1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rreziqe të shumta nga minat në Kosovë

4 Prill 2009

Vetëm 60 % e teritorit të Kosovës është pastruar prej minave. Zonat më të rrezikuara janë në kufirin Kosovë - Shqipëri dhe Kosovë-Maqedoni. Që nga përfundimi i luftës nga minat kanë humbur jetën 113 persona.

https://p.dw.com/p/HQ5T
Minat, kujdes!Fotografi: picture-alliance / dpa

"Kujdes, minat vrasin!" Është kjo motoja në fushatën sensibilizuese për rrezikun nga minat që qytetarët e Kosovës i përcjellë tash e dhjetë vjet, që nga përfundimi i luftës. Të angazhuar për çminimin e zonave të minuara kanë qenë kryesisht pjestarët e TMK-së. Tani procesi do të vazhdohet nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Zyrtarët e saj thonë se rreziku nga minat në Kosovë akoma është i madh, sepse llogaritet që vetëm 60 % e teritorit të Kosovës të jetë pastruar nga minat. Koloneli Skender Hoxha, nga regjimenti i mbrojtjes civile në Forcën e Sigurisë, shpjegon: “Konkretisht bëhet fjalë për brezin kufitar Kosovë-Shqipëri dhe Kosovë Maqedoni të minuara nga forcat serbe. Ka edhe rajone brenda Kosovës, në të cilat ka akoma bomba të hedhura nga aeroplanët e NATO-os, gjatë bombardimeve të objketivave serbe. Deri tani kemi arritur t'i pastrojmë rreth 6 milion metra katrorë të fushave të minuara, por një pjesë e madhe akoma mbetet zonë e minuar.”

Koloneli, Hoxha, thotë se viktimat nga minat fatkeqësisht kanë qenë të shumta, sidomos në përiudhën e pasluftës. Mosha që më shumti ka rënë viktimë e minave janë fëmijët dhe të rinjtë, të cilat gjatë lojës së tyre kana rënë në mina. Ata kanë qenë viktima të bombave të NATO-os edhe të minave dhe mjeteve të pashpërthyera të luftës, të vendosura nga ushtria serbe. Që nga viti 1999, 113 persona kanë humbur jetën nga minat dhe 437 janë lënduar. Numri i përgjithshëm i viktimave nga minat në Kosovë është 550 persona.

Administrata e Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se në Kosovë janë sulmuar nga NATO-ja rreth 1300 objektiva të forcave serbe. Gjatë këtyre sulmeve janë hedhur edhe mina dispersive, që ende paraqesin rrezik për banorët. Janë poashtu edhe 620 vende të minuara nga ushtria serbe. Këto të dhëna kanë konfirmuar NATO-ja dhe autoritet e Serbisë. Sipas UNMIK-ut, ushtria serbe nuk ka dhënë të gjitha informatat për zonat e minuara nga njësitet paramilitare, të cilat kanë vepruar jashtë sistemit të ushtrisë. Sidoqoftë, puna rreth çminimit të zonave në Kosovë akoma nuk ka përfunduar. Në këtë vit çminimi do të nisë në shtator nga pjestarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Forca e re ka në radhët e veta pjestarë të rinj dhe ata duhet të kryejnë trajnime të nevojshme për çminimin, të cilat do të bëhën nga njësitet e NATO-os.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Bahri Cani