1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rreziku i një atentati terrorist në Mbretërinë e Bashkuar vazhdon të jetë i madh

Ralf Borchard14 Gusht 2006

Forcat britanike të sigurisë kanë parandaluar prej atentateve të Londrës në 7 korrik 2005, katër komplote terroriste. Këtë e bëri të ditur në Londër ministri i brendshëm, Xhon Reid. Të gjitha komplotet do të kishin pasur si pasojë vrasjen e shumë njerëzve

https://p.dw.com/p/Aqom
Policia britanike shmangu rrezikun e një akti terrorist
Policia britanike shmangu rrezikun e një akti terroristFotografi: AP

Sipas fjalëve të ministrit të brendshëm, Xhon Reid, është shumë e mundur që në Britaninë e Madhe të ndërmerren përpjekje të reja për atentate:

"Më duhet të them me sinqeritet, se mund të ketë persona të tjerë të dyshimtë në liri. Kjo do të thotë se rreziku i një atentati terrorist në Mbretërinë e Bashkuar vazhdon të jetë shumë i madh."

Në përputhje me këtë, për të gjithë vendin do të ruhet edhe më tej shkalla më e lartë e paralajmërimit për sulme terroriste, tha Reid, i cili ditët e shkuara është bërë figura qendrore e qeverisë laburiste. Kryeministri Toni Bler vazhdon të jetë me pushime në Karibik. Zëvendësi i Blairit, Xhon Preskot, thuajse nuk shfaqet.

Reid nuk deshi të shprehej për hollësitë e atentateve të penguara me avionë, për të mos turbulluar hetimet në vazhdim. Por ai nuk kundërshtoi as informacionin, se terroristët parashikonin të rrëzonin deri 10 avionë me lëndë shpërthyese të lëngshme rrugës për në SHBA. Reid deklaroi më tej:

"Autoritetet britanike kanë penguar të paktën katër atentate me pasoja potenciale të rënda, që prej 7 korrikut 2005."

Ai kundërshtoi me vrull kritikën e myslimanëve britanikë, se politika e jashtme e vendit nxit ekstremizmin. Përfaqësues të shquar të bashkësisë myslimane në Britaninë e Madhe e akuzuan qeverinë në një letër të hapur, se përmes luftës së Irakut dhe refuzimit për t'i kërkuar Izraelit armëpushim të menjëhershëm në konfliktin e Libanit, e rriti rrezikun ekstremist. Reid e quajti këtë një vlerësim të gabuar për të ardhur keq.

"Asnjë qeveri nuk do të kishte mundësi të qëndronte në post, asnjë qeveri nuk do të mbështetej prej qytetarëve të saj, nëse do të lejonte që politika e saj të diktohet nga terroristët."

Në aeroportet britanike, situata ka mbetur kaotike. Kjo megjithë premtimet për ta normalizuar qarkullimin ajror në fundjavë.

Si këtu në Londër Heathrow para sporteleve me kontrollet e sigurisë u krijuan rreshta të gjata njerëzish. Shumë pasagjerëve iu desh të konstatonin pas shumë orëve pritjeje se avionët e tyre patën fluturuar pa ata. Dhe një e treta e fluturimeve gjithsesi u anullua.

Politikanë të opozitës kërkuan angazhimin e ushtrisë për të përshpejtuar kontrollet në aeroporte. Ministria e transportit e refuzoi këtë propozim si të pazbatueshëm.