1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

050310 USA Irak

7 Mars 2010

Zgjedhjet parlamentare në Irak (7.3.) dhe periudha pas tyre vendosin edhe për të ardhmen e vendit: A ka përmirësim të gjendjes, apo po kthehen konfliktet e dhunshme etnike? Këto çështje ndiqen me interes të madh në SHBA.

https://p.dw.com/p/MMGR
Një grua irakiane duke votuar në Bagdad, 7 mars 2010Fotografi: AP

Mbi 6000 kandidatë, afro 19 milionë zgjedhës të regjistruar, më shumë se 50.000 lokale zgjedhore, zgjedhjet parlamentare në Irak këtë të dielë (7.3.) nuk janë vetëm një arritje e shkëlqyer logjistike për këtë vend. Votimi dhe periudha pas tij vendosin edhe për të ardhmen e vendit. A ka për të ecur vendi përpara në rrugën e demokracisë, apo do të kthehet në konfliktet e dhunshme etnike si pas zgjedhjeve të fundit të vitit 2005? Këto pyetje po ndiqen me interes të madh edhe në SHBA. Fundja edhe presidenti i SHBA-së Obama ka premtuar se do t'i tërheqë trupat amerikane deri në fund të 2011.

Irak Anschläge Wahltag 2010 Bagdad
Sulme në ditën e zgjedhjeve në IrakFotografi: AP

Atentatet e fundit vetëvrasëse me dhjetëra të vdekur kanë treguar në mënyrë më se të qartë se gjendja e sigurisë në Irak nuk është e qëndrueshme. Kjo është një situatë e rrezikshme, thotë Stephen Biddle, ekspert për mbrojtjen në Council on Foreign Relations.

"Por unë nuk besoj se gjendja është e pashpresë. Edhe pse ka disa që besojnë, se është e paevitueshme që Iraku të bjerë në gjendje gati lufte si në vitet 2005 dhe 2006. Kaq pesimist unë nuk jam. Por gabon ai që mendon, si disa në qeverinë amerikane, se problemi i Irakut është zgjidhur dhe se është shumë e pamundur, që të shpërthejë dhuna. Unë besoj se ne jemi në një gjendje shumë të rrezikshme, përsa i përket sigurisë dhe të mundshme janë të dyja drejtimet", pohon ai.

Dr. Stephen Biddle
Dr. Stephen Biddle, ekspert për mbrojtjen në Council on Foreign RelationsFotografi: Stephen Biddle

Meqenëse rezultatet e votimeve do të dalin pas disa ditësh, dhe krijimi i qeverisë ka të ngjarë që të zgjasë disa muaj, dita e zgjedhjeve është vetëm një ngjarje ndër disa të tjera. Vendimtare gjithsesi është zhvillimi i rregullt i zgjedhjeve dhe që irakianët t'i përjetojnë votimet të lira dhe të ndershme.

"Nqs se gjërat shkojnë keq dhe nëse sunitët besojnë, se ka pasur fallsifikime dhe korrupsion dhe nëse interesat e tyre janë në rrezik, atëherë situata mund të ndryshojë", thekson ai.

Irak Truppen Tikrit
Paradë e forcave irakiane të sigurisë në Tikrit, Irak, korrik, 2009.Fotografi: AP

Ambasadori amerikan Hill optimist për zgjedhjet

Ambasadori amerikan në Irak, Christopher Hill, shpreh besim duke thënë, se është i bindur, që zgjedhjet në Irak do të jenë të lira dhe të ndeshme. Qëllimi i SHBA-së në periudhë afatgjatë thotë amabasadori është: "Që Iraku të hyjë në bashkësinë ndërkombëtare dhe të kujdeset, që ky shtet i ri demokratik të marrë vendin, që i takon në skenën ndërkombëtare."

Dhe këtu është e rëndësishme, thekson ambasadori amerikan në Bagdad, që edhe vende të tjera të zgjerojnë marrëdhëniet ekonomike me Irakun dhe jo atëherë, kur të jetë kryer krijimi i qeverisë.

"Është shumë e rëndësishme, që ne të gjithë të punojmë me qeverinë provizore dhe të garantojmë zhvillimin. Ekonomia irakiane ka qenë shumë e dobët në të kaluarën, janë shumë gjëra të prapambetura, që duhen arritur", pohon Hill, duke shtuar se ka shenja, që ekonomia po pëson rritje.

US-Außenministerin Clinton und Verteidigungsminister Gates
Ministrja e Jashtme, Hillary Clinton dhe ministri i Mbrojtjes, Robert GatesFotografi: AP

Por para ndihmës ekonomike, sidomos për amerikanët, vjen mbështetja ushtarake. Presidenti Obama ka deklaruar se trupat luftuese amerikane duhet të tërhiqen deri në gusht të këtij viti. 50.000 ushtarët, që do të mbeten do të kryejnë vetëm përgatitjen e forcave ushtarake. Kjo është marrëveshja zyrtare. Dhe sipas planeve ambicioze të Obamës në fund të vitit 2011 nuk do të ketë asnjë ushtar amerikan më në Irak.

Por sipas marrëveshjes së deritanishme ndërmjet SHBA-së dhe Irakut zgjedhjet duhet të zhvilloheshin në janar. Kështu që tani ka kërkesa për ngadalësimin e tërheqjes e trupave amerikane, për të mos rrezikuar sigurinë. Ministri amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, nuk do të dijë për to.

"Përpara se të rekomandonim një gjë të tillë, gjendja në Irak duhej të përkeqësohej shumë. Në moment nuk është kështu."

Autor: Christina Bergmann/Angjelina Verbica

Redaktoi: Bahri Cani