1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rikthehet në debatin politik të Tiranës "çështja Fazlliç"

Ani Ruci28 Tetor 2008

Opozita kërkon mocion debati me kryeministrin Berisha. Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli premton mbajtjen e mocionit brenda afatit 30 ditor.

https://p.dw.com/p/Filv
ParlamentiFotografi: AP

Dukej sikur "çështja Fazlliç" kishte ditë që kishte ikur nga debati i nxehtë politik i ditës në Tiranë. Qeveria kërkoi hetim ndërkombëtar duke shprehur publikisht mungesën e besimit të saj tek Prokuroria, ekspertët juristë thanë se një hetim i tillë nuk ka bazë ligjore dhe është absurd. SHBA dhe BE dolën me deklarata ku i bënë thirrje qeverisë së kryeministrit Berisha të mos ndërhynte në punën e Prokurorisë. Dukej se nuk kishte më hapësira për debat. Vetë kryeministri kishte premtuar disa javë më parë se do të zbardhte në Parlament gjithshka për Fazlliç. Ai kishte akuzuar opozitën dhe eksponentët e saj se janë të lidhur me biznese të dyshimta dhe persona të inkriminuar.

Opozita nuk heq dorë nga mocioni

Stadtansicht von Tirana Albanien
TiranaFotografi: DW / Cama

Por opozita i është rikthyer sërish kërkesës së disa javëve më parë për mocion debati me kryeministrin Berisha, pasi sipas rregullores së Parlamentit kjo kërkese duhet të ishte plotësuar brenda 30 ditësh, dhe këtij afati po i vjen fundi.

Erion Braçe, nënkryetari i grupit parlamentar të PS në Parlament është shprehur se opozita nuk heq dorë nga mocioni. Braçe: "Berisha është shumë i përfshirë në "çështjen Fazlliç". Ai duhet të vijë të tregojë përgjegjësinë e tij”.

Dyshimi se Damir Fazlliç ka pastruar para në Shqipëri nuk vjen vetëm nga Drejtësia dhe opozita në Shqipëri. Ekspertë amerikanë që asistojne strukturat vendase të luftës kundër krimit të organizuar kanë pohuar në mediat elektronike të Tiranës se shitja e kompanisë fantazmë "Crown Acquisition" ka të ngjarë të jetë pastrim parash. Pronar i kësaj kompanie në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve në Tiranë figuron emri i Damir Fazlliç-it.

Sali Berisha
Sali BerishaFotografi: AP

A do të zhvillohet mocioni i debatit me kryeministrin Berisha për çështjen Fazlliç?

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli është shprehur se kërkesa e opozitës ka kaluar në Qeveri dhe shumë shpejt pritet të vijë përgjigjja. "Mocioni do të bëhet sipas rregullores brenda 30 ditëve. E ka thënë vetë Sali Berisha se do të zbardhë këtë çeshtje në Parlament dhe do të bëhet siç thotë ligji. Ligji është i shenjtë" premton kryetarja e Parlamentit.

Vetë kryeministri Berisha, i pranishëm në Parlament kur opozita përsëriti kërkesën për mocion i bëri thirrje asaj të "jetë e kthjellët dhe të përshëndesë momentet historike" duke lënë të kuptohet se kjo do të ishte një zgjedhje më e mirë sesa aksioni politik për "çështjen Fazlliç".