1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Media

"Ripolonizohen" me shpejtësi mediat rajonale në Poloni

Magdalena Gwozdz-Pallokat
15 Maj 2021

Me emërimin e kryeredaktorëve të rinj, qeveria e Polonisë po zgjeron influencën e saj tek gazetat më të mëdha ditore rajonale si edhe tek mjaft revista rajonale të pavarura dhe portale online.

https://p.dw.com/p/3szL3
Polen Tageszeitung "Dziennik Zachodni"
Fotografi: Magdalena Gwozdz-Pallokat/DW

Krzysztof Karwat punoi një kohë të gjatë për gazetën ditore polake "Dziennik Zachodni", pa të vinin e të iknin një sërë kryeministrash e  kryeredaktorësh, por tani ai nuk do të jetë në lëkurën e kolegëve gazetarë të ish-gazetës së tij. "Situata e tyre është fatale. Më vjen keq për ta", thotë ai në bisedë me DW.

Gazeta, të cilën Karwat e kujton me nostalgji, është një nga tre gazetat rajonale polake, të cilat që nga fundi i marsit kanë një kryeredaktor të ri. Karwat thotë, se ai nuk është i habitur nga këto zhvillime, pasi nuk u besonte betimeve, që nuk do të ketë ndryshime personeli. "Vetëm se nuk e besoja, se kjo do të bëhej kaq shpejt", thotë gazetari.

Pas kryedaktorit të "Dziennik Zachodni" duhet të kërkojnë një punë të re edhe kolegët e tij të "Gazeta Krakowska" dhe "Nowiny". Gazetat tani janë pjesë e grupit mediatik Polska Press, që në fund të vitit 2020 u ble nga koncerni i naftës PKN Orlen, që kontrollohet nga shteti. Pronari i mëparshëm, grupi botues gjerman, Passau i shiti të gjitha aksionet. Kjo blerje prek 20 nga 24 gazetat rajonale dhe 120 revistat rajonale javore dhe 500 portale online. "Falë transaksionit ne kemi tani qasje tek 17,4 milionë përdorues", tha Daniel Obajtek, kreu i Orlen, dhe bashkudhëtar për një kohë të gjatë i Jaroslaw Kaczynskit, kryetarit të partisë polake qeverisëse, PiS, Ligj dhe Drejtësi.

Krzysztof Karwat | polnischer Publizist
Publicisti Krzysztof KarwatFotografi: Arkadiusz Lawrywianiec

Gazpromi i PiS

Opozita reagoi me kritika. Ish-ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski tha për agjencinë e lajmeve, PAP se PiS "e bën Orlen-in si Gazpromin e saj". Ky gjigand i gazit luan një rol qendror në blerjen dhe kthimin në vend të mediave kritike në Rusi. Zëdhënësi i qeverisë polake, Piotr Müller përkundrazi nuk sheh asnjë rrezik për lirinë e shtypit. "Ky është vendimi i brendshëm i një sipërmarrjeje". Blerje të tilla janë normale kudo. "Në fund të fundit edhe në SHBA Amazon ka blerë Washington Post."

Në shkurt Zyra e Karteleve në Poloni dha lejen. Por vetëm një muaj më vonë Avokati i Popullit për të Drejtat e Njeriut dhe ato Qytetare, Adam Bodnar arriti me vendim gjykate të ndërprese blerjen. Vendimi i menjëhershëm parashikon që pronari i ri deri në vendimin përfundimtar të gjykatës të mos krijojë fakte. Por Orlen nuk e merr parasysh këtë. Kreu i koncernit, Obajtek tha për radion katolike "Radio Maryja",  nuk mund të ndalësh atë që është realizuar. Ky vendim nuk është "relevant".

Kaczynski: "Mediat në Poloni duhet të jenë polake"

Në të vërtetë "vendimi i brendshëm" i Orlen ka një histori paraprake tërësisht politike. Prej kohësh PiS kritikon: grupime të huaja mediatike kanë "shumë ndikim" në Poloni, sipas saj, dhe se duhet një "ripolonizim" i kësaj dege. "Mediat në Poloni duhet të jenë polake", ka thënë kreu i partisë, Kaczynski. Blerjen e Polska Press ai e quajti "një lajm të mirë prej kohësh".

Ish-kryeredaktori i gazetës "Dziennik Zachodni", Marek Twarog e kritikoi këtë retorikë. Ai tha për portalin "Onet" se është "skandaloze" dhe "primitive" që politikanët më të rëndësishëm ndajnë mediat në "gjermane" dhe "polake". "Ne jemi gazetarë polakë dhe drejtimi i Polska Press është po ashtu polak."

Jaroslaw Kaczynski PiS Partei­vorsitzender
Kreu i PiS, Jaroslaw KaczynskiFotografi: W. Radwanski/AFP/Getty Images

Nuk ka "telekomandim" nga Gjermania

Edhe ish-gazetari i gazetës "Dziennik Zachodni", Karwat i hedh poshtë akuzat, që gazetat e Polska Press janë telekomanduar nga Gjermania. "Nuk kam pasur kurrë debate për përmbajtje. Ka pasur sigurisht një linjë redaksionale, që rridhte nga një logjikë normale njerëzore, por asnjëherë nuk ka qenë ashtu që u influencuan përmbajtjet politike, apo që Passau na thoshte, se çfarë duhet publikuar." Gazetari nuk e njeh personalisht kryeredaktorin e ri, Grezegorz Gajda. Vetëm di se ai vjen nga dega lokale e Katovicës të televizionit të afërt me qeverinë, TVP, është aktiv në mediat e kishës dhe nuk ka imazh negativ. Por kjo nuk do të thotë asgjë në Poloninë e sotme "Nëse të parashtrohet një program qeveritar dhe të rinjtë nuk e ndjekin, ata ndërrohen shpejt. Këtë e tregojnë disa shembuj si shumë drejtuese e drejtues të galerive apo muzeve."

Zëvendësministrja për Zhvillimin, Anna Kornecka përpiqet të zbusë tonet, kur thotë se është "shumë e natyrshme" që të ndërrohen postet e kryeredaktorëve. "Shikoni situatën në Europë, aty ndodh shpesh që gazetat janë në pronësi të koncerneve, firmave shtetërore apo qeverive. Nuk do ta shikoja këtë si kërcënim të pavarësisë gazetareske", shprehet Kornecska në një bisedë me Beata Tadla, një moderatore e njohur polake. Ajo u lirua nga detyra në vitin 2016 nga televizioni publik TVP, pak pas ardhjes në pushtet të PiS. Moderatorja thotë në bisedë me DW, se në bisedën me Korneckan i duhej të mendonte për Hungarinë. "Të gjithë e dinë se si u bë marrja e TVP nga qeveritarët e tanishëm. Tek Polska Press do të ndodhë e njëjtja gjë." Tadla nuk ka dyshim, se këto gazeta do të bëhen të varura nga qeveria. Tani bëhet fjalë për shpejtësi, sepse së shpejti mund të ketë zgjedhje të reja. Edhe gazetari Karwat është i habitur nga shpejtësia e transformimit të gazetës së tij. "Mendoja se me ndryshimin do pritej deri në verë." Në vend të kësaj kryeredaktori i ri u prezantua që të premten (30.04) në një videokonferencë për redaksinë. Sipas raportimeve ai theksoi se e vlerëson shumë "shpirtin e ekipit".