Rinia e Ballkanit Perëndimor - promotor i pajtimit, paqes dhe sigurisë në rajon | Ballkani | DW | 02.07.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Rinia e Ballkanit Perëndimor - promotor i pajtimit, paqes dhe sigurisë në rajon

Youth Trail rajonal në Tiranë – ata që na bashkojnë shumë më tepër se ato që na ndajnë.

Pajtimi dhe bashkëpunimi mes njerëzve në Ballkanin Perëndimor mbetet një parakusht për zhvillimin ekonomik-social të rajonit dhe afrimin e tij më të shpejtë me BE. Për herë të parë rëndësinë e pajtimit rajonal e nxorri në pah Procesi i Berlinit, nismës diplomatike të kancelares Merkel, në veren 2014. Katër vjet më pas, pajtimi rajonal u bë një nga shtyllat kryesore të  Strategjisë së Re të zgjerimit të BE  me vendet e Ballkanit Perëndimor, e publikuar në shkurt të 2018. BE kuptoi se pa pajtimin dhe bashkëpunimin mes njerëzve në rajon, integrimi i tij ekonomik nuk do të arrijë suksesin e pritur në përpjekjet për të garatuar paqe, siguri dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Në këtë përpjekje rinia në 6 vendet e rajonit është padyshim në krye të procesit të pajtimit. Të rinjtë dhe të rejat nuk kanë jetuar luftën por plagët e saj janë të pambyllura në familjet e tyre. Kjo situatë ushqen tek ata paragjykime dhe stereotipe për "të tjerët”ne vendin e tyre dhe ato fqinjë.

Komunikimi, takimet, krijimi i besimit të ndërsjelltë,shkëmbimi i informacionit është "ilaҫi” më i mirë për t'i luftuar paragjykimet. Këtij qëllimi afatgjatë  i shërben Zyra e  Bashkëpunimit Rinor Rajonal ( RYCO- Regional Youth Cooperation) me seli  në Tiranë, e ngritur ne kuader te Procesit te Berlinit me një mision të qartë: të ushqejë dhe zhvillojë pajtimin dhe bashkëpunimin rajonal mes të rinjve dhe të rejave, të ndërgjegjësuar për të kaluarën.  Sipas burimeve zyrtare britanike, RYCO është një nga partnerët e rëndësishëm edhe në Samitin e Londrës, i pesti në serinë e samiteve të Procesit të Berlinit.

Youth Trail - ҫfarë na bashkon, shumë herë më e madhe nga ҫfarë na ndanë

Youth Trail- Shtigje rinore është një ndër aktivitetet që ka fituar popullaritet në rajon për të tejkaluar paragjykimet dhe ndërtaur ura mirekuptimi dhe bashkepunimi. Mbi 40 të rinj dhe të reja nga vendet e Ballkanit Perëndimor, nga 18 deri në 24 vjeç, u mblodhën në Tiranë, në këtë fund muaji për t'u njohur me njëri - tjetrin, folur se ҫfarë mendojnë për shoqëritë në vendet e tyre, demokracinë, paqen, sigurinë, korrupsionin, barazinë gjinore kombinuar me aktivitete kulturore, vizita në qytete, koncerte, shkurt argëtim së bashku. Aktiviteti u zhvillua për të dytin vit rrjesht, nën kujdesin e Pranisë së OSBE-së në Tiranë; Kryesisë Italiane të OSBE-së, RYCO dhe Bashkisë së Tiranës.

"Ka ende shumë plagë në këtë rajon, por nga Youth Trail pjesëmarrësit kuptuan se kane më shumë gjëra që i bashkojnë sesa i ndajnë. Është shumë e rëndësishme që të rinjtë dhe të rejat nga vendet e rajonit të fitojnë  së bashku përvoja të ndryshme. Ka një interesim të jashtëzakonshëm nga rinia e rajonit për Youth Trail- 500 mijë klikime në median sociale per aktivitetin”, tha  ambasadori Bernd Bochard, kryetar i pranisë së OSBE në Tiranë.

DW Interview mit Djuro Banusa (DW/A. Feilcke)

Djuro Banusa

Miratimi të shtunën (30.06.2018) nga Këshilli Europian i hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë në 2019, është një lajm i mirë edhe për procesin e pajtimit në rajon. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm i RYCO, Djuro Blanusa, "RYCO beson se janë të rinjtë dhe të rejat ata që duhet të jenë kontribues aktivë në integrimin europian të Ballkanit Perëndimor, në shndrrimin e tij në një rajon me zhvillim demokratik, prosperitet social dhe ekonomik dhe gjithnjë dhe më i hapur”.

Potenciali i rinisë për të qënë në krye të procesit të pajtimit në rajon dhe sjellë ndryshim është shumë i madh. Mosha e re e popullsisë në rajon është një nga avantazhet për zhvillim por ende e pashfrytëzuar nga niveli i lartë i papunesisë tek rinia, mungesa e perspektivës dhe gjetja e zgjidhjes tek emigrimi.