Rreth një e pesta e gjermanëve pro rindërtimit të murit të Berlinit | Gjermania | DW | 14.09.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Rreth një e pesta e gjermanëve pro rindërtimit të murit të Berlinit

Ribashkimi i Gjermanisë ishte një rast fatlum i historisë. Ky është mendimi i shumicës, por sipas pyetsorëve të fundit rreth një e pesta e gjermanëve dëshirojnë sërish ndarjen e vendit.

Ah mur, mur, sa i mirë që ishe!!??

Ah mur, mur, sa i mirë që ishe!!??

Para 15 vjetësh e gjithë bota pa në televizor dhe gazeta pamjet e gjermanëve që gëzonin për rënien e murit të Berlit. Gjermanët nga Lindja dhe Perëndimi përqafonin njëri-tjetrin duke brohoritur. Edhe pse kjo ditë nuk është tepër larg, sot një ndër pesë gjermanë janë të mendimit se do të ishte mirë sikur përmes Berlinit dhe Gjermanisë të ringrihej sërish muri dhe telat me gjemba.

Çfarë ka ndodhur që brohorimat ua kanë lënë vendin sharjeve, gëzimi dhe hareja janë zëvendësuar prej përbuzjes, gatishmëria për të ndihmuar prej dezintersimit. Duket se mes gjermanëve ndodh si me pjesëtarët e një familjeje të madhe. Kur kanë kohë pa u parë, gëzimi që takohen me njëri-tjetrin është tepër i madh. Por pas ca ditësh fillojnë t'u ngrihen nervat. Këndvështrimet e ndryshme apo shpresat e tepruara e prishin harmoninë. Vështrimi bëhet edhe më kritik, dhe gjykimi për tjetrin edhe më i ashpër. Shkurt, sa mirë do të ishte sikur kushërinjtë të hiqeshin sa me shpejt qafe.

Një situatë e ngjashme ka ndodhur në marrëdhëniet mes gjermanëve. Gjermano-lindorët u çliruan prej dikaturës komuniste në sajë të kurajos civile dhe duke përfituar prej qëndrimit të tërhequr të pushtuesve sovjetikë. Perëndimi i pa me admirim këto zhvillime dhe i përdori ato për të realizuar bashkimin paqësor të Gjermanisë. Të dyja palët i dhuruan njëra-tjetrës dhurata të bollshme. Perëndimi i dha Lindjes para të shumta, gjermano-lindorët i shpërblyen politikanët e atëheshëm që ishin në pushtet me vota.

Por pas kësaj filloi faza e distancimit të vazhdueshëm. Koncernet perëndimore futën në dorë ato çfarë kishin mbetur prej ekonomisë së vjetëruar të ish-RDGj-së. Por këtë e bënë jo për t'i rinovuar dhe modernizuar që t'u përgjigjeshin kërkesave aktuale, por thjesht për të hequr qafe konkurrencën. Po ashtu pati shumë gjermano-perëndimorë që duke shfrytëzuar mungesën e përvojës së gjermano-lindorëve në lidhje me ekonominë e tregut i mashtruan këta të fundit p.sh. përmes firmave të tipit piramidal, sigurimeve etj. Nga ana tjetër gjermano-lindorët po presin më kot për "fushat me lule" sikurse ua kishte premtuar ish-kancelari. Në këtë mënyrë lindën karikaturat e gjermano-perëndimorit arrogant, që i di të gjitha gjërat më mirë dhe e gjermano-lindorit përjetësisht të pakënaqur.

Miliarda të tëra u transferuan nga Perëndimi në Lindje për të rinovuar infrastrukturën dhe restaurimin e qyteteve të ish-Gjermanisë lindore. U hapën shumë vende pune, por jo për të gjithë. Në disa zona të Gjermanisë lindore të rinjtë dhe ata që kishin ambicie u zhvendosën për në Gjermaninë perëndimore, duke lënë pas të vjetrit dhe flegamatikët. Vetëm pak vetë në Lindje e patën të qartë se edhe mirëqënia e arritur në Perëndim të Gjermanisë nuk ishte krijuar sa hap e mbyll sytë, por është rrjedhojë e një punë të vështirë shumëvjeçare.

Tradita e demonstratave të së hënave që është ringjallur në landet lindore të Gjermanisë përmban një ndryshim. Para 15 vjetësh njerëzit dolën rrugëve për të protestuar për reforma dhe për shembjen e sistemit të vjetër. Sot ata po protestojnë kundër reformave vërtet të hidhura por të domosdoshme. Asokohe njerëzit protestonin kundër Partisë së Bashkuar Socialiste Gjermane, sot ata po ndjekin thirrjet ndjellëse të pasueses së kësaj partie Partisë së Socializimit Demokratik.

Në këtë kontekst nuk çuditesh më që 21% e gjermanëve dëshiron që muri i Berlinit të rindërtohet sërish. Në radhët e gjermano-perëdimorëve, të cilin bashkimin gjerman e reduktojnë thjesht në një problem financiar, numri i përkrahësve të idesë së rindërtimit të murit është 24%. Po a duan vërtet 12% e gjermanëve që të rrethohen sërish me mur dhe të heqin dorë prej pushimeve në plazhet në jug të Evropës? Një mazohisëm i tillë të çudit. Megjithatë të ngushëllon ideja që shumica dërmuese e gjermanëve është e kënaqur dhe mirënjohëse për rënien e murit dhe për mundësinë e bashkimit paqësor të vendit të tyre.

  • Data 14.09.2004
  • Autor Wolter von Thiesenhausen
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar5n
  • Data 14.09.2004
  • Autor Wolter von Thiesenhausen
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar5n