1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Regjistrimi i popullsisë temë e nxehtë debati

15 Mars 2011

Shoqëria civile në Shqipëri e kundërshton vendimin e qeverisë për të përfshirë në pyetësorë kombësinë dhe fenë. Cili është modeli i BE -së për regjistrimin?

https://p.dw.com/p/10ZSa
Fotografi: Bundesstiftung Aufarbeitung

Ky vit në bazë të vendimit të Kombeve të Bashkuara është viti i raundit të regjistrimeve të përgjithshme të popullsisë në të gjithë botën. Në Shqipëri ky regjistrim i planifikuar për t'u zhvilluar pas dy javësh, u shty për në nëntor, për shkak të zgjedhjeve lokale të 8 majit. Regjistrimi i popullsisë në Shqipëri, ndonëse do të zhvillohet pas 8 muajsh, është shndërruar në një teme të nxehtë debati dhe pikëpamjesh të ndryshme. Shkak për këtë është bërë kundërshtimi i shoqërisë civile ndaj vendimit të qeverisë për të përfshirë në pyetësorë edhe vetëdeklarimin e kombësisë dhe fesë. Ndërkohë një numër i madh qytetarësh kanë ndryshuar muajt e fundit kombësinë nga shqiptare në greke, apo në serbo-malazeze. Gjykata e Lartë, që po inspekton vendimet e gjykatave për ndërrimin e kombësisë, ka anulluar dhjetëra prej tyre, pasi i ka gjetur të mbështetura në dokumenta të fallsifikuara. Shifrat zyrtare nga Gjykata e Lartë flasin për mbi 3800 qytetarë të Shqipërisë në zonat Jugore, që e kanë ndërruar kombësinë nga shqiptare në greke dhe mbi 150 të tjerë në zonat e Veriut në serbo- malazeze. Shfaqja masive e kësaj dukurie dhe përkimi në kohë me afrimin e regjistrimit të popullsisë nxiti Gjykatën e Lartë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë të ndërrmarin në fillim të këtij muaji një inspektim 6 mujor në Gjykatat e shkallës së parë, të cilat miratojnë, ose hedhin poshtë kërkesat për ndryshim të kombësisë. Burime zyrtare pohojnë se vetëm gjatë dy javëve të para të këtij muaji nga inspektimi i Gjykatës së Lartë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë gjetur disa dhjetëra raste, ku ndryshimi i kombësisë është kryer me dokumenta të fallsifikuara. Vetëm në Gjykatën e Leskovikut 72 qytetarë rezultojnë ta kenë ndërruar kombësinë nga shqiptare në greke me dokumenta të fallsifikuara. Kreshnik Spahiu, N/Kryetar i Këshillitt të Lartë të Drejtësisë thotë se është shkelur ligji përkatës: “Janë aplikuar disa standarde. P.sh. fëmijë me të njëjtit prindër njëri ndërron kombësinë nga shqiptare në greke, kurse tjetri mbetet shqiptar, apo nëpërmjet dokumentave të fallsifikuara një komunë e tërë kërkon të ndryshojë kombësinë”, thotë ai.

Ligj në kundërshtim me Kushtetutën

Prof. Pellumb Xhufi Albanien
Prof. Pellumb Xhufi, historianFotografi: DW

Ndryshim i kombësisë bëhet në bazë të Ligjit për Gjendjen Civile, të miratuar në vitin 2009. Në këtë ligj kombësia përcaktohet si element përbërës i gjendjes civile të çdo shtetasi shqiptar, gjë që detyron çdo shtetas ta deklarojë kombësinë e tij për t'u shënuar në regjistrin themeltar të gjendjes civile. Ligji parashikon ndryshimin e kombësisë me anë të vendimit të Gjykatës së Shkallës së parë, kur qytetari i interesuar i paraqet asaj prova dhe fakte zyrtare. Rritja e menjëhershme e numrit të qytetarëve, që kanë ndryshuar kombësinë në tre muajt e parë të këtij viti dhe zbulimi i rasteve të shumta të përdorimit të dokumentave të fallsifikuara sollën verifikimin e këtij ligji me Kushtetutën. Nga ky verifikim doli se ligji ka nene, që bien ndesh me Kushtetutën, pasi detyrojnë shtetasit të deklarojnë kombësinë si një element përbërës të gjendjes së tyre civile, në një kohtë kur në Kushtetutën e Shqipërisë, kombësia nuk përcaktohet si e tillë. Për Ligjin në fjalë është ngritur padi në Gjykatën Kushtetuese.

Ndryshimi i kombësisë dhe regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë

Nga ana tjetër ka një përkim në kohë mes rritjes së numrit të qytetarëve, që kanë ndryshuar kombësinë dhe afrimit të regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë, i cili ishte caktuar të fillonte më 1 prill, por qeveria e shtyu për në nëntor për shkak të zgjedhjeve lokale të 8 majit. Ky përkim duket se ka në bazë të tij vendimin e qeverisë për të përfshirë në pyetësorin e regjistrimit, që anketuesit e Institutit të Statistikave do t'iu çojnë qytetarëve shtëpi më shtëpi, edhe të dy pyetjeve lidhur me vetëdeklarimin e kombësisë dhe besimit fetar. Ky vendim është kundërshtuar fuqishëm nga shoqëria civile, e cila po zhvillon protesta në çdo qytet për të mbledhur 20 mijë firma të qytetarëve dhe ka kërkuar më pas anullimin e këtij vendimi, përmes një peticioni drejtuar qeverisë, Presidencës dhe Parlamentit. Argumenti kryesor i kundërshtarëve të vetëdeklarimit të kombësisë dhe besimit fetar është shkelja, që i bëhet Konventave Ndërkombëtare dhe mospërputhjes me modelin, që aplikojnë vendet e BE-së. Pëllumb Xhufi, historian, thotë për programin shqip të DW-së: Jam një prej kundërshtarëve të një regjistrimi të tillë, pasi është në kundërshtim me Konventën Kuadër të Këshillit të Europës për mbrojtjen e Minoriteteve të vitit 1995, ku përcaktohet qartë se kombesia nuk mund të mbështetet vetëm në një vetëdeklarim subjektiv të personit të interesuar, por duhet të mbështetet në elementë objektivë, që kanë të bëjnë me identitetin e personit, pra në të dhënat e regjistrave themeltarë të zyrave të gjendjes civile." thotë Z. Xhufi.

Dhunë komuniste në regjistrat themeltarë të gjendjes civile

Albanien Vangjel Dule Menschenrechte
Vangjel Dule, kryetar i Partisë ”Bashkimi për të Drejtat e Njeriut”Fotografi: DW

Por Vangjel Dule, kryetar i Partisë ”Bashkimi për të Drejtat e Njeriut”, e njohur edhe si partia e minoritetit grek, më të madhit në numër në Shqipëri, mendon se vetëdeklarimi i kombësisë dhe i besimit fetar është një domosdoshmëri në kushtet e Shqipërisë. “Regjistrimi i popullsisë nuk ka lidhje me regjistrat themeltarë të gjendjes civile, pasi është një proces statistikor. Gjatë regjimit komunist në mënyrë të dhunshme, shumë pjesëtarëve të minoriteteve në Shqipëri iu imponua ndryshimi i përkatësisë etnike dhe fetare.”thotë për DW, Vangjel Dule.

Modeli europian dhe situata në Shqipëri

Rimarrja e kombësisë së ndryshuar gjatë regjimit komunist përbën një nga te drejtat themelore të njeriut. Historiani Xhufi këmbëngul se kjo duhet bërë në bazë aktesh zyrtare dhe jo vetëdeklarimit subjektiv, pasi ky i fundit lë hapur shtigje për abuzime. Ai thekson se në vendet e BE nuk bëhet vetëdeklarim i kombësisë, apo i besimit fetar, pasi regjistrimi i popullsisë bëhet në bazë të shtetësisë dhe jo kombësisë. Edhe në rekomandimet e Kombeve të Bashkuara drejtuar qeverive të vendeve, ku gjatë këtij viti do të zhvillohen regjistrimet e përgjithshme të popullsisë, vetëdeklarimi i kombësisë dhe i fesë nuk është një çështje thelbësore, por individuale. Për më tepër vetëdeklarimi i kombësisë bie ndesh edhe me Kushtetutën e Shqipërisë, vë në dukje historiani Pellumb Xhufi. ”Shqipëria ka një Kushtetutë të standardeve europiane, e cila përcakton qartë që gjithë qytetarët e Republikes së Shqipërisë janë në rradhë të parë qytetarë me të drejta të barabarta, pavarësisht nga kombësia, besimi fetar, gjinia etj etj”, thotë ai për DW.

Gjithsesi në kontekstin global dhe europian Shqipëria paraqet tipare specifike, qe lidhen me situatën ekonomike. Varfëria dhe niveli më i ulët i jetesës në raport me vendet fqinjë jane motive, që mund të nxisin një pjesë të qytetarëve të përdorin ndryshimin e kombësisë si një mjet për përfitime ekonomike. “Për shkak të nevojave ekonomike dhe përfitimeve të mundshme, mund të vetëdeklarojnë një kombësi tjetër”, thotë Kreshnik Spahiu, nënkryetar e Këshillitt të Lartë të Drejtësisë. Kjo pasi niveli ekonomik në Shqipëri mbetet ende më i ulët se në vendet të tilla fqinje si Greqia, anëtare e BE, Mali i Zi, apo Serbia. Kritikët e vetëdeklarimit të kombësisë i druhen rrezikut të shtimit fiktiv, artificial të numrit të pakicave etnike në Shqipëri me individë, që nuk i përkasin realisht këtyre pakicave.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica