1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rritje e numrit të të vdekurve nga përdorimi i drogës në Gjermani

Esat Ahmeti6 Maj 2008

Sipas një raporti të publikuar dje në Berlin vitin e kaluar vdiqën 1394 vetë si pasojë e konsumimit të drogave ilegale, pothuajse 8% më shumë sesa një vit më parë. Ky raport është qendër të përditshmeve gjermane.

https://p.dw.com/p/DuJE
Një grua konsumon kokainëFotografi: AP

'Braunschweiger Zeitung' komenton: "Numri i përdoruesve të drogwrave tek të rinjtë ka shënuar rritje. Sipas të dhënave spitalore numri i të rinjve në mes të moshës 10 deri në 20 vjeç të trajtuar si pasojë e përdorimit të tepruar të alkoolit është dyfishuar. A është e mundur dhe a duhet që kjo gjë të orientohet, të rregullohet apo të ndalohet? Sido që të jetë ndalimi i përdorimit të duhanit në vende publike dëshmon se diçka mund të ndërmerret në këtë drejtim. Edhe ekonomia do të duhej t'i nënshtrohej një vetëkontrolli më të rreptë të reklamave të alkoholit. Ndalimet janë rruga e fundit. Por megjithatë ato nuk janë zgjidhje përfundimtare", thuhet ndër të tjera në 'Braunschweiger Zeitung'.

'Dresdener Neuesten Nachrichten':

"Edhe njëherë zilet e alarmit ranë fuqishëm, kësaj rradhe për numrin në rritje të rasteve të përdorimit të alkoholit tek të rinjtë. Ata që me indinjatë tregojnë me gisht të rinjtë që pinë deri sa të bien në koma dhe kërkojnë me zë të lartë ndalimin e tij kjo çështje ju duket e thjeshtë. Në Gjermani ka kohë që alkoholi është kthyer në drogën të përditshme më të rrezikshme. Dhjetë milionë njerëz pijnë më tepër sesa mund të mbajnë, 40 000 vdesin çdo vit si pasojë e mbidozës. Në këtë mënyrë prindërit duhet të jenë ata, të cilët duhet të jenë më të kujdesshëm dhe të bëhen shembull për fëmijët e tyre", shkruan në numrin e sotëm gazeta 'Dresdener Neuesten Nachrichten'.

Ngjashëm mendon edhe komentatori i gazetës 'Allgemeine Zeitung' e cila botohet në Mainz. Në të lexojmë:

"Përse kaq shumë njerëz kanë nevojë të përdorin drogën për të përballuar ato që sjell jeta? Jo vetëm pse presioni në shoqëri është shtuar dukshëm. Të rinjtë i turren masivisht shishes së alkoholit për shkak se shpesh në familjet e tyre kanë nga kush të marrin shembull. Të jesh Cool është gjithçka dhe kjo shpesh do të thotë pirje e alkoholit pa fund. A ka një rrugëdalje? Po! Të gjithë duhet të bëjmë përpjekje që në shoqëri të transmetohet mesazhi se të pirit nuk është cool", nënvizon gazeta 'Allgemeine Zeitung'.