1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Euro Finanzmarktreformen

18 Maj 2010

Ministrat e Financave të BE-së, në takimin e tyre që nisi punimet të hënën në Bruksel trajtojnë të gjitha çështjet kritike të financave evropiane, nga sigurimet për kreditë problematike deri tek fondet Hedge.

https://p.dw.com/p/NQMI
Jean-Claude Juncker drejton për dy vjet të tjera bordin e ministrave të Financave të eurozonësFotografi: picture alliance / dpa

Disa reforma për rregullimin e tregjeve financiare evropiane janë pak para firmosjes. Për disa të tjera sapo kanë nisur diskutimet. Kështu kancelarja gjermane, Angela Merkel do që të ulë efektin e spekulimeve me sigurimet e kredive problematike. Produktet e njohura me emrin CDS, shkurtim i Credit Default Swap - kredi të të rrezikuara nga mospagimi, janë përgjegjëse për trysninë e madhe të ushtruar ndaj vendeve të eurozonës, Greqisë, Portugalisë, dhe Spanjës. Edhe Komisioni Evropian e ka drejtuar vëmendjen tek këto produke financiare, por do fillimisht të testojë se si i influencojnë tregjet produkte të tilla. Komisari për tregtinë e brendshme, Michel Barnier: "Puna e grupit të punës po vazhdon. Dua fillimisht të kuptoj, se çfarë po ndodh dhe çfarë ka ndodhur për të vepruar drejt. Propozimet konkrete pastaj do t'i bëjmë në vjeshtë."

Michael Barnier
Michel Barnier, Komisari për tregtinë e brendshme në BEFotografi: picture alliance / dpa

Rregullat e reja të Brukselit

Autoritetet e Brukselit po punojnë intensivisht edhe në fronte të tjera të tregjeve financiare. Kështu do të shtrëngohen rregullat për kapitalin që kanë bankat. Gjithashtu do të ngrihet një fond krize, si masë parandaluese në raste krizash të ardhshme, mendon komisari francez. Edhe për agjensitë e vlerësimit (Agjensi Rating), Komisioni do të prezantojë një propozim të ri. Tre agjencitë e mëdha amerikane, që vlerësojnë nivelin e rrezikut të kredive për firma dhe shtete, nuk kanë konkurencë të mjaftueshme: Barnier: "Agjencitë e vlerësimit në javët e shkuara ulën së tepërmi besueshmërinë në aftësinë paguese të kredive nga ana e Greqisë dhe vendeve të tjera. Si pasojë e kësaj katapultuan pagesat e risqeve për titujt e borxhit të këtyre shteteve."

08.12.2008 DW-TV Global 3000 hedgefonds
Duke punuar për fondet Hedge

Ndërsa në çështje te tjera BE ka bërë shumë hapa përpara. Ministrat e financave të BE-së në takimin e nisur që nga dita e hënë duan të diskutojnë rregullat e reja për fondet Hedge. Në Evropë do të ashpërsohet mbikqyrja për fondet aktive Hedge. Qëllimi është që autoritetet mbikqyrëse të kapin momentin se kur spekulantët aventurierë grumbullojnë rreziqe të mëdha.

Pashaportë për fondet Hedge

Britania e Madhe është kundër zgjidhjes që ndodhet në tavolinat evropiane. Kjo zgjidhje parashikon një pashaportë të BE-së për fondet Hedge që veprojnë në këtë zonë, me kontrollet përkatëse. Britanikët i tremben pasojave që mund të kenë tregjet financiare në Londër. Por komisari i BE-së për tregun e brendshëm Barnier nuk sheh zgjidhje tjetër: "Po ju kujtoj që ky sektor i industrisë së financave në ditë të caktuara realizon më shumë se gjysmën e transaksioneve në bursë. Pra ekziston një rrezik i sistemit, që ka infektuar shtetet e G20-s. Kjo e justifikon rregullimin."

BE do të forcojë në tërësi autoritetin e mbikqyrjes në zonën e saj. Që në dhjetor 2007 shtetet anëtare miratuan sistemin e ri të kontrollit evropian për bankat dhe bursat. Por Parlamenti Evropian i cilësoi propozimet si mjaft të vakëta dhe e ashpërsoi elementin e kontrollit në vendimin e tij. Sipas kësaj kontrollorët evropianë do të marrin vendime edhe kundër vullnetit të autoriteteve të kontrollit të vendeve anëtare. Qëllimi është kontrolli më i mirë i koncerneve financiare, që funksionojnë përtej kufijve të një vendi. Në diskutim është edhe kontributi bankar për raste krizash. Por disa shtete si Spanja janë kundër këtij instrumenti të ri. Argumenti i tyre, është që bankat e një vendi që nuk u ndihmuan financiarisht në kohën e krizës, nuk kanë pse të paguajnë për të tjerët.

Autor: Wolfgang Landmesser/Lindita Arapi

Redaktoi: Eliana Xhani