1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NL Wahlausgang

10 Qershor 2010

Pas zgjedhjeve parlamentare në Hollandë, për herë të parë pas gati 100 vjetësh liberalët po bëhen përsëri partia më e fortë. Rezultati i zgjedhjeve thellon edhe më shumë një tendencë të zhvillimeve politike në Evropë.

https://p.dw.com/p/NmtO

Ishte kryesisht kriza ekonomike, jo armiqësia ndaj të huajve, që solli ndryshimin e qeverisë në Hollandë. Zgjedhëset dhe zgjedhësit hollandezë e ndëshkuan kryeministrin e padëshiruar konservator, Jan Peter Balkenende dhe ia besuan votën kryetarit të partisë së djathtë liberale Mark Rutte, i cili premtoi në fushatë vende të reja pune. Por diskutimi rreth euros dhe kriza e borxheve nuk ka çuar në një spostim të plotë nga e djathta në Hollandë, gjithsesi socialdemokratët me një diferencë shumë të vogël janë bërë forca tjetër në dhomën e dytë të parlamentit.

Rezultati kaq i mirë i populistëve antiislamistë të djathtë të Geert Wilders-it është shprehje e një çorientimi të thellë të shoqërisë hollandeze, lidhur me qëndrimin ndaj migrantëve dhe fesë islame. Nuk duhet harruar, se regjizori kritik ndaj islamizmit Theo Van Gogh u vra nga islamistët dhe kritikët e fesë islame mund të lëvizin në publik vetëm me roje personale. Në përgjithësi ka pakënaqësi për mbushjen me të huaj të sistemeve sociale dhe për mosarritjen e integrimit, për krijimin e shoqërive paralele. Ky diskutim mbishtresohet tani nga kriza financiare dhe përzihet me të. Prandaj edhe kërkesa e partisë së e re më të fortë qeverisëse, e liberalëve, në parlamentin e Hagës, që asistenca sociale t'u paguhet të huajve nga vendet jo anëtare të BE-së, pas dhjetë vjetësh.

Krijimi i qeverisë në Hollandë ka për të qenë i komplikuar. Të dhjetë partitë në parlament bëjnë të mundura gjashtë koalicione të ndryshme.

Bernd Riegert
Bernd RiegertFotografi: DW

Rezultati i zgjedhjeve, megjithë veçoritë hollandeze, i përgjigjet tendencave të zhvillimit në Evropë. Kiza ekonomike ka sjellë këtë vit ndryshime të qeverive në Britaninë e Madhe, Çeki dhe Hungari. Në të gjitha këto tre vende kanë fituar konservatorët. Në Sllovaki ka të shtunën (12.6.) zgjedhje, edhe atje socialdemokratët qeverisës mund të humbasin. Në Spanjë në vendin e katërt për nga madhësia të eurozonës, qeveria socialiste lufton që të mos dështojë nga reforma e tregut të punës.

Edhe aleancat konservatore dështojnë nga kriza financiare dhe ekonomike: Në Letoni u shpërbë koalicioni i liberalëve dhe konservatorëve. Zgjedhjet e reja do të zhvillohen në tetor. Në Greqi ndryshimi i qeverisë u bë vjeshtën e kaluar. Atje qeverisin socialistët.

Relativisht stabile janë Franca, Polonia dhe Italia. Silvio Berlusconi, një miks sipërmarrësi, politikani klloun dhe populisti, është kapur fort pas pushtetit n Romë, megjithë krizën ekonomike. Në Gjermani ndjehet një farë krize brenda koalicionit konservator-liberal, por prishja e tij dhe zgjedhje të reja nuk priten.

Alarmuese është se në shumë shtete, në rradhë të parë në Evropën Lindore, vala e krizës po nxjerr në sipërfaqe populitstët e djathtë. Ata sensibilizojnë pakënaqësinë ndaj emigrantëve dhe sidomos pakicave në këto vende, qofshin roma, hebrej apo homoseksualë. Në Çeki, Hungari, Sllovaki, Bullgarie, Kroaci dhe Serbi vihet re një forcim i ekstremizmit të djathtë.

Në Europën Perëndimore, në Hollandë, Belgjikë, Francë dhe Gjermani, në kuadrin e një diskutimi padyshim të domosdoshëm për qëndrimin ndaj fesë islame, populistët kanë zbuluar në rradhë të parë muslimanët si armikun e ri. Në Hollandë populistët janë aq të fortë, saqë mund të pranohen edhe një koalicionin qeverisës. Kryetari i partisë Wilders nuk është ekstremist i djathtë apo neonazist, prej atyre që njeh Gjermania. Për t'ia hequr magjinë atij dhe për të demaskuar qëllimet e tij të dëmshme politike, do të jetë një detyrë e rëndësishme e parlamentit të ri hollandez.

Ndërrimet e shumta të qeverive nuk e lehtësojnë punën e BE. Për luftimin e krizës ekonomike në Këshillin e Evropës do të duhej stabilitet dhe kontinuitet, por që janë të vështira të vendosen, kur në samitin tjetër të rradhës ekipi do të ndryshojë për të tretën herë.

Autor: Bernd Riegert

Redaktoi: Aida Cama