1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rikthehet gazi lotsjellës në parlamentin e Kosovës

Bekim Shehu9 Gusht 2016

Në Kosovë thellohet kriza politike ndërmjet pozitës dhe opozitës. Opozita paralajmëron masa radikale kundër ratifikimit të marravëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi në kuvend.

https://p.dw.com/p/1JeqQ
Kosovo Parlament Tränengas Polizei Pristina
Fotografi: picture-alliance/dpa/P.Prenaj

Deputetët e opozitës hodhën gaz lotsjellës në parlamentin e Kosovës, në përpjekje për ta penguar shqyrtimin e projketligjit për demarkacionin me Malin e Zi. Gazi lotsjellës u hodh nga një deputet i lëvizjes Vetëvendosje në komisionin për procedim të projektligjit në kryesinë e kuvendit të Kosovës. Deputeti Driton Çaushi u shoqërua në polici, ndërkaq, komisioni pa prezencën e opozitës i dha dritën jëshile projektligjit për t'u proceduar më pas në parlament për miratim. Seanca e miratimit akoma nuk është caktuar. Deputetët e opozitës po kërkojnë që të anulohet marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, duke pretenduar se Kosova po humbet, sipas saj, mbi tetë mijë hektar tokë.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Donika Kadaj-Bujupi, e cila deri në momentin e hedhjes së gazit lotsjellës ishte pjesë e komisionit, tha se opozita do të perdorë masa edhe më radikale në mënyrë që kjo marrëveshje e demarkacionit të mos ratifikohet në parlament.

"Si Lëvizje Vetëvendosje do t'i përdorim të gjitha format. Të gjitha pa përjashtim. Edhe mënyrat jo konvencionale, në mënyrë që ta ndalim ketë tradhti, sepse ma shumë asnjëherë nuk ka pasur zëra kundër një marrëveshjeje, kundër një vendimi, kundër një ligji. Nuk guxojmë të lejojmë që ligji të vij në kuvend për votim", tha depuetja Donika Kadaj-Bujupi.

Edhe deputeti tjetër opozitar Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) tha se qeveria e Kosovës me insistimin e saj që ta ratifikojë marrëveshjen, vetë sa po e thellon krizën politike në Kosovë.

"Po e them para jush, para deputetëve, para të gjitha medieve se qytetarët janë shumë të shqetësuar dhe nëse kalon kjo marrëveshje, më besoni se do të fillojmë një revoltë që ndoshta askush nuk ka dëshirë ta përjetojë", tha deputeti Pal Lekaj.

Pas zhvillimeve në komisionin parlamentar ku u hodh gazi lotesjellës, i menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, i cili në një konferencë për media u shpreh i vendosur që ta procedojë ligjin për ratifikim në kuvend. Sipas kryeministrit, deklarimet e opozitës nuk qëndrojnë ku thuhet se Kosova po humb teritor. Kauza e opozitës sipas tij është e rreme. "Kauza e opozitës, por edhe insistimi i disa gjeografëve se Kosova ka humbur territor duke përdorur lloj - lloj hartash edhe duke mos marr parasysh realitetin mbi të cilin është shpallur pavarësia e Kosovës, konsideroj se është e rrejshme është krejtësisht me motive politike dhe është për përfitime politike duke shfrytëzuar edhe terminologji nacionaliste", tha kryeministri Isa Mustafa.

Sipas tij, manipulimi i procesit të demarkacionit nga opozita për të shantazhuar procesin si dhe etiketimi i njerëzve me terma tradhtarë, është i rrezikshëm dhe nxit dhunë.

Edhe ministri i punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, e ka mbështetur ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, duke thënë se "ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është një hap tutje drejt rrumbullakimit të procesit të pavarësisë së Kosovës".

"Mali i Zi, është një vend fqinj dhe mik i Kosovës dhe se procesi i shënjimit të vijës kufitare nuk ka kthim pas. Demarkacioni me Malin e Zi, plotëson sovranitetin e shtetësisë së Kosovës, sepse ai kufi regjistrohet si kufi ndërkombëtar", tha ministri Enver Hoxhaj.

Ndërkohë instituti Instituti Demokratik i Kosovës ( KDI) që monitoron nga afër punën e Kuvendit, u bën thirrje të gjithë deputetëve dhe subjekteve politike që të ushtrojnë të drejtat e tyre parlamentare dhe të mos cënojnë të drejtën e asnjërit deputet për ta ushtruar mandatin dhe përgjegjësitë kushtetuese për të cilat janë të zgjedhur.

Gjatë kohës sa në parlamentin e Kosovës ndodhnin këto zhvillime, një mjet shpërthyes u gjet në shtëpinë e kryetarit të komisionit qeveritar Murat Meha, që shënoi vijën kufitare me Malin e Zi, të kontestuar nga opozita. Policia arriti ta largojë mjetin me një shpërthim të kontrolluar. Tash për tash, sipas policisë nuk dihen autorët.

Katër ditë më parë me një mortajë dore u sulmua edhe kuvendi i Kosovës, duke lënë pas dëme materiale, por pa pasoja në njerëz. Autorët e këtij sulmi ende nuk janë kapur.

Çështja e demarkacionit me Malin e Zi dhe asociacioni i komunave me shumicë serbe janë dy çështje, të cilat tash e më shumë se një vit e kanë futur Kosovën në krizë të thellë politike ndërmjet pozitës dhe opozitës. Opozita i kundërshton këto dy marrëveshje. Kosova në bazë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel me autoritet e Beogradit duhet ta themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërkaq, ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi është kusht i vendosur nga Komsioni BE-së në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm pa viza.