Rinia evropiane dëshiron të thotë fjalën e saj | Evropa | DW | 06.05.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Rinia evropiane dëshiron të thotë fjalën e saj

Zgjedhjet për Parlamentin e BE po afrojnë. Një studim aktual i fondacionit TUI mbi të rinjtë tregon se të rinjtë duan një Evropë më të fortë. Temat më të rëndësishme për ta janë azili, migracioni dhe ambienti.

Ata e kanë në zemër Evropën, por jo përfaqësuesit e tyre politikë. Vetëm një ndër dy evropianë të moshës 16 deri 26 vjeҫ mendon se zgjedhjet evropiane janë me të vërtetë të rëndësishme, madje vetëm një ndër pesë të anketuar ndjehet me të vërtetë i përfaqësuar nga Parlamenti Evropian. Kjo del nga studimi për të rinjtë i fondacionit TUI për vitin 2019.

Nuk është për t‘u habitur, pasi mosha mesatare në Parlamentin e BE është 56 vjeҫ. Parlamentari më i ri në Bruksel është një bullgar 30 vjeҫar. Në një të tretën e shteteve të BE duhet të jesh së paku 21 vjeҫ, që të mund të kandidosh, në Itali dhe Greqi madje 25 vjeҫ.

Megjithatë të rinjtë ndjehen të lidhur më fort se kurrë me Evropën dhe duan ta thonë më shumë fjalën e tyre. Sidomos për temat, që janë të rëndësishme për ta. "Brezi Europa kërkon të dëgjohet dhe të shprehet. Ky është mesazhi i studimit të sivjetshëm nga të rinjtë, për të gjithë ata, që mbajnë përgjegjësi politike", thotë Elke Hlawatschek, drejtore ekzekutive e fondacionit TUI.

Megjithëse tema e "azilit dhe e migracionit" cilësohen si problemet më të rëndësishme aktuale në BE, kjo nuk do të thotë se kufijtë e hapur kundërshtohen: 43 përqind e të anketuarve, që e quajnë azilin dhe migracionin problem madhor, i konsiderojnë kufijtë e hapur brenda BE si shans, vetëm 27 përqind si kërcënim. Lëvizja e lirë brenda BE vlerësohet kryesisht pozitivisht dhe nuk vihet në diskutim nga të rinjtë.

Tema e dytë e rëndësishme për të rinjtë evropianë është mbrojtja e mjedisit dhe e klimës. Prej muajsh të rinjtë protestojnë me lëvizjen "Fridays for Future" kundër shkatërrimit të mjedisit, konsumit të tepërt të energjisë, shtimit të emetimeve të CO2 në transport, si dhe ndotjes së tokës, ajrit dhe ujërave. Apeli i tyre: politikanët duhet të bëjnë më shumë për të mbrojtur mjedisin dhe klimën.

Kjo gjë u intereson njerëzve. Në Gjermani 81 përqind e qytetarëve e konsiderojnë të domosdoshme që të veprohet për mbrojtjen e klimës. 85 përqind besojnë se kjo nuk mund të arrihet pa kufizime në stilin e jetesës. Në këtë përfundim arrin një sondazh për tendencën në Gjermani.

Gatishmëria e vërtetë për të ndryshuar mënyrën e konsumit në favor të mbrojtjes së mjedisit rritet gradualisht. Këtu paraprin rinia. 28 përqind e të anketuarve të studimit të TUI deklaruan se vitin e kaluar kishin hequr dorë nga produkte të caktuara për arsye politike apo etike, ose i kishin konsumuar ato vetëm për këto arsye. Në Gjermani kjo u pohua nga 33 përqind e të anketuarve.

Si mund të angazhohen më fort të rinjtë?

Por si mund të arrihet që të rinjtë të përfshihen jo vetëm në diskutimet politike, por të marrin pjesë më shumë në procesin politik? Partitë politike duhet të krijojnë struktura më moderne, për t‘ua bërë më të lehtë të rinjve, që të hyjnë dhe të kontribuojnë, rekomandon Marcus Spittler nga Qendra Shkencore për Studime Sociale Berlin (WZB). "Të rinjtë janë të interesuar veҫanërisht për ato parti, që u ofrojnë një lloj ndryshimi apo vizioni për të ardhmen. 67 përqind besojnë se nevojiten ndryshime radikale për të rregulluar sistemin politik."

Kjo dëshirë për ndryshim është nganjëherë edhe shkaku, për se partitë populiste janë nganjëherë interesante për të rinjtë. "Fundi i shfrytëzimit të qymyrgurit deri në 2038 apo wi-fi pa pagesë në autobuzët bavarezë deri 2050 nuk është utopi e mjaftueshme", thotë Spittler.

Edhe fakti se vetëm në veriun e BE shumica e të anketuarve besojnë se standarti i jetesës së tyre do të jetë më i lartë se i prindërve, duhet t‘i bëjë politikanët të mendojnë.

Alarmant është edhe fakti se më shumë se gjysma (58 përqind) e të rinjve janë të bindur se demokracia është forma më e mirë e qeverisjes. Shumë të ulëta janë vlerësimet në Francë (38 përqind), Itali dhe Poloni (46 përqind). Veçanërisht i lartë është aprovimi për demokracinë në Greqi (73 përqind), Gjermani dhe Suedi (66 përqind) si dhe Danimarkë (65 përqind).

Megjithatë vetëm një pakicë (gjashtë përqind) i të rinjve i konsideron format e tjera të qeverisjes më të mira se demokracia.

Rreth 60 për qind e të anketuarve në studimin për të rinjtë pohojnë se e konsiderojnë "të mundur" që të votojnë në zgjedhjet evropiane 2019. Një numër që duhet të trajtohet me kujdes, sepse sidomos tek të rinjtë.ekziston një dallim i madh midis synimit dhe veprimit,

Në shumicën e vendeve të BE të rinjtë nga mosha 18 vjeҫare kanë të drejtë të votojnë. Marcus Spittler nga WZB sugjeron që mosha për të votuar në BE të ulet në 16 vjeҫ, siҫ është rasti i Maltës dhe Austrisë. Kjo do t'u mundësonte të rinjve që të përfshihen më mirë në procesin politik.