1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Roli i policisë në zgjedhje

29 Maj 2009

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi, thotë për DW se me mbështetjen dhe të organizmave të huaja përfundoi në mes të javës procesi i trajnimit të policisë për respektimin e kodit elektoral.

https://p.dw.com/p/Hzxl
Kontroll policor në TiranëFotografi: DW/Cama

Në qendrën e formimit policor në Ministrinë e Brendshme ka përfunduar të enjten (28 maj 2009) procesi i trajnimit të rreth 5 mijë policëvë të gradave dhe niveleve të ndryshme, që priten të angazhohen për votimet parlamentare. Ende nuk ka një vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, se sa qëndra votimi do të jenë funksionale në 28 qershor. Gjithësesi drejtuesit e policisë së shtetit kanë përzgjedhur një trupë të posaçme, që do të jetë në gatishmëri për të ruajtur rendin dhe qetësinë pranë zonave zgjedhore në ndihmë të qytetarëve dhe komsioneve të votimit për çdo rast, që do të paraqitet.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi, thotë për DW se për secilin punonjës policie është shpërndarë edhe një manual i përgatitur në përputhje me kërkesat ,që ka kodi i ri elektoral i miratuar në parlament.

"Trajnimi është realizuar nën asistencën e OSBE-së, misionit policor europian PAMECA, dhe të projektit amerikan ICITAP. Mund të them se kemi patur një vlerësim maksimal, një pjesëmarrje 100 për 100 të efektivave gjatë gjithë procesit. Është shoqëruar me një debat për çdo detaj, që mund të lindi nga aktiviteti në ditën e zgjedhjeve, apo më gjerë. Nga misionet e huaja dhe nga drejtues të policisë së shtetit janë vëzhguar ecuritë e trajnimit në çdo qark të vendit, cilësia, niveli i njohurive të marra etj".

Sipas Premçit nga rezultatet konkrete të disa proceseve zgjedhore të fundit policia është çertifikuar nga organizmat ndërkombëtare me një rol pozitiv në to. Kjo sipas tij është një traditë, që duhet konsoliduar e përmirësuar në të ardhmen.

Ndërkohë edhe një grup organizatash joqeveritare, që punojnë në fushën e të drejtave të njeriut, do të monitorojnë rolin dhe performancën e policisë gjatë fushatës elektorale, që ka nisur sot zyrtarisht dhe deri sa të shpallen rezultatet e votimeve.

Kozara Kati, është drejtuese e Qëndrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut. Kjo shoqatë joqeveritare ka një eksperiencë të gjatë në të kaluarën në realizmin e projekteve trajnuese për punonjësit e policisë së shtetit në periudhat elektorale.

Kati thotë për DW se gjatë fushatës elektorale, por dhe ditën e votimit ose në kohën, kur bëhët procesi i numërimit të votave e nxjerrja e rezultateteve, punonjësit e policisë duhet të tregojnë profesionalizëm dhe bindje vetëm ndaj ligjit. Kjo ka në bazë respektimin e ushtrimit të së drejtës së qytetarit për të votuar një e drejtë, që i garantohet dhe me kushtetutë.

"Kjo duhet të garantohet në një mënyrë të tillë, që qytetari të mos ketë presione, apo tensione, të mos ketë diskriminim, apo intolerancë në momentin, kur ai jep votën e tij për të ofruar atë, që ai beson dhe mendon në programin, ku ai ndjehet më afër. Gjithashtu është e rëndësishme, që policia të ketë një qëndrim të paanshëm, ku partia politike a koalicioni, që është në pushtet të mos e përdorë atë në funksion të interesave të veta për të mbajtur pushtetin".

Kozara Kati thotë për DW se një grup shoqatash joqeveritare, që punojnë në fushën e të drejtave të njeriut do të monitorojnë rolin dhe performancën e policisë së shtetit gjatë procesit zgjedhor, në fushatën elektorale, në ditën e votimit dhe në procesin e numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultateve përfundimtare.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica