1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reljiç: Është koha që Mogherini të merret me Maqedoninë

Zoran Jordanovski21 Maj 2015

Brenda Maqedonisë vazhdon ekuilibri i dy opsioneve politike. Vendimtare do të jenë me sa duket faktorët e jashtëm: SHBA, BE dhe vendet fqinje, sidomos Shqipëria, vlerëson në bisedë për Deutsche Welle-n Dushan Reljiç.

https://p.dw.com/p/1FTRR
Dusan Reljic
Fotografi: DW

Institucionet Evropiane si dhe përfaqësitë e shteteve të tjera në Bruksel tregojnë interes gjithnjë e më të madh për zhvillimet në Maqedoni. Këtë e dëshmon edhe interesimi shumë i madh të mërkurën (20.5.) për takimin kushtuar zhvillimeve në këtë vend në Qendrën e Studimeve Politike Evropiane në Bruksel, ku morën pjesë rreth pesëdhjetë ekspertë. Njëri nga pjesëmarrësit në diskutim, shefi i zyrës së fondacionit gjerman Shkenca dhe Politika nëBruksel, Dushan Reljic, në intervistë me Deutsche Welle-n, bën vlerësimin e situatës në Maqedoni, por edhe në rajon, flet për rrugët e mundshme të daljes nga kriza,.

DW: Z. Reljiç cila është përshtypja juaj nga takimi në Bruskel?

Dushan Reljic: Kam pasur përshtypjen se shumica e pjesëmarrësve në diskutim në takimin në Bruksel nuk pret përshkallëzim të dhunës, nuk beson se mund të ketë një përsëritje të konfliktit të armatosur shqiptaro-maqedonas, por edhe dyshon se do të ketë një përfundim të shpejtë të krizës. Sigurisht u shprehën edhe kërkesa për një angazhim më të madh të BE në vend, me qëllim që gjërat të mos marrin ndonjë rrjedhë kaotike. [...] Përshtypja ime është se shumica në Bruksel mendon se është e pamjaftueshëm që ndërmjetësimi mes palëve në konflikt në Shkup t'i lihet vetëm Parlamentit Evropian, apo tre deputetëve të këtij Parlamenti. Në vend të kësaj, dhe unë jam bashkuar me këtë kërkesë, me sa duket tani ka ardhur momenti, që Komisionerja e BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë, zonja Federica Mogherini, t'i marrë gjërat në dorë dhe të jetë shumë më tëpër e përfshirë se deri tani.

DW: Komisioni Evropian në raportet e tij të rregullta mbi përparimin e Maqedonisë edhe më parë ka vënë në dukje zhvillimin negativ, sidomos në fusha si pavarësia e gjyqësorit, liria e mediave, problemi me administratën publike, etj. Edhe pse ka qenë e veshur me fjalor të zbutur diplomatik, ishte e qartë, se edhe në Bruksel janë të vetëdijshëm se Maqedonia në procesin e afrimit me BE bën prej kohësh de facto regres. Vallë Komisioni Evropian dhe të tjerët nuk kanë pasur më parë mundësinë për t'i parandaluar këto tendenca negative?

Dushan Reljic: Nuk besoj, për dy arsye.:E para është, se këto raporte, që zakonisht publikohen në tetor, janë produkt i marrëveshjeve burokratike midis organeve të ndryshme të Komisionit. Ai është një instrument, i cili duhet të inkurajojë vendet, por që shpesh është treguar joefikas. Maqedonia, nëse nuk gabohem, gjashtë herë në mos më shumë, ka marrë rekomandimin e Komisionit Evropian për të filluar negociatat për anëtarësim, por Këshilli Evropian, pra shtetet anëtare nuk e kanë respektuar këtë rekomandim pas vetos së Greqisë për shkak të grindjes për emrin. Nga ana tjetër, ka disa vite që në Maqedoni gjërat lëvizin në një drejtim, që tregon se institucionet politike, në rradhë të parë parlamenti, por edhe gjyqësori dhe çdo gjë tjetër, që përbën një demokraci funksionale, janë dobësuar. A është ky vetëm rezultat i largimit nga BE dhe NATO, apo është rezultat i situatës së dobët ekonomike dhe forcimit të pushtetit të një partie, të një njeriu, kjo është një çështje e diskutueshme. Por nuk është vetëm BE, përgjegjës për gjendjen në Maqedoni. Në radhë të parë janë vetë maqedonasit.

DW: Analizat tregojnë se tendencat e autoritarizmit shfaqen që nga viti 2008, pas samitit të NATO-s në Bukuresht, ku pranimi në këtë organizatë u duk si "punë e kryer", por në fund doli se Shqipëria dhe Kroacia ishin pranuar, ndërsa Maqedonia jo. Në vitin 2011 erdhi edhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Greqinë në lidhje me emrin, të cilin të gjithë deri tani, komuniteti ndërkombëtar, NATO apo BE, e injorojnë. A ka qenë gabim që është mbajtur ana e aleatit, Greqisë, kundër vendimit të instancës së vet gjyqësore?

Dushan Reljic: Në marrëdhëniet ndërkombëtare rrallë sundon drejtësia, apo sensi i asaj që është e drejtë. Madje edhe e drejta ndërkombëtare nuk vjen aq shumë shpesh në shprehje. Marrëdhëniet ndërkombëtare mbeten edhe më tej mbi të gjitha një reflektim i fuqisë së shteteve të veçanta, apo e konstelacionit të marrëdhënieve mes shteteve. Prandaj mendoj se është vonë tani për t'u ankuar për atë që ka qenë në vitin 2008 apo më vonë. Duhet parë se si të dalë Maqedonia tani nga kjo krizë aktuale. Çështje kyçe këtu është, nëse forcat politike, si maqedonase ashtu edhe shqiptare, kanë aftësinë dhe vullnetin e mjaftueshëm për të gjetur kompromis, apo do të jetë përsëri e nevojshme, si në vitin 2001, që të imponohet nga jashtë. Çdo variant, që prodhojnë vetë maqedonasit për demokracinë dhe institucionet e vendit, është më pozitiv se imponimi nga jashtë. Është e nevojshme që të kërkohen forma të reja të bashkëjetesës dhe forma të reja të ndarjes së qeverisjes demokratike. Orientimi vetëm drejt faktorit të jashtëm, nuk do t' bëjë që gjërat më mirë.

DW: Demonstratat e fundit në Maqedoni, sidomos ato të opozitës, kanë treguar se Maqedonia nuk është e ndarë në atë masë në linjat etnike. A mund të jetë fimazhi, që kanë dërguar së bashku maqedonasit, shqiptarët, serbët, turqit, romët, fillimi i zgjimit të ndërgjegjes qytetare?

Dushan Reljic: Në Maqedoni vazhdon të jetë koalicioni i VMRO-DPMNE dhe BDI, i një partie maqedonase dhe i një partie shqiptare. Në këtë moment nuk duket ndonjë gatishmëri e kësaj qeverie për të pranuar disa nga zgjidhjet e propozuara, për shembull formimin i një qeverie kalimtare, apo një formë të ndërtimit të unitetit kombëtar në organizimin e zgjedhjeve të reja, që do të ishin të vëzhguara më mirë, që do të ishin më të rregullta se më parë, dhe që gjithsesi do të kishin prodhuar një kualitet të ri politik. Tubimi është diçka demokratike, por shërben vetëm që të krijohet sfondi politik, i cili do të duhej të prodhonte në fund marrëveshjen politike. Kjo marrëveshje politike përsëri do të jetë një çështje e elitës politike në Maqedoni. Nuk kam përshtypjen se elita politike shqiptare në këtë moment ka dëshirë të ekspozohet shumë. Vërej një përmbajtje mjaft të madhe. Mendoj se është shumë herët për të vlerësuar, nëse demonstratat masive të opozitës mund të krijojnë aq shumë presion në opinion, që të mund të ndikojë në elitën politike, veçanërisht për shqiptarët, saqë të dalin nga koalicioni qeverisës. Kjo, për fat të keq, përsëri do të varet nga faktorë të jashtëm, përkatësisht në ç'masë Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vendet fqinje, veçanërisht Shqipëria, do të kenë ndikim mbi lojtarët në Shkup. [...] Fakt është që krijohet përshtypja se brenda Maqedonisë ende ka një ekuilibër midis dy opsioneve politike dhe në këtë moment partitë politike shqiptare mund të jenë ato, që mund të ndryshojnë raportin e forcave, duke rrëzuar qeverinë.

DW: Si mendoni se mund të ndikojnë ngjarjet në Maqedoni përreth saj, praktikisht në vendet e Ballkanit?

Dushan Reljic: Në këtë moment ndonjë përfitim të madh politik nga ashpërsimi i ngjarjeve në Maqedoni, nuk ka asnjë nga fqinjët. Zhvillimet negative në Maqedoni do të ndikonin negativisht në negociatat e Serbisë me Bashkimin Evropian. Zhvillimet e këqija në Maqedoni do të kërkonin nga Shqipëria një lloj tjetër të sjelljes politike e do ta vinin atë në vështirësi. Në momentin e parë pas konfliktit në Kumanovë u duk se dëmin më të madh e kishin pësuar partitë opozitare, por kur gjërat u sqaruan pak, kur doli se shteti maqedonas nuk kishte reaguar në mënyrë efikase - gjithsesi tre njerëz shumë të rëndësishëm në qeveri dhanë dorëheqjen - atëherë doli se në fakt qeveria në Shkup ishte vënë me shpatulla pas muri. Kjo është ajo që tregon, se faktorët e jashtëm në të vërtetë nuk kanë pasur një argument, apo interes të madh që ta sforcojnë këtë. Si të zgjidhet raporti mes qeverisë dhe opozitës në Maqedoni? Mua më duket, siç e kam thënë, se dy faktorë kanë rëndësi të veçantë, si do të veprojnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, dhe cili do të jetë relacioni, që do të marrë marrë faktori politik shqiptar.