Refugjatët afrikanë pushtojnë kufijtë spanjollë | Bota | DW | 05.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Refugjatët afrikanë pushtojnë kufijtë spanjollë

As gardhet e larta dhe as rritja e numrit të ushtarëve nuk i pengojnë refugjatët afrikanë që të vërsulen drejt Spanjës. Qeveria spanjolle rrit masat e sigurisë

Pas stuhie

Pas stuhie


Deri tani gardhet ndarëse ishin të larta, por tani ato do të bëhen edhe më të larta. Qeveria spanjolle po përpiqet t´i mbyllë hermetikisht eksklavat e saj Ceuta dhe Melilla në Marok, me shpresën se kështu do të marrë fund edhe dyndja e refugjatëve afrikanë për në Evropë. Qindra njerëz vërshojnë çdo natë drejt gardheve kufitare, për të dalë kështu nga Afrika. Një ndër anëtarët e sindikatës së policisë kufitare spanjolle Guardia Civil tregon, se policia nuk ka asnjë shans për të ndërmarrë masa sigurie: "Policia jonë, pra Guardia Civil akuzohet për moszgjidhjen e një problemi, të cilin nuk e ka shkaktuar ajo. Ne na mungojnë njerëz, që mund të merren me këtë punë."

Në fund të javës së kaluar qeveria spanjolle dërgoi rreth 400 ushtarë shtesë për të siguruar kufijtë. Por kjo masë nuk ndryshoi asgjë. Përkundrazi: pak netë më pas rreth 700 afrikanë u përpoqën të kapërcejnë gardhin ndarës mes Afrikës dhe Spanjës. 350 prej tyre mundën t'a kalojnë atë. Madje këtë rradhë ata nuk kërkuan pjesën më të ulët të gardhit, por vërshuan drejt një gardhi rreth 6 metra të gjatë dhe e shkulën atë nga toka me gurë dhe vegla të mprehta. Sipas zëdhënësit të sindikatave, ushtarët nuk kishin asnjë shans. Ne ushtarët jemi kthyer në viktima. Nuk kemi asnjë mundësi të vetëmbrohemi. Këto probleme nuk zgjidhen vetëm me një shkop gome, shprehet ai.

Që prej natës kur 5 njerëz vdiqën tek përpiqeshin të kalonin kufirin, eksklavat spanjolle në Marok Ceuta dhe melilla janë kthyer në qendër të opinonit publik ndërkombëtar. Por sipas qeverisë spanjolle, plumbat që vranë dy nga refugjatët nuk u qëlluan nga pala spanjolle. Ministri spanjoll i mbrojtjes, Jose Bono shpjegoi se ushtria spanjolle ka urdhëra të qarta që të mos qëllojë kundër njerëzve që përpiqen të kapërcejnë kufijtë: "Këta njerëz nuk mund të trajtohen si luftëtarë. Askush nuk ka pse mendon se ushtarët spanjollë do të hapin zjarrin kundër tyre. Ne nuk e kemi dhënë kurrë një urdhër të tillë."

Ceuta und Melilla janë kthyer në zona problematike. Kampet e refugjatëve janë plot dhe shumë emigrantë flenë në rrugë. Të paktën 100 njerëz u dërguan në territorin spanjoll, për të zbrazur kështu zonat e mbushura me njerëz. Por sipas zyrave përkatëse, rasti më ideal do të ishte sikur njerëzit të mos kishin mundësi t´u afroheshin gardheve ndarëse. Administratori i Melillës, Imbroda flet me tone të qarta: "Zgjidhja e problemit mund të gjendet vetëm në anën tjetër të gardhit. Gajtë asaj nate ana marokene nuk bashkëpunoi siç duhet me ne, dhe prandaj ndodhi ajo që ndodhi."

Ndërkohë opozita në Spanjë kërkon nga qeveria marokene që të bashkëpunojë më ngushtë me qeveriën spanjolle. Edhe ministri i brendshëm spanjoll José Antonio Alonso thotë: "Ne kërkojmë në mënyrë diplomatike që mbretëria e Markout t´u përmbahet marrëveshjeve. Dhe shpresoj dhe lutem që kjo të ndodhë vërtetë."

Disa politikanë në Spanjë mendojnë se pala marokene përfiton nga dyndjet e refugjatëve në eksklavat spanjolle Ceuta dhe Melilla. Maroku ka vite që kërkon që eksklavat spanjolle të bëhen territor maroken. "Refugjatë afrikanë si kali i Trojës" shkruan gazeta spanjolle, El Mundo.


  • Data 05.10.2005
  • Autor Oliver Glaap
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArNt
  • Data 05.10.2005
  • Autor Oliver Glaap
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArNt
Reklamë