Rehn: Ritmi i integrimeve në BE varet nga ritmi i reformave në vend | Ballkani | DW | 16.04.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rehn: Ritmi i integrimeve në BE varet nga ritmi i reformave në vend

Zëvendëskryeministrja maqedonase, Gabriela Trajkovska u takua sot në Bruksel me komisionerin përgjegjës për zgjerimin Oli Rehn

Oli Rehn

Oli Rehn

Vizita e zëvendëskryeministres maqedonase Gabriela Trajkovska në selinë e Komisionit Europian në Bruksel si dhe takimi që ajo zhvilloi me komisionerin përgjegjës për zgjerimin, Oli Rehn (Olli Rehn) solli edhe një herë në skenë situatën në vendet e Europës Juglindore, sidomos atë në Maqedoni, Kosovë dhe Serbi.

Komisioneri Rehn përsëriti para gazetarëve mesazhin që i kishte përcjellë edhe zyrtares së lartë të Shkupit. Përshpejtim të reformave, forcim të dialogut politik ndërmjet pozitës dhe opozitës si dhe respektimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit. Këto janë kriteret që do të përshpejtojnë fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Europian.

Qeveria duhet të shpejtojë reformat, sepse ritmi i integrimeve në BE varet nga ritmi i reformave në vend, deklaroi Rehn. Ai cilësoi si reforma të domosdoshme luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe reformat në gjyqësor dhe administratë. Më pas ai nënvizoi se rëndësinë që ka dialogu politik për stabilitetin e Maqedonisë. Komisioneri i BE-së vuri në dukje se që në muajin shkurt të këtij viti gjatë vizitës që ai zhvilloi në Shkup i kërkoi kryeministrit vendas që të ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim.

Në mënyrë të veçantë zyrtari i lartë i BE-së kërkoi nga qeveria e Shkupit një respektim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, e cila siç tha ai , është një kriter i rëndësishëm i dialogut politik si dhe i krijimit të frymës së besimit ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Komisioneri Rehn i bëri thirrje me këtë rast edhe Beogradit që të mos humbasë më kohë në formimin e një qeverie demokratike dhe proeuropiane, e cila do të mund të përshpejtojë afrimin e saj me Bashkimin Europian.

Duke folur rreth statusit të ardhshëm të Kosovës, Olli Rehn nënvizoi se gjatë takimit jo zyrtar që ministrat e jashtëm të BE-së mbajtën para 2 javësh në Bremen të Gjermanisë u përafruan qëndrimet e vendeve anëtare të BE-së drejt një qëndrimi unik në mbështetje të propozimit të Ahtisarit.

Ai shprehu me këtë rast shpresën se edhe gjatë takimit të ardhshëm të ministrave të jashtëm të BE-së që do të zhvillohet të hënën e ardhshme në Luksemburg si dhe më pas, këto qëndrime do të afrohen gjithmonë e më shumë drejt një qëndrimi të vetëm dhe unik të BE-së ndaj statusit të ardhshëm të Kosovës.

  • Data 16.04.2007
  • Autor Viron Gjymshana
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArWW
  • Data 16.04.2007
  • Autor Viron Gjymshana
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArWW
Reklamë