1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rindizet konflikti mes kryetarit të vjetër dhe atij të ri të PS

Ani Ruci7 Shtator 2006

Fatos Nano, ka thyer heshtjen dhe pasivitetin e tij disa mujor duke kritikuar rëndë Edi Ramën, që ka zënë vendin e tij në krye të PS, forcës më të madhe opozitare në Shqipëri.

https://p.dw.com/p/Arcs
Pllakatë e zgjedhjeve, qershor 2005
Pllakatë e zgjedhjeve, qershor 2005Fotografi: AP

Nano e ka quajtur Edi Ramën një kopje të deformuar të Berishës lidhur me metodat arbitrare dhe frymën diktatoriale, që sipas tij, Edi Rama ka adaptuar në drejtimin e Partisë. Ish kryetari i saporikthyer në politikë, u shpreh se socialistët nuk mund të luftojnë me sukses origjinalin, pra Berishën, pa luftuar kopjen e tij në krye të tyre, pra Edi Ramën.

„Degradimi i PS me modelin e keq të berishizmit që po adopton Edi Rama në një koalicion berishkash, i cili po administron vetëm interesa personale“ sulmoi njëherazi Nano edhe krerët e partive te tjera të majta që ia dolën mbanë të bashkohen në një koalicion të drejtuar nga socialistët.

I ashpër dhe nënvleftësues për themeluesin e PS dhe njeriun që e futi Ramën në politikë ka qenë kundërpëgjigja e këtij të fundit.“ PS ka një axhendë e cila nuk mund të ndryshojë nga ndonjë faktor atmosferik. Telenovela ka mbaruar“ ka ironizuar ai ish kryetarin Nano.

Në krye të axhendës së socialistëve qëndron fitorja e zgjedhjeve lokale, zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare përmes provokimit, vitin e ardhshëm, të një krize presidenciale. Me fjalë të tjera, socialistët nuk mund t´i lejojnë vetes luksin të merren me metoda drejtimi apo fryme në parti para këtij synimi madhor për t´i shkurtuar jetën mandatit 4 vjeçar të qeverisë së kryeministrit Berisha

Për ata që pengojnë plotësimin e kësaj axhende ndëshkimi do të jetë i rëndë: përjashtimi nga PS madje dhe të njeriut që e themeloi dhe e drejtoi pbr 15 vjet rrjesht..

Këtë paralajmërim e ka bërë Erion Braçe, deputet socilaist, anëtar i strukturave drejtuese të PS. „ Cilido që do të dalë jashtë kësaj axhende që i shkurton mandatin Sali Berishës, e ka vendin që tani jashtë PS. Nuk do të ketë asnjë lloj hezitimi për të ndëshkuar këtë sherrnajë të re brenda PS dhe gjithë mbartësit e saj. Fatet e socialistëve nuk luhen në ruletë“ tha ai.

Ish kryetari Nano e sheh një përjashtim të mundshëm të tij nga Partiasi një gabim i madh.„ Do të ishte një hap shumë i gabuar, nga një tufë njerëzish që do të mundoheshin të aplikonin modelin Berisha në PS, njerëz të mbyllur në zyra të paajrosura dhe të mykura, të provokonin PS me largim përfaqësuesish.“ paralajmëroi ai.

Ndonëse ka qenë i ashpër me pasuesin e tij Ei Ramën, Fatos Nano ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes PD dhe PS për të kryer reformën zgjedhore. Por për të shmangur frymën ekonfliktualitetit në jetën politike nuk mjafton kjo marrveshje. Sipas Nanos, këtë mund ta arrijnë vetëm përfaqësuesit e dy forcave politike kryesore ose ata që ai i quajti “të urtët“. Dhe këta përfaqësues nuk janë askush tjetër veç tij dhe Berishës.

Burime zyrtare pohojnë se po përgatitet nje takim mes Fatos Nanos dhe Sali Berishës, në Bari të Italisë, këtë fundjavë me rastin e zhvillimit atje të panairit „ FIERA de LEVANTE“ ku Shqipëria perfaqësohet çdo vit me një pavion të posaçëm.