1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rrezik real nga islamistët

19 Maj 2009

Gjermania është në shënjestër të drejtpërdrejtë të grupeve terroriste. Kjo del në pah nga raporti vjetor i Zyrës Federale për mbrojtjen e Kushtetutës.

https://p.dw.com/p/HtYv
Ministri i Brendshëm Gjerman Schäuble dhe presidenti i Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës, Heinz Fromm paraqesin raportin vjetor
Ministri i Brendshëm Gjerman Schäuble dhe presidenti i Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës, Heinz Fromm paraqesin raportin vjetorFotografi: AP

Rreziku më i madh vjen nga ekstremistët islamistë

Videoja e Osama bin Ladenit, ku edhe Gjermania kërcënohet me sulme terroriste, duket se është dëshmia më e fundit e konkluzionit të raportit vjetor të Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës: Rreziku më i madh vjen nga ekstremistët islamistë. "Para së gjithash, angazhimi ynë në Afganistan është halë në sy për islamistët, dhe sipas tyre ai e justifikon luftën kundër Gjermanisë," - tha ministri gjerman i punëve të brendshme Wolfgang Schäuble të martën (19.05.) para gazetarëve në Berlin.

Rreziku nga islamistët vjen kryesisht nga ata që kanë lidhje të drejtpërdrejta personale me Gjermaninë, një numër i madh i tyre janë gjermanë të konvertuar. "Islamistët që janë rritur në Gjermani shkollohen ndërkohë nëpër kampet e terrorizmit në Pakistan. Kampe të tilla kanë për qëllim të brumosin identitetin dhe pjesëmarrësit në to, janë pjesë e strukturave terroriste dhe të predestinuar për të mbështetur aktivitete terroriste në vendet e tyre. Prandaj edhe këto kampe përbëjnë një rrezik real për sigurinë e Gjermanisë", - tha ministri gjerman. Qeveria gjermane tashmë ka aprovuar një ligj, që mundëson ndjekjen penale të pjesëmarrësve në kampe të tilla. Së shpejti ai pritet të miratohet edhe nga parlamenti dhe Këshilli Federal.

Rrezik edhe nga ekstremistët e djathtë

Rrezik vazhdon të përbëjë edhe ekstremizmi i djathtë. Megjithëse numri i anëtarëve të Partisë Nacionale të Gjermanisë (NPD) ka pësuar një rënie të lehtë, numri i neonazistëve, edhe brenda radhëve të NPD-së, është rritur. Schauble u shpreh i rezervuar për ndalimin e organizatës. "Jam kundër ndalimit pasi mungojnë dëshmitë solide," - tha ministri.

Petra Pau nga partia "E majtë", në një intervistë me redaksinë qendrore të DW-së e kundërshton këtë tezë: "Vetëm po të hiqen spiunët e vënë nga federata e landet, atëherë do të bëhet e qartë se çfarë mund të presësh nga NPD-ja. Kjo do të bënte të mundur hapjen sërish të procedurës për ndalimin. Kjo do të thotë se zoti Schäuble po e pengon vetë këtë proces."

Përpjekja e parë për ndalimin e partisë djathtiste, në vitin 2003, dështoi pasi shumica e dëshmive vinin nga vetë spiunët që Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës kishte vënë brenda partisë.

Shefi i Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës, Heinz Fromm theksoi se dhuna në radhët e ekstremistëve të djathtë ka pësuar një ndryshim cilësor me krijimin e një grupi autonomësh nacionalistë, të cilët, ngjashëm si autonomët majtistë, provokojnë dhunë në çdo demonstratë. Numri i autonomëve të djathtë, sipas Frommit mendohet të jetë 400 deri në 500.

Edhe dhuna në radhët ekstremistëve majtistë është rritur në krahasim me një vit më parë. Por Schäuble theksoi se shumica e popullsisë në Gjermani nëpër anketime tregon pjekuri demokratike, dhe këtë nuk e ka ndryshuar as kriza aktuale ekonomike.

Autor: Anila Shuka/ Berlin

Redaktoi: Auron Dodi