Rritje e dhunës së djathtë ekstreme | Gjermania | DW | 12.02.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Rritje e dhunës së djathtë ekstreme

Frikë prej arritjes së numrit më të lartë të veprave penale

Pamje nga një demonstratë e ekstremistëve të djathtë në Berlin

Pamje nga një demonstratë e ekstremistëve të djathtë në Berlin

Ekstremizmi i djathtë përbën problem, pa diskutim. Dhe në njëfarë mënyre përmasat e tij mund të përcaktohen në Gjermani - nëpërmjet numrit të veprave penale me motive ekstremiste të djathta dhe ksenofobe. Për 2006-ën u publikuan tani shifrat e para.

Është vetëm një shifër paraprake - megjithatë ajo duhet të shqetësojë dhe të të bëjë të mendohesh: 12.238 vepra penale ekstremiste të djathta dhe ksenofobe u numëruan vitin e kaluar në Gjermani. Ndër to më shumë se 700 ishin vepra dhune dhe rreth 8.700 të ashtuquajtura "vepra propagande".

Të paktën kjo rezulton prej të dhënave të zyrave kriminalistike të landeve gjermane, të publikuara të mërkurën e kaluar nga ministria e punëve të brendshme. Atje ekziston frika, "se ka pasur një rritje në krahasim me vitin e mëparshëm", siç e formuloi një zëdhënëse.

Saktësisht kjo do të dihet vetëm në muajin maj, sepse deri atëherë janë ende të mundura lajmërimet me vonesë. Kjo merr parasysh përvojën, se kategorizimi mund të ndryshojë dukshëm nën dritën e hetimeve apo të proceseve penale. Megjithatë shifra ka të ngjarë të jetë një nga më të lartat ndër vitet e fundit.

Prof. Wilhelm Heitmeyer, sociolog në Universitetin e Bielefeldit, sheh për këtë shumë arsye. Ai përmend për shembull zhvillimet rajonale, por thotë gjithashtu se:

"Një aspekt i dytë i rëndësishëm është që lloje të caktuara qëndrimi në popull, kur këto shihen si normalem kontribuojnë në inkurajimin e grupeve të organizuara dhe të shoqënive. Prandaj duhet paralajmëruar të mos shkëputen veprimet dhe veprat e dhunshme nga klima në shoqëri. Edhe atmosfera në popull mund të shërbejë si formë legjitimimi."

Një fushë speciale problematike Heitmeyer e sheh në Gjermaninë Lindore. Atje ndjehet, sipas tij, efekti i problemeve ekonomike. Por, thotë, ka edhe "lidhje midis qëndrimeve autoritare dhe zhvlerësimit të të huajve." Sipas këtij shpjegimi klima politike në Republikën Demokratike Gjermane ka krijuar një atmosferë shoqërore speciale.

Në kërkim të strategjive kundër ekstremizmit të djathtë vështrimet drejtohen nga shteti, por jo vetëm nga ai. Kështu Petra Pau, zëvendëskryetare e fraksionit të majtë në parlamentin gjerman, kërkon "përçmimin shoqëror të ekstremizmit të djathtë". Dhe kryetarja e të gjelbërve Claudia Roth kërkon "vënien në dispozicion të më shumë parave në luftën kundër të djathtës ekstreme."

Prof. Heitmeyer pozicionohet në këtë mënyrë:

Nga njëra anë shteti duhet të punojë edhe me represionin, do të thotë me policinë dhe drejtësinë. Por nga ana tjetër duhet vënë vazhdimidht në dukje, se represioni prodhon gjithnjë edhe novacion. Grupet ekstremiste të djathta krijojnë struktura të vetat private. Kësisoj mundësitë e ndërhyrjes së shtetit pakësohen. Pra nuk bëhet fjalë vetëm për shtet dhe politikë. Për gjendjen e kësaj shoqërie janë përgjegjëse edhe institcione të tjera qendrore."

  • Data 12.02.2007
  • Autor Heinz Dylong
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqxa
  • Data 12.02.2007
  • Autor Heinz Dylong
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqxa