1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

281111 Kosmische Strahlung

10 Dhjetor 2011

Komisioni i OKB-së mbi Klimën bën thirrje që të digjet më pak lëndë karbonike fosile, përndryshe bota do të kërcënohet nga ngrohja globale dhe katastrofa klimaterike. “Nuk është e vërtetë!“ thonë disa shkencëtarë.

https://p.dw.com/p/13QJE
Observator solar në Lindenberg
Observator solar në LindenbergFotografi: AP

Para së gjithash janë dielli dhe rrezatimi kozmik i yjeve që shpërthejnë në galaktikën tonë ato që ndikojnë mbi klimën e Tokës. Për këtë janë të bindur ata shkencëtarë që dyshojnë në tezën se rritja e përqindjes së dyoksidit të karbonit në atmosferë është shkaku kryesor i ngrohjes globale. Megjithatë bashkëvarësitë janë komplekse: Dielli është i mbështjellë me një heliosferë, një fushë gjigante elektromagnetike kjo, e cila e mbron tokën nga rrezatimet kozmike, thotë Jan Veizer, gjeokimist nga Universiteti i Ottawas:
"Kur aktiviteti diellor është i madh, heliosfera mban më shumë rrezatim kozmik larg Tokës. Por kur aktiviteti diellor është i ulët, jo vetëm që në Tokë është më ftohtë, por bie edhe mbrojtja nga rrezatimet kozmike.“

Në hyrje të atmosferës rrezet kozmike prodhojnë disa izotope karboni dhe beriliumi të cilat hulumtuesit mund t‘i matin nëpër bërthamat sedimentare ose rrathët e pemëve. Në këtë mënyrë ata mund të rindërtojnë intensitetin diellor në mijëvjeçarë. Ngjashëm mund të studiohet përqendrimi i CO2-shit në atmosferë nëpërmjet bërthamave të fituara nga shpimet nëpër akullnaja.

E këto të dhëna Veizeri i ka krahasuar me zhvillimin e vërtetë të temperaturës së 10 000 vjetëve më të fundit. Ai ka mundur të dëshmojë qartë një bashkëvarësi të drejtpërdrejtë ndërmjet aktivitetit diellor dhe temperaturës. Në të kundërt, dyoksidi i karbonit në atmosferën e epokës para-industriale ka qenë vazhdimisht në nivel të ulët. Një bashkëvarësi shkakësore ndërmjet përqendrimit të CO2-shit dhe ndryshimeve dramatike klimatike të këtij mijëvjeçari nuk ka mundur të dëshmohet.

Shumë më i rëndësishëm se CO2-shi për klimën globale është avullimi i ujit dhe krijimi i reve. Avulli është gazi më i rëndësishëm i efektit serrë në atmosferën e Tokës dhe ka një ndikim shumë të fortë mbi klimën.

Një urë lidhëse ndërmjet rrezatimeve kozmike dhe avullit të ujit kanë mundur ta ngrenë hulumtuesit e Qendrës për Kërkime Diellore dhe Klimaterike pranë Qendrës Daneze për Hapësirën. Ata kanë mundur të vërtetojnë se rrezatimet kozmike kanë ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin e reve. Duket se efekti jonizues i rrezatimit kozmik përbën impulsin vendimtar, thotë fizikani Henrik Svensmark: "Ekziston një lidhje ndërmjet rrezeve kozmike dhe klimës. Sa herë që ne kemi parë ndryshime te rrezet kozmike, kemi vënë re edhe ndryshime klimaterike”.

Prandaj Svensmarku është përpjekur të rindërtojë proceset molekulare që shpjegojnë këtë vrojtim. Ideja e tij: Jonet e dala nga rrezet kozmike krijojnë mbi oqean grimca aerosol më të vogla, të cilat e përforcojnë krijimin e reve.

"Kur hyjnë më shumë rreze kozmike ato prodhojnë më shumë aerosolë të tillë, krijohen më shumë nuklide për kondensimin e reve. Kjo i ndryshon vetitë e reve: Ka më shumë pikla resh, kjo do të thotë se retë duken më të gjera. Piklat janë më të vogla dhe ka më pak reshje. Kjo bën që retë të mbajnë më gjatë.”

Këtë tezë Svensmarku është përpjekur ta vërtetojë në eksperimente të ndryshme laboratorike. Për këtë ai ka jonizuar një përzierje gazrash atmosferike me rreze gama. Ai e ka përforcuar madje efektin edhe më shumë duke i shtuar atij dritë ultraviolet. Eksperimenti ka dalë me sukses edhe në një përshpejtues grimcash në Aarhus ku dhomat nuk qenë goditur me rreze gama por me elektroda. "Një përfundim është pra që nuk luan rol në se përdor për jonizimin grimca apo rreze gama”.

Një projekt tjetër studimor me emrin CLOUD i Organizatës Evropiane për Kërkime Bërthamore CERN i ka konfirmuar gjatë këtij viti tezat e Svensmarkut. Këto procese fizike mund të maten edhe në atmosferën reale. Svensmarku për këtë ndoqi zhvillimin e intensitetit të rrezeve kozmike mbas një shpërthimi të madh në sipërfaqen e Diellit. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje rrezet kozmike ranë me 15 për qind. Kjo përkon me ndryshimet përgjatë një cikli diellor. Pak ditë mbas shpërthimit matjet satelitore regjistruan një ulje të qartë të shtresës së reve në mbarë botën. Kjo zhvendosje kohore shpjegohet me kohën që nevojitet derisa aerosolat më të vogla të kthehen në re të mëdha e të mirëfillta.

Autor: Fabian Schmidt/ Vilma- Filaj Ballvora

Profesor Henrik Svensmark
Profesor Henrik SvensmarkFotografi: DW
Professor Jan Veizer
Profesor Jan VeizerFotografi: DW
Central solar në Marok
Central solar në MarokFotografi: ONE
Centrale qymyri
Centrale qymyriFotografi: picture-alliance/dpa

Redaktoi: Aida Cama