1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rruga e mundimshme dhe e suksesshme e piktorit Alfred Dade

26 Tetor 2010

Piktori shqiptar Alfred Dade është bërë shumë i njohur për artdashësit gjermanë, veçanërisht për ata të landit të Renanisë Veriore-Vetsfalisë. Ai ka hapur shumë ekspozita personale me punime në vaj dhe skulptura në dru.

https://p.dw.com/p/Plrp
Afred DadeFotografi: DW

"Piktori Alfred Dade në pozicionin e tij artistik lëviz ndërmjet anës figurative ekpresive dhe formës abstrakte. Gjetja e ngjyrës së ngrohtë dhe mënyra specifike e përdorimit është vendosur, në një farë kuptimi, nëpërmjet një akcenti dhe penelate të fortë që shkon mbi kufijtë e kontrasteve të mundshme duke luajtur me ngjyrën dhe formën", kështu e përshkruan Dr. Gabriele Uelsber, kritike dhe studjuese e artit, artistin shqiptar, që është bërë i njohur në publikun gjerman me disa ekspozita personale të punimeve të tij si piktor dhe skulptor.

Kush është Alfred Dade?

Albanischer Künstler Alfred Dade
Afred DadeFotografi: DW

I lindur në Përmet, artisti Dade zbulon qysh në shkollën tetëvjeçare talentin e tij për të vizatuar dhe pikturuar. Dhe këtë talent ai do ta shpalosë më pas në Tiranë në shkollën e mesme artistike Jordan Misja. Me ëndrrën për tu bërë piktor ai konkuron në Akademinë e Lartë të Arteve në Tiranë për të vazhduar studimet në këtë degë, por nuk arrin të fitojë.

I zhgënjyer si shumë e shumë të rinj të tjerë, të cilët kishin pak shpresa për një jetë më të mirë në Shqipëri, merr edhe Alfredi rrugën e mërgimit. Në Romë të Italisë në vitin 1993-1996 ai studjon në Akademinë e Arteve „Academia die Belle Arti“, por kjo nuk ishte e lehtë.

"Ishte vërtet vështirë, sepse duhej edhe të punoja. Ishin fillimet e mërgimit. Por kjo situatë më mësoi që të mos tërhiqesha nga vështirësitë, nga rruga që ëndrroja", shpjegon ai.

Papritur fati i piktorit që sapo kishte nisur rrugën e karierës zhvendoset në Gjermani, pasi njihet me një vajzë gjermane me të cilët sot kanë së bashku dy fëmijë në qytetin Mylheim an der Ruhr.

Bashkë me dashurinë Fredi mori me vete dëshirën e madhe për t'u specializar edhe më tej në gjininë e pikturës këtu në Gjermani. Ai arrin të vazhdojë studimet në Akadeninë e Arteve në Dyseldorf tek prof. dr. Markus Lüpertz ku edhe diplomohet. Piktori Dade e quan fat të studjosh në këtë akademi sepse sipas tij me këtë eksperiencë të hapen edhe rrugët e karierës.

"Pasi konkurova u pranova në Akademinë e arteve në Dyseldorf. Një Akademi që është ndër më të mirat në Evropë dhe ndoshta në botë. Sigurisht kjo Akademi as që mund të krahasohet me atë të Romës, sepse ajo ka mbetur një akademi tradicionale, klasike. Mendoj se përvoja në këtë Akademi gjermane më ka dhënë shanse për të ecur shumë në karierën time si piktor dhe skulptor, në realizimin e jetës time artistike, duke punuar si artist i lirë", thotë ai.

Studjon dhe punon

Kafja në Malkanstr.Dyseldorf, Punim në vaj Alfred Dade
Kafja në Malkanstr.Dyseldorf, Punim në vaj Alfred DadeFotografi: Alfred Dade

Krahas studimeve ai nuk e ndërpret punën me penelin e tij. Në qytetin ku banon merr pjesë në ekspozitën e përbashkët në "Muzeun Alet Post”, e më pas në Oberhauzen, në Dyseldorf, Karlsruhe e kështu me rradhë. Punimi në vaj por edhe skulptura në dru e bëjnë tërheqës për publikun artdashës gjerman. Këtë e tregon edhe numri mbi 10 ekspozita të tij personale dhe disa të përbëshkëta. .Tematika që gjejmë në pikturën e A. Dade ka një lidhje të ngushtë me biografinë e tij, me jetën e tij personale, të brezit të tij nga e kaluara. Aktualiteti dhe tema e ditës si dhe egzistenca njerëzore e lidhin pikturën e tij me traditën e ekspresionizmit gjerman.

"Në punimet e mia paraqitet më së shumti njeriu, njeriu me zhvillimet e veta, me komplekset, me dashurinë, me vështirësitë, pra me të gjitha komplekset jetësore. Mundohem që këtë ta përpunoj nga ana abstrakte dhe klasike njëkohësisht. Në punimet e mia gjen pasqyrim jeta që unë kam kaluar, veçanërisht që nga rrëzimi i murit të Berlinit që lidhet me ndryshimet në jetën time artistike, por edhe të gjithë shqiptarëve. Kam parasysh këtu për shembull pikturën në vaj që kam bërë "Mrekullia e Berlinit". pohon ai.#c#
Kjo vepër artistike tregon tre punime në të njëjtën format ku çdo punim ka skenën dhe pavarsinë e vet. Vepra ka lidhje me rëzimin e Murit te Berlinit dhe bashkimin e Gjermanisë. Në këtë aspekt të tre pikturat prezantohen krejt të pavarura nga njëra tjetra, në mënyrë të vetëdijshme me gjuhën e tij artistike shprehese ku ka shkëputje, por edhe një lidhje në mënyrën se si është përdorur dhe vendosur ngjyra.

Kafja në Malkanstr.Dyseldorf, Punim në vaj Alfred Dade
Kafja në Malkanstr.Dyseldorf, Punim në vaj Alfred DadeFotografi: Alfred Dade

Pas gjithë kësaj eksperience artisti Dade vazhdon të punojë si piktor i lirë dhe të hapë me sukses ekspozitat e tij personale në Gjermani. Por ai për asnjë moment nuk e harron Tiranën dhe kolegët e tij atje. Këtë e ka treguar edhe me iniciativën e tij për realizimin para një viti të "Javës kulturore shqiptare" në Dyseldorf.

Kazino, Pikturë në vaj e Alfred Dades
Kazino, punim në vaj nga Alfred DadeFotografi: Alfred Dade

Ekspozitat e përbashkëta me artistë shqiptarë dhe gjermanë kanë qenë të mirëpritura si në Gjermani ashtu dhe në Shqipëri. Ai është krenar për nivelin e piktorëve shqiptarë, sepse tashmë është arritur një gjuhë bashkëpunimi dhe shëkmbimi eksperience mes artistëve.

"Arti ka një gjuhë internacionale, pse të mos jetë e pranishme edhe këtu në Düsseldorf apo diku tjetër", thotë ai.

Sot Dade është i kënaqur sepse siç thotë ai për DW: "Kur kthej kokën prapa dhe shoh rrugën që kam ndjekur, mund të them me plot gojën se jam i kënaqur. Por ka ende punë për të bërë..."

Autor: Mimoza Cika - Kelmendi

Redaktoi: Bahri Cani