1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Retrospektivë: politika ndërkombëtare 2004

Heinrich Bergstresser30 Dhjetor 2004

Ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2004 ndodhën në fillim të nëntorit në USA dhe Paris. Amerikanët zgjodhën presidentin e tyre dhe presidenti palestinez Jaser Arafat vdiq disa ditë pas shtrimit në një spital ushtarak francez. Por edhe në Azinë jugore, në Lindjen e Afërt ose të Mesme dhe në Afrikë u zhvilluan ngjarje që duhen përmendur sepse ndryshuan hartën e politikës botërore.

https://p.dw.com/p/ArRG

Populli amerikan pranoi me shumicën e votave presidentin e vet Xhorxh Bush edhe për një periudhë tjetër legjislative, pavarësisht nga lufta e diskutueshme në Irak, skandalet në burgun Abu Ghraib, megjithë mosgjetjen në Irak të armëve të zhdukjes në masë. Xhon Kerri pranoi humbjen pas një pritjeje të vogël. Bushi iu drejtua menjëherë popullit me dëshirën e harrimit të betejës së javëve të mëparshme:

"Një periudhë e re presidenciale është edhe shans i ri për të arritur tek gjithsecili. Ne jemi vend me kushtetutë të përbashkët dhe të ardhme të përbashkët. Nëse gjejmë njeri tjetrin dhe kooperojmë atëherë madhësisë së Amerikës nuk ka kufij që t`i vendosen."

Pak ditë pas rizgjedhjes së Bushit, në Irak filloi sulmi i shumëpritur ushtarak kundër kështjellës së rebelëve në Faluxha. Brenda pak ditëve u vranë më shumë se 1000 rebelë, disa qindra u kapën dhe Faluxha u pushtua, por nuk ra në paqe. Marinsat amerikanë qanë më shumë se tridhjetë të vrarë dhe disa qindra të plagosur. Megjithatë qeveria tranzitore e kryesuar nga Ijad Allawi vendosi 30 janarin e 2005 si datë zgjedhjesh të një qeverie kalimtare e cila brenda një viti duhet të përgatisë referendumin për kushtetutën. Vetëm pas kësaj Iraku do i jepet përfundimisht sovraniteti i plotë.

Për kujtesë: Në fund të qershorit pushtuesit të përfaqësuar nga administratori Paul Bremer, i kthyen Irakut sovranitet të pjesshëm dhe pak ditë më vonë Sadam Hyseinit të arrestuar iu lexuan shtatë pikat e akuzës, ndër të cilat për krime kundër njerëzimit dhe genocid.


"Siç thotë Resolucioni 1546 i Kombeve të Bashkuara, administrata civile amerikane zëvendësohet më 28 qershor. Pushtimi mbaron. Qeveria kalimtare merr sovranitetin e plotë. Ne dëshirojmë që Iraku të arrijë të gjithë bazën ligjore për t`u bërë anëtar i kombeve të lira të kësaj bote. Nënshkrimi Paul Bremer, ish administrator civil".

Gjatë gjithë vitit në Irak ka patur sulme terroriste. Spektakolare kanë qenë veçanërisht sulmet në Kerbala gjatë Festës së Ashures në fillim të marsit, në Bakuba në fund të korrikut dhe në Samarra në fund të shtatorit, ku vdiqën 30 fëmijë. Vrasja e ushtarëve amerikan filloi në vitin e ri me ushtarin e parë të vrarë më 2 janar. Në mes të korrikut nga trupat e koalicionit u arrit shifra 1000 e ushtarëve të vrarë, që prej përfundimit zyrtar të luftimeve më 1 maj 2003. Britanikët kanë patur deri në fund të nëntorit 70 viktima. Megjithatë brenda komunitetit ndërkombëtar ekziston një konsensus i gjerë për rindërtimin e Irakut me ndihma ndërkombëtare.


Vetëm pak ditë pas rizgjedhjes së Xhorxh Bushit në një spital ushtarak francez morri fund lufta disaditore me vdekjen e Jaser Arafatit. Një fjalim i shkurtër i mjekut njoftoi fundin e një ere.


"Jaser Arafat, president i qeverisë palestineze vdiq më 11 nëntor 2004 në orën 3 e 30.".

Kryeministri aktual Ahmed Kurei morri kryesimin e autoriteteve autonome, ish kryeministri Mahmud Abas morri kryesimin e PLO-së, dhe postin e presidentit e morri Kryetari i Parlamentit Rauhi Fatah. Vdekja e Arafatit hapi perspektiva të reja për të rikthyer në rendin e ditër bisedimet e ndërprera, megjithëse organizata radikale palestineze Hamas humbi gjatë këtij viti dy zëdhënësit më të rëndësishëm të saj, Shehun Ahmed Jasen dhe Abdel Aziz Rantisi. Qeveria izraelite e kryesuar nga Ariel Sharon synoi zhdukjen fizike të udhëheqjes së Hamasit dhe tërheqjen nga Gaza. Në fund të marsit Jasen dhe disa bashkëpunëtorë të tij u vranë nga një sulm me raketa dhe gjithë urrejtja e zëdhënësit të Hamasit, Rantisi ndaj Izraelit shprehet me këto fjalë të tij:


"Ka ardhur koha që ta kuptoni se hebrejtë janë armiqtë e kombit tonë. Besimtarët nuk kanë armik tjetër më të madh. Hebrejtë janë vrasës të profetëve, dhe sot ata vranë një njeri që kish marrë rrugën e profetëve".

Disa javë më vonë edhe Rantisi u vra nga një sulm ajror izraelit në Gaza. Sharoni falenderoi ushtarët për këtë aksion dhe dërgoi zëdhënësin e tij Raan Gisin të thoshte:


"Natyrisht që ne do bëjmë çdo gjë për t`u mbrojtur dhe do luftojmë pa u trembur kundër terroristëve. Koseguencat duhet të ndiqen nga palestinezët. Ata ose të luftojnë menjëherë kundër organizatave terroriste ose le të lenë të shkatërrohet jeta e 1,8 milionë palestinezëve që jetojnë sot në Rripin e Gazës".

Në krahasim me vitin e kaluar numri i sulmeve vetëvrasëse kundër Izraelit ka rënë.

Terrori nuk mbeti i përqëndruar vetëm në Irak, Izrael dhe territoret palestineze. Gjatë festimeve përkujtimore në përvjetorin e L2B më 9 Maj në kryeqytetin çeçen Grozni shpërtheu një bombë që vrau presidentin Ahmed Kadyrov. Politikani besnik i Moskës u zëvendësua pas zgjedhjeve të komanduara nga Alu Alchanov. Në Osetien Veriore, rebelët çeçen pushtuan në fillim të shtatorit një shkollë në Beslan dhe morrën peng nxënësit dhe mësuesit. Aksioni i dhunshëm për lirimin e tyre i kushtoi jetën 300 njerëzve. Disa ditë më parë atentatorë vetävrasës çeçen kishin hedhur në erë dy aeroplanë pasagjerësh. Në fund të marsit në Uzbekistan u vranë 40 qytetarë.

Në fund të majit Arabia Saudite u bë sërish objekt i sulmeve terroriste. Kësaj here sulmi u drejtua në portin e naftës El Khobar. 20 vetë u vranë dhe kështu nhumri i të huajve të vrarë arriti shifrën 30.

Në fillim të tetorit terroristët shkatërruan hotele, vranë 30 vetë dhe plagosën më shumë se 100 persona në qendrat turistike egjiptiane në Detin e Kuq. Shumica e viktimave ishin turistë izraelit.

Por edhe në Indonezi, Pakistan dhe Turqi u vranë njerëz nga sulme terroriste.

Në politikën ndërkombëtare ka patur edhe zhvillime pozitive. Kështu në Afganistan u aprovua në fillim të vitin Kushtetuta e re e cila shtroi rrugën për zgjedhjet e përgjithshme. Siç pritej presidenti tranzitor Hamid Karsai fitoi në tetor zgjedhjet e para të lira dhe duke dhënë votën e tij ai foli për "ditën më të madhe për popullin afgan".

Pa të papritura u zhvilluan në fillim të vitit edhe zgjedhjet presidenciale në Republikën kaukaziane të Gjeorgjisë, të cilat i fitoi lehtë dhe pa mundim ylli i ri i politikës Shakashvili. Një vit më vonë, në nëntor, presidenti i Ukrainës Kuçma besonte se do kish si trashëgimtar favoritin e tij Viktor Janukoviç. Ndërkohë që udhëheqësi i opozitës Viktor Jushçenko deklaroi se zgjedhjet i fitoi ai, komisioni i zgjedhjeve deklaroi Janukoviçin si fitues i zgjedhjeve, ç `ka nuk u pranua as nga përkrahësit e Jushçenkos as nga vëzhguesit ndërkombëtar të zgjedhjeve, Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Rruga e vetme për të arritur një kompromis që do na ndihmojë të zgjidhim konfliktin është rruga e protestave publike."

Udhëheqësi i opozitës bëri thirrje për grevë të përgjithshme dhe më 25 nëntor Gjykata e Lartë hodhi paraprakisht poshtë rezultatin e Komisionit të zgjedhjeve.

Krejt ndryshe u zhvilluan zgjedhjet në Indi dhe Indonezi. Shteti më i madh islamik i botës, për herë të parë në historinë e tij zgjodhi presidentin me një proçes të drejtpërdrejtë. Zgjedhësit ia dhanë votën ndryshimit të pushtetit, dhe ish gjeneralit të pangarkuar politikisht Susilo Bambang Judhojono, i cili fitoi në shtator dukshëm ndaj Megewati Sukarnoputri që ndodhej në post.


Edhe në demokracinë më të madhe të botës, në Indi pati këmbime pushteti. Në vend të kryeministrit Atal Bihari Vajpayee dhe partisë së tij BJP, zgjedhjet e majit i fitoi një koalicion i gjerë i udhëhequr nga Partia e Kongresit dhe kryetarja e tij Sonia Gandhi. Me një lojë të zgjuar Gandhi heq dorë nga marrja e pushtetit dhe ia lë atë ish ministrit të financave Manmohan Singh, i cili me marrjen e detyrës bëri këtë betim:


"Unë, Manmohan Singh, betohem në emër të Zotit, se me besim dhe besnikëri të plotë do bazohem tek Kushtetuta Indisë, tek ligjet dhe do mbroj pavarësinë dhe lirinë e Indisë".

Singh vazhdoi dialogun politik mbi temën delikate të Kashmirit dhe përmirësimin e marrdhëdhënieve me Pakistanin fqinjë. Por kjo nuk frenoi sulmet në zonën kufitare të diskutueshme të Kashmirit.

Në Kinë trazira pati disa herë. Në provincën e Henanit, por edhe në qytetin Vanzhou dhjetra mijra njerëz dolën në rrugë. Kjo tregoi se potenciali i konflikteve sociale rritet masivisht, kur modernizimi ekonomik nuk shoqërohet me reforma politike.

Në kontinentin afrikan pati zhvillime shumë të ndryshme. Sudan, Cote d`Ivoire dhe Republika Demokratike e Kongos krijuan pika të nxehta ku sundoi lufta civile dhe kaosi. Edhe komuniteti ndërkombëtar nuk u mundua të shuante qendrat e zjarrit. Njëkohësisht zgjedhje e lira dhe paqësore në Namibi. Mosambik, Afrikë të Jugut dhe Ghanë treguan se edhe në Afrikë janë të mundshme hapat demokratike. Keniania Wangari Maathai morri papritur, por me merita të plota, çmimin Nobel për paqen.