1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rezervat britanike vështirë të kapërcehen

16 Dhjetor 2005

Grindja që vazhdon për buxhetin e BE të viteve të ardhshme dhe thirrjet drejtuar britanikëve që të heqin dorë nga rabati i tyre, si dhe pozicioni i qeverisë gjermane në aferën e marrjeve në pyetje të CIA-s janë në qendër të shtypit gjerman të së premtes.

https://p.dw.com/p/ArsM
Fotografi: AP

PFORZHEIMER ZEITUNG ndër të tjera shkruan:

"Gati mund të urosh një dështim të takimit të nivelit të lartë të BE- me të gjithë forcën simbolike që del prej tij. Ku pritet të mbarojë e gjitha? Ndoshta në atë që në çështjen e zgjerimit të BE t'i lësh vetes kohë, dhe në këtë mënyrë të marrësh më në fund me vete edhe mendimin e popullit- duke u vënë kështu sërish në lëvizje. Në këtë rast dështimi do të sillte edhe diçka të mirë."

OSTHHÜRINGER ZEITUNG që del në Gera është e mendimit:

"Riorganizimi i buxhetit të BE duhet të bëhet sinjal për hapin drejt së ardhmes. Nuk ka mbetur thuajse asgjë nga deklaratat me mburrje. Nëse nuk të gënjejnë të gjitha sinjalet, ajo që dëshiron të jetë fuqi botërore, Evropa, edhe në të ardhmen do ta shpenzojë 80% të buxhetit të saj për ndihma agrare dhe strukturore. Lopët, misri dhe ndërtimi i rrugëve janë- e formuluar në mënyrë pak të tepruar- programi i së ardhmes i BE i kthyer së prapmi. Çdo qeverie i pëlqen të mbrojë subvencionet në dëm të shpenzimeve të rëndësishme për kërkimet shkencore dhe aftësinë për konkurencë, ndërsa reformatori Blair e përqëndroi të gjithë aftësinë e tij diplomatike për të shpëtuar rabatin e kapërcyer nga koha të britanikëve. Asnjë gjurmë prej goditjes çliruese të premtuar."


FRANKFURTER NEUE PRESSE komenton qëndrimin e Blerit:

"Në mënyrë që të lëshojnë pe të tjerët, presidenti britanik i radhës i BE duhet të prijë me shembull të mirë- dhe të pranojë shkurtime substanciale në rabatin e fituar me luftë nga Maggie Thatcher. Por një tendencë e tillë deri mbrëmë nuk është përvijuar gjëkundi. Londra, e cila paguan neto më shumë se Parisi që të rëndon me kërkesat agrare, me sa duket mendon se për arsye të politikës së brendshme nuk mund të bëjë lëshime. Rezervat tradicionale, që ekzistojnë në ishullin britanik kundër Evropës, ato nuk mundi t'i kapërcejë as një Toni Bler. "

KÖLNER STADT-ANZEIGER është e mendimit:

"Nuk bëhet fjalë vetëm për para, por për atë, nëse Evropa do të verë në dispozicion mjetet, për të qenë më shumë se vetëm një zonë e tregtisë së lirë. Nëse propozimi britanik do të ketë sukses, atëherë kriza financiare mund të konsiderohet e kapërcyer, por do të kishte filluar ndarja nga Evropa e Bashkuar. Kjo ndarje nuk do të kishte filluar në lirikën politike të Komisionit dhe të Këshillit, por në librat e buxhetit të BE, dhe ato kanë rëndësi. E parë me këtë sy, një sukses i takimit të nivelit të lartë mund të ishte i barabartë me një disfatë për Evropën."


Ndërrojmë temë. Përfshirja e mundshme e instancave gjermane në aktivitetet ilegale të CIA-s i preokupon më tej komentatorët e gazetave gjermane.

STUTTGARTER ZEITUNG shkruan për aferën e CIA-s:

"Mund të shpresosh ende që kërkimet e Gjermanisë të jenë të paprekura nga tortura dhe kundërshti të tjera. Por besimin, njëherë për njëherë duhet ta varrosësh. Wolfgang Shojble, ministri i ri i brendshëm, e mori këtë besim. Ai ka parashtruar hapur, që hetuesit gjermanë kanë pyetur një të burgosur në Guantanamo, se nëpunësit gjermanë kanë marrë në pyetje një gjermano-sirian në Damask, dhe e njëjta gjë ka ndodhur edhe në Liban. Një gjë megjithatë është transparente dhe e padiskutueshme: nëpunësit gjermanë nuk janë sprapsur së marri në pyetje të dyshuarit, të cilët janë kërcënuar me tortura ose të cilët janë torturuar."


FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND shkruan më tej:

"Bundestagu duhet të ngrejë një komision. Jo për të dëbuar qeverinë dhe për t'i dhënë një skenë opozitës. Por për të ndriçuar njëherë e përgjithmonë para të gjithë opinionit se në ç'mënyrë është e lidhur Gjermania me luftën e shërbimit të fshehtë kundër terrorizmit dhe se ku janë kufijtë politikë. Qeveria gjermane deklaron ndërkohë hapur, se hetuesit gjermanë kanë marrë në pyetje edhe në Guantanamo dhe në Siri. Nëse të burgosurit atje "janë zbutur" më parë me metoda të ashpra, edhe Gjermania ka përfituar nga këto tortura. Këtu përvijohet një zonë gri, për të cilën duhet të zhvillohen urgjentisht standarde politike. Retorika zyrtare e moralit dhe praktika e politikës së sigurisë duhet të konvergohen sërish me njëra-tjetrën."