1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rekomandimi hap derën për Maqedoninë evropiane

18 Prill 2018

Zaev: Me rekomandimin për hapjen e negociatave Komisioni Europian hapi derën për Maqedoninë evropiane për të cilën meritën e kanë vetë qytetarët e vendit.

https://p.dw.com/p/2wEUP
Mazedonien Gespräche Johannes Hahn mit Zoran Zaev
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski

"Këtë vit rekomandimi është i pastër dhe i pakushtëzuar, kjo do të thotë se Maqedonia e plotëson kriterin politik thelbësor për anëtarësim në BE, që duhet të mundësojë fillim të negociatave për të. Kjo gjithashtu do të thotë se e kemi lënë pas krizën politike, se BE me kujdes dhe respekt i ndjek reformat dhe proceset politike në vendin tonë dhe se jemi futur në procese të rregullta politike njëlloj si çdo shtet funksional. Raporti pozitiv vërtetoi se ndodhemi në rrugën e vërtetë dhe na e hapi derën për Maqedoninë europiane”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev menjëherë pas publikimit të progres-raportit nga KE.

Ai ftoi të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë motiv për të punuar edhe më shumë në rrugën drejt euro-integrimin e vendit, pasi siç u shpreh "në unitetin e dallimeve ndajmë vlera evropiane”.

Osmani: Nuk ka vend për eufori, na pret edhe shumë punë

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani vlerson se pas kësaj note pozitive Maqedonisë i mbetet që deri në qershor të zgjidhë çështjen e emrit, që Bashkimi Europian të japë rekomandim për çeljen e bisedimeve.

"Ne shpresojmë që deri atëherë do të kemi një zgjidhje për çështjen e emrit, që të mund të marrin datën për fillim të bisedimeve, për shkak se Maqedonia është e përgatitur për të filluar bisedimet. Maqedonisë po t'i jepet mundësia për të negociuar, do t'i tejkalojë shumë shpejt edhe Serbinë edhe Malin e Zi, për shkak se është më e vjetra në këtë proces”,- tha zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.

EBRD Gipfel zum Westbalkan in London Zoran Zaev
Zoran Zaev: Rekomandimi hap derën për Maqedoninë evropianeFotografi: Getty Images/AFP/D. Leal-Olivas

Nuk ka vend për eufori për shkak se nuk kemi kohë, duhet t'i përvishemi punës për të vazhduar me reforma për shkak se kemi afate të rëndësishme që duhet t'i kapim. E kemi qershorin për të marrë datë. E kemi korrikun për të marrë ftesë për në NATO. Nga nesër publikojmë planin tjetër për punën e qeverisë për muajin që vjen , është shpreh Bujar Osmani.

Gjorçev: Përsëri do të përballemi me veton greke

Nga VMRO-DPMNE-ja vlerësojnë se Raporti i këtij viti nuk dallon aspak nga raportet e disa viteve më herët kur Maqedonia kishte marrë rekomandim të pakushtëzuar.

"Qeveria e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së bashkë fituan rekomandim, këtë që sot e fituam, këtë që po na e prezantojnë si sukses të madh e kemi fituar që nga viti 2009. Edhe atë jo një herë, as dy, as tre, as katër herë e as pesë herë, por shtatë herë. Pra Qeveria atë rekomandim e kishte 7 herë dhe vazhdimisht hasëm në atë që quhet pozicion i Greqisë, veton greke”, ka  deklaruar Vllatko Gjorçev nga  VMRO-DPMNE.

Rekomandimi për çeljen e negociatave është një hap i rëndësishëm për Maqedoninë, tha euroambasadori në Maqedoni, Samuel Zhbogar. Sipas tij, kjo përbën një dëshmi se vendi e ka tejkaluar krizën politike.

"Shteti përfundimisht tejkaloi krizën më të madhe politike nga viti 2011. Nga muaji maj i vitit 2017, qeveria e re reformatore po bën hapa që të tejkalohet gjendja e shtetit të kapur nëpërmjet kthimit të sistemit frenim-balancim dhe përforcimit të demokracisë dhe sundimit të së drejtës”, ka theksuar  ambasadori i BE-së në Maqedoni Samuel Zhbogar.

Mogerini dhe Hahn në Shkup

Një ditë pas shpalljes së raportit të progresit në Shkup po qëndron eurokomesarja për politik të jashtme, Frederika Mogerini, dhe eurokomisari për zgjerim Johanes Hahn.

Eurokomisari, Johanes Hahn, tha se vendi ka shënuar progres të dukshëm në zbatimin e reformave. Komisioni thekson ndryshim pozitiv në mendimin politik-diçka që ka munguar në vitet paraprake, dhe që ishte pengesë në procesin reformues dhe në angazhimin serioz në zbatimin e reformave. Hahn përgëzoi Maqedoninë  për këtë punë të suksesshme, por theksoi se nuk ka kohë për vetëkënaqësi pasi procesi ende nuk është kryer.

"Është me rëndësi të theksoj se nuk ka një rrugë të shkurtër drejt BE-së. Dhe duhet theksuar se i gjithë procesi bazohet në merita”, është shpreh Hahn.

Belgien EU-Gipfel - Federica Mogherini
Frederika MogeriniFotografi: Reuters/F. Lenoir

Përfaqësuesja e lartë e BE-së Frederika Mogerini, ka thënë se Ballkani Perëndimor është Europë dhe së shpejti do të jetë në BE, në një BE të fortë dhe të bashkuar, duke ndarë interesat dhe përgjegjësitë me vendet e rajonit në të mirë të të gjithë qytetarëve brenda dhe jashtë unionit.

"Vendet duhet të zbatojnë reformat dhe duhet të demonstrojnë rezultate konkrete. Do të vazhdojmë ta mbështesim këtë punë përmes mbështetjes politike dhe asistencës së fokusuar financiare”, ka thënë përfaqësuesja e lartë e BE-së Frederika Mogerini.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut