkombëtare transparente dhe me të drejta të barabarta. Këtu ne shohim garancinë për stabilitet në botë."

Konstelacione të reja pa aleanca ushtarake

Moska është për një konstelacion të ri pa aleanca ushtarake, të cilat mund të vënë në pozita të disfavorshme vende të tjera. Te BE, propozimi i Medvedjevit hasi në një masë të gjerë në skepticizëm. Në takimin e OSBE-së, në fund të korrikut, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Javier Solana deklaroi se strukturat bazë të NATO-s dhe të BE-së nuk duhet të minohen. Kjo paraqet lëndë të mjaftueshme për diskutime të gjalla në Dialogun e Petersburgut. Nën titullin thuajse poetik "shtëpia evropiane nga Atlantiku në Vladivostok" pjesëmarrësit kanë vendosur t'i kushtohen kësaj teme në Mynih.

OJQ-të do të hasen në të ardhmen me më pak problemi nga shteti rus

Medwedew mit Angela Merkel
Kancelarja gjermane Merkel dhe presidenti rus MedvedjevFotografi: picture-alliance/ dpa

Në qendër të interesit të Grupit të Punës Shoqëria Civile është nga ana tjetër një çështje e rëndësishme e politikës së brendshme: me cilat pengesa dhe kufizime u duhet të luftojnë organizatave të shoqërisë civile në Rusi. Aktualisht në Rusi po përpunohet ligji ekzistues për OJQ-të. Medvedjevi u shpreh pas një takimi me grupe të të drejtave të njeriut në pranverë papritur pro ndryshimeve ligjore, të cilat synojnë ta lehtësojnë punën e organizatave joqeveritare.

"Kjo luan një rol të madh, kushtet kuadër për zhvillimin e organizatave shoqërore përmirësohen. Pengesat, të cilat janë ngritur vitet e fundit nga shteti eleminohen. Ne kemi tani parakushtet që t'i organizojmë në mënyrë të frytshme dhe efektive marrëdhëniet tona", e komenton Ela Pamfilova, kryetarja e Këshillit të Shoqërisë Civile dhe të Drejtave të Njeriut zhvillimin më të fundit. Megjithatë, pikërisht në aspektin financiar duhet të pasojnë hapa të tjerë të qeverisë ruse, tha ajo.

Konsultimet qeveritare gjermano-ruse do të zhvillohen të enjten (16.7.) në Kështjellën Shlajshajm (Schleißheim) pranë Mynihut. Kancelarja Merkel do të konsultohet atëherë me presidentin rus Medvedjev sërish për çështje të klimës, luftimin e krizës financiare dhe për Iranin, u bë e ditur paraprakisht.

Autorë: Stefan Laack/ Auron Dodi

Redaktoi: Sonila Harasani