1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grenell pret bashkëpunim me liderët kosovar për dialogun

Bekim Shehu
9 Tetor 2019

I dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, tha në Prishtinë, se marrëveshja e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do t'i kontribuonte zhvillimit të Kosovës dhe tërë rajonit.

https://p.dw.com/p/3QzfR
Treffen von Hashim Thaci und Richard Grenell
Fotografi: Office of the President of Kosovo photos for media

I dërguari special i Presidentit të SHBA-së, Donald Tramp për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, pret bashkëpunim me liderët kosovar në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi. Grenell i shoqëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, takuan Presidentin e Kosovës, Hashimm Thaçi dhe liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti, që i fitoi zgjedhjet e 6 tetorit. Takimet ishin të veçuara me dyer të mbyllura e pa praninë e medieve. Richard Grenell nuk foli për mediat pas takimit, por ambasadori Philip Kosnet, pas takimit shkroi të Twitter, se "i dërguari i posaçëm presidencial Grenell, pret me padurim që të punojë me presidentin Thaçi dhe liderët e tjerë të Kosovës, për të ndihmuar që të arrihet paqja, drejtësia dhe prosperiteti në Kosovë dhe rajon”. Më herët vet Kosnett bëri të ditur që Kosovën e viziton edhe i ngarkuari tjetër për Ballkanin Perendimor, Mathew Palmer, por ky i fundit nuk u pa në takim me Presidentin Thaçi.

Mathew Palmer një muaj më parë u emërua nga administrata amerikane si i ngarkuar për Ballkanin Perëndimor, ndërsa ambasadori i SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, katër ditë më parë u ngarkua drejtpërdrejt nga Presidenti Trump, si ndërmjetësues amerikan në dialogun Kosovë-Serbi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një komunikate për media tha, se fokusi i bisedave në takim me ambasadorin Grenell ishte arritja e marrëveshjes së paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"Që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën. Kjo shton konfidencën dhe besimin tonë në kërkimin e Marrëveshjes së Paqes me Serbinë”, thotë Presidenti Thaçi, duke shtuar se "Marrëveshja e Paqes mes Kosovës dhe Serbisë do t'i kontribuonte zhvillimit të Kosovës dhe tërë rajonit”. Sipas Presidentit të Kosovës, Përfaqësuesi Special i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi ka thënë, se "shpreson se Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti dhe do të gjejnë një zgjidhje, sepse një marrëveshje ndërmjet dy shteteve do të verë themelin për rritje ekonomike dhe do të kontribuojë për mirëqenien e të gjithë qytetarëve”, citon Thaçi Grenellin.

Richard Grenell, takoi edhe liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti, partia e të cilit doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit, por që i nevojitet një partner për krijimin e qeverisë. Edhe lëvizja Vetëvendosja, nëpërmjet një komunkate për medie, tha, se "Richard Grenell, para se të udhëtonte për Beograd, theksoi që mungesa e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë është pengesa kryesore e investimeve të huaja në ekonominë kosovare”.

"Kurti është pajtuar me ambasadorin Grenell që Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe investime nga jashtë, por për këtë problem janë sidomos korrupsioni i lartë në qeveri që krijon pasiguri dhe i tremb bizneset. Albin Kurti i ka thënë ambasadorit Grenell, se "përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes me Serbinë janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj, sesa afati kohor për të", citohet Kurti në komunikatë.

Para se të vinte në Kosovë, i dërguari special amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovës, Philip Kosnett, përmes një postimi në rrjetin social Twitter tha, se mbështetja e SHBA-së për Kosovën dhe Serbinë në procesin e dialogut kërkon punë në ekip.

"Mbështetja e SHBA-së për Kosovën dhe Serbinë në procesin e dialogut kërkon punë në ekip”, shkroi Kosnett në Twitter.

Emërimi i ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell si i dërguar special amerikan në dialogun Kosovë-Serbi, është mirëpritur nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Vizita e tij realizohet në kohën kur në Kosovë sapo përfunduan zgjedhjet e përgjithshme dhe ku fituese doli Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit. Ky i fundit vazhdimisht ka qenë kritik ndaj mënyrës së zhvillimit të dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa ka paralajmëruar se në qeverinë e tij prioritet do të jetë fillimisht dialogu me serbët e Kosovës, por nuk e refuzon dialogun me Beogradin zyrtar. Dialogu Kosovë-Serbi u ndërpre në nëntorin e vitit të shkuar kur qeveria e Kosovës u udhëhequr nga Ramush Haradinaj, vendosi taksë 100% ndaj produkteve serbe si shenjë pakënaqësie ndaj fushatës agresive diplomatike të Serbisë kundër njohjeve të Kosovës.