1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Romët kundër refugjatëve: Drama bullgare

Tatjana Vaksberg
23 Tetor 2016

Prania e refugjatëve në Bullgari ndez konflikte sociale. Romët ngrihen kundër refugjatëve, edhe pa përvoja negative.

https://p.dw.com/p/2RYIR
Bulgarien Harmanli an der bulgarisch-türkischen Grenze Flüchtlinge
Fotografi: DW/T. Vaksberg

"Roje kufitare të BE-së? Në Bullgari?” E pamundur!” Ivani nuk e beson dot. Lajmi se që nga 6 tetori policë të Agjencisë Europiane për Mbrojtjen e Kufijve dhe Bregdetit ndodhen në kufirin bullgar-turk nuk ka mbërritur ende tek ai. Shitësi i fruta-perimeve shet në tregun e Harmanlisë, një qytet i vogël me 18.000 banorë, 30 kilometra larg kufirit turk, ku ka edhe një kamp refugjatësh. "Për refugjatët më vjen keq, ata mashtrohen,” psherëtin ai. Ata rrezikojnë jetën për të përfunduar në fund të fundit në Bullgari, ku kushtet janë të tmerrshme dhe policët brutalë.

Duket se në Harmanli askush nuk e di se 130 policë të Frontex-it kanë filluar nga puna në kufirin bullgaro-turk. Ndërkohë që rojet kufitare vazhdojnë punën pa rënë në sy, refugjatët janë në qendër të vëmendjes. Ajo që i shqetëson më shumë banorët: "Pse ka kaq shumë policë dhe xhandarmëri në qytet?” Me gjasë ata duan të na "mbrojnë nga refugjatët”, thonë banorët, por në të vërtetë uniformat shqetësojnë qytetarët. "Brenda një jave m'i kanë kontrolluar dokumentet tre herë”, ankohet një magazinier që ka jetuar në këtë qytet që nga lindja.

Bulgarien Flüchtling in Harmanli
Refugjat në HarmanliFotografi: BGNES

Romët kundër refugjatëve

Shpjegimi i tij: Për policinë romët janë të gjithë të dyshuar. Shumë qytetarë të tjerë si ai me ngjyrë në Harmanli të pyetur në kafene, në dyqane apo në park rrëfejnë të njëjtën përvojë: "Ç'duan policët këtu? Këndej lëvizin vetëm romë, jo refugjatë. Pse na bezdisin neve?”, thotë një grua rome që e jep po vetë përgjigjen: Ose policët nuk dinë të bëjnë dallimin mes një refugjati dhe romëve, ose duan të frikësojnë qëllimisht romët.

Aksioni masiv policor filloi para pak javësh, pas një përleshjeje në një kamp refugjatësh, rrëfejnë banorët në një lagje turqishtfolëse rome në Harmanli. Duhen nxjerrë jashtë refugjatët, thotë një rom, ”ata janë rritur me thikë në xhep”, "janë njerëz të rrezikshëm”. Ndërsa një burrë tjetër thekson se nuk ka frikë, por është i zemëruar që gruaja e tij nuk del më sapo bie errësira.

Por nga se kanë frikë konkretisht? Përgjigja humbet në një rrëmujë zërash, të gjithë flasin të nervozuar: Refugjatët janë vetëm djem të rinj, ata lëvizin në grup, gjuha e tyre është e pakuptueshme, ata "ua ngulin sytë keq grave”.

Martini, një nxënës turko-gjerman u kundërpërgjigjet: "po deri më tani nuk ka ndodhur asgjë, apo jo?” Martini është rast i veçantë në këtë lagje, ai ka zënë miqësi me një djalë sirian. Nëna ishte fillimisht kundër, por më në fund e pranoi miqësinë e re. Siriani, që ndërkohë ndodhet në Gjermani, i drejtohej gjithmonë "Anne”- Nënë”- në turqisht.

"Vetëm frikë, jo urrejtje"

Megjithatë atmosfera kundrejt refugjatëve nuk është agresive. "Njerëzit kanë frikë, por nuk kanë urrejtje kundër refugjatëve”, thotë kamerierja Iveta Lazarova. Shumë mendojnë se në refugjatëve kamp u duhet ndaluar lëvizja në darkë, në mënyrë që femrat në Harmanli të ndjehen të sigurta, thotë ajo. Kamerierja nuk e di se ndërkohë kjo ndalesë është realitet. "Shumë gra ankohen, se refugjatët i shohin me paturpësi. Por këta njerëz nuk janë mësuar të shohin femra në T-shirts dhe pa shami koke. Mua nuk më ka parë kush kështu, ndoshta sepse edhe unë nuk ua ngul sytë.”

Bulgarien Harmanli an der bulgarisch-türkischen Grenze Iveta Lazarova
Iveta LazarovaFotografi: DW/T. Vaksberg

Sipas kamerieres problemi qëndron tek përgjithësimi i refugjatëve.  "Por ata thjesht nuk kanë nivel”, është i mendimit, Mitko, i ulur në buzë të trotuarit, fytyra e të cilit mezi dallohet nga një kapuç i zi. "Refugjatët nuk janë të edukuar”, thotë ai, "ata qëndrojnë në buzë trotuaresh, me kapuçët në kokë”: Nuk kalon as një çast që Mitkos i bëhet qartë, se ky përshkrim në fakt prek edhe atë vetë: Ai hedh cigaren dhe heq kapuçin. Duket që është vënë në siklet, megjithatë i shpëton një buzëqeshje.